Këshilla për ata që vuajnë sëmundjet e nyjave

Osteoartriti është një sëmundje e nyjave, dëmtimi ose humbja e kërcit të kyçeve. Kjo është sëmundja më e shpeshtë e nyjave që prek rreth 12 për qind të popullsisë botërore.
Artriti në përkthim tekstual do të thotë inflamacion i nyjave dhe mund të ndikojnë në nyje, në çdo pjesë të trupit. Dora e lënduar bëhet e dhimbshme, e ënjtur, e bllokuar dhe mund të ndjehen dhimbje të mëdha, të cilat e pengojnë lëvizjen. Ndonëse ka mbi 100 forma të ndryshme të sëmundjes, më të zakonshmet janë osteoartriti dhe artriti reumatoid. Në vazhdim do të paraqesim disa këshilla të cilat do ta lehtësojnë këtë sëmundje.
– Humbni peshë: Pesha e tepërt është një faktor i madh i rrezikut për zhvillimin e osteoartritit. Teorikisht, nëse humbni vetëm disa kilogramë, mund të zvogëloni problemet e nyjave, sepse humbja e peshës zvogëlon presionin dhe me këtë edhe stresin në nyje. Studimet kanë dëshmuar se humbja e vetëm gjysmë kilogrami të peshës trupore, zvogëlon ngarkesën në gju, për pothuajse dy kilogramë. Përveç kësaj, duke ruajtur peshën tuaj ideale, mund të zvogëloni shanset për zhvillimin osteoartritit në përgjithësi. Taktika më e mirë për arritjen e një peshe të shëndetshme të trupit është një aktivitet i rregullt trupor, i kombinuar me ushtrime të forcës dhe aerobikut, shkruan Zëri.
– Zvogëloni konsumimin e yndyrave të ngopura: Midis inflamacionit kronik të nyjave dhe yndyrave të ngopura që gjenden në mish të kuq, produktet e qumështit me yndyrë të plotë dhe gjalpi, ka një lidhje të drejtpërdrejtë. Një sasi e madhe e yndyrës së kafshëve ndikon direkt në përkeqësimin e simptomave të artritit dhe e njëjta gjë vlen edhe për acidet trans-yndyrore që gjenden në margarinë dhe ushqime të skuqura. Mirëpo, vaji i ullirit redukton inflamacionet e trupit dhe prandaj, masat yndyrore dhe mishin e tymosur i minimizoni, duke shtuar sasinë e peshkut dhe vajit të ullirit.
– Pemët dhe perimet: Pemët dhe perimet me ngjyra të ndezura si, portokalli, karota, specat, kungulli dhe papaja, përmbajnë karotenoide, të cilat quhen beta-kriptoksantinë dhe zeaksantinë. Një ushqim i pasur me karotenoide, zvogëlon inflamacionin në organizëm. Për të pasur një efekt terapeutik, duhet përdorur tri deri pesë racione në ditë me pemë dhe perime.
– Kini kujdes me shtojcat e ushqimit: Është dëshmuar se vetëm kondroitina dhe sulfati glukosaminë, janë të dobishme për sëmundjen e osteoartritit. Njerëzit me dhimbje të moderuar dhe të rëndë në gjunjë, si rezultat i osteoartritit, kishin një përmirësim të dukshëm me kombinimin e glukosaminës dhe kondritinës. Nëse vendosni për shtojca të ushqimit, zgjidhni sulfatin glukosaminë në kombinim me sulfatin kondritinë, por mbani në mend se osteoartriti është lloji i vetëm i artritit që mund të përfitojnë nga këto shtojca. Ato nuk ndihmojnë njerëzit me artrit reumatoid. /Zëri/