Fundamenti

Kërkohet riintegrimi i viktimave të dhunës në familje

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Nazife Jonuzi përgjegjëse e Strehimores regjionale në Gjilan që përfshin edhe komunat Kamenicë dhe Viti, ka kërkuar një angazhim më të madh të të gjitha institucioneve kompetente për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, ngase siç tha ajo deri më tani nuk janë shënuar rezultate në këtë drejtim.

Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi (EVSB) në Viti, në bashkëpunim me autoritetet komunale , Policinë e Kosovës, ndihmësit e viktimave dhe shërbimin social, ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temë Ndërtimi i Urave që kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve në nivel lokal dhe identifikimin e rasteve të dhunës në familje dhe raportimit të tyre tek autoritetet përkatëse.

Drita Pereziq – këshilltare e lartë për Siguri në Bashkësi, tha se një nga objektivat kryesor të programit ICITAP është themelimi dhe mbështetja e ekipeve vepruese të sigurisë në bashkësi të cilat funksionojnë në nivelin lokal.

“Deri më sot kemi themeluar 34 ekipe nëpër Kosovë , të cilat do të merren me çështjet e krimit , dukurive negative, cilësinë e jetës dhe problematika të ndryshme. Është për tu përshëndetur ky kontribut i iniciuesve të këtyre takimeve siç është ky sot, që ka për tematik dhunën në familje e cila po trajtohen në këtë mënyrë e që është një shembull i mirë për tërë Kosovën”, tha Pereziq.

UBT

Për definimin e dhunës në familje foli Ibadete Hyseni zyrtare për Barazi Gjinore në Viti, e cila theksoi se Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje e përkufizon si një apo më shumë vepra të qëllimshme që i vë një person një personi tjetër me të cilin është apo ka qenë në marrëdhënie familjare. Sipas këtij ligji si palë e mbrojtur është personi ndaj të cilit është ushtruar dhuna në familje, pra në këtë rast viktima e kësaj dhune, u shpreh ajo.

Ndërsa togere Tahire Haxholli nga Njësiti i Policisë së Kosovës për dhunë në familje dhe abuzim me fëmijë tha se prioritet është mbrojtja e viktimave nga dhuna në familje apo ndjekja penale dhe bashkëpunimi me institucionet tjera që trajtojnë këtë dukuri. Kurse Nazife Jonuzi përgjegjëse e Strehimores regjionale në Gjilan që përfshin edhe komunat Kamenicë dhe Viti, ka kërkuar një angazhim më të madh të të gjitha institucioneve kompetente për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, ngase siç tha ajo deri më tani nuk janë shënuar rezultate në këtë drejtim.

Pjesëmarrësit e kësaj tryeze kanë identifikuar sfidat me të cilat përballen gjatë punës së Ekipit veprues për Siguri në Bashkësi dhe kanë nxjerrur rekomandimet të cilat do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit për zbatueshmërin e ligjeve që kanë të bëjnë me këtë dukuri./rajonipress/

Mund të ju interesoj: