Kërkohet shkarkimi i kryetarit të Kllokotit, shkak “konflikti i interesit”

Agjencia kundër korrupsionit konstaton se ekziston konflikti i interesit në rastin e zyrtarit të lartë publik Srecko Spasiq për faktin se përveç që mbanë postin e kryetarit të komunës së Kllokotit ai është edhe person i autorizuar i një ndërmarrje private, pozicione këto që bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funksionit Publik.
“Zyrtari i lartë Spasiq, është këshilluar që gjatë ushtrimit të funksionit publik si zyrtar i lartë nuk mund të ushtrojë funksion menaxhues në ndërmarrje private, dhe për të shmangur konfliktin e interesit duhet të bartë menaxhimin e biznesit tek një person i besuar (jo person i afërt i familjes), dhe përkundër afatit ligjor të dhënë nga Agjencia, zyrtari i lartë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të shmangur Konfliktin e Interesit”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Prandaj, duke pasur parasysh këto rrethana Agjencia vlerëson se zyrtari i lartë Srecko Spasiq nuk e ka shmangur gjendjen e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, pavarësisht paralajmërimeve nga ana e Agjencisë.
“Si rrjedhojë, bazuar në nenin 18 paragrafi 8 të Ligjit për parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e funksionit Publik, Agjencia do t’i kërkojë Institucionit ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të fillojë procedurën për shkarkimin e tij”, thuhet në njoftim.
“Për më tej sipas Ligjit në fjalë çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara me këtë ligj, kur nuk paraqet vepër penale, paraqet kundërvajtje dhe dënohet me gjobë, mirëpo përveç dënimit gjykata mund ti shqiptoj edhe masën mbrojtëse; ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj deri në një (1) vit”.