17shkurt

Kërkojnë 30 mijë euro,kapen në flagrancë

/ 3 minuta lexim
17shkurt

Gjilan-Policia ka arrestuar dy të dyshuarit Tahir (Nazim) Mustafa (1972) dhe Skender (Hajredin) Salihu (1975) me banim në Komunën e Gjilanit, të cilët nën kërcënim, kanosje, detyrim, shtrëngim dhe rrëmbim,kanë marrë shërbime të llojllojshme dhe të holla në vlerë rreth 20 000 mijë eurove.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka thënë se fillimisht kishte pranuar një ankesë nga një qytetar nga Gjilani, se që nga viti 2010 në vazhdimësi ishte detyruar nga ana e një grupi kriminal t’u epte të holla dhe shërbime të tjera.

Hashani tha se pas një pune të mirë organizuar, Njësitet Operative të Hetimeve Rajonale të policisë së Gjilanit, për një kohë kanë mbledhë informata të bazuara me të cilat dëshmohet se dy të dyshuarit, nën kërcënim, kanosje, detyrim, shtrëngim dhe rrëmbim nga viktima në periudhën kohore nga viti 2010-2012, në vazhdimësi kanë marrë shërbime të llojllojshme dhe të holla në vlerë rreth 20 000 mijë €.

“Ditëve të fundit të dyshimtit i kërkojnë viktimës shumën prej 30.000€ (tridhjetë mijë euro) tjera. Nën vëzhgimin e njësiteve Speciale Operative dhe të Hetuesve Rajonal është realizuar Operacioni që rezultoi me kapjen e dy të dyshuarve të lartcekur, të cilëve viktima u kishte sjell në një vend të caktuar shumën prej 12100 €, të cilën shumë dy të dyshimtit e kishin refuzuar ,duke kërcënuar dhunshëm viktimën që të siguroj shumën e plotë prej tridhjetë mijë euro, dhe në këtë moment njësitet Speciale Operative veprojnë duke i arrestuar dy të dyshimtit”, ka thënë zëdhënësi Hashani.

17shkurt

Të dyshuarit janë arrestuar në vepër dhe pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, nga ana e prokurorit u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
Hashani tha se gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar duke mos iu bindur urdhrave të policisë.

Përndryshe, siç ka thënë zëdhënësi Hashani, si pjesë shtesë e veprimeve hetimore, janë ndërmarrë edhe operacione të veçanta për bastisjen e shtëpive (pronave) të të dyshuarve, dhe gjatë këtyre bastisjeve, janë gjetur prova që mund të kenë lidhje kauzale me veprën penale, të cilat janë konfiskuar dhe do të përdoren si prova të bazuara për Gjykatë.

“Policia Rajonale e Gjilanit thërret në bashkëpunim dhe apelon tek qytetarët të cilët në çfarëdo mënyre bien apo kanë qen pre e provokimeve, frikësimit, kërcënimit apo shantazhit të kenë besim dhe të lajmërojnë menjëherë Policinë e Kosovës në Gjilan, për çfarëdo rasti, pa marrë parasysh kohën dhe vendin kur kanë ndodhë ato raste”, thotë Hashani.

Ai tha se policia siguron qytetarët se të gjithë personat e dyshimtë që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar në vepra penale do të ballafaqohen me ligjin dhe do të sillen para drejtësisë./rajonipress/