Kërkohet që Simmons të ftohet si dëshmitar në Gjykatën Speciale, raportimi i tij në Kuvend vetëm informues

Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë më 12 korrik para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për pretendimet e tij të kamotshme për korrupsion dhe keqpërdorime në këtë mision.

Avokati Tomë Gashi, tha se raportimi i Simmons në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, do të jetë gjithëpërfshirës dhe informues.

Tutje, Gashi thotë se raportimi ish-gjyqtarit të EULEX-it do të jetë shumë i rëndësishëm për Gjykatën Speciale, duke shtuar se avokatët e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, duhet ta ftojnë Simmons në cilësinë e dëshmitarit.

“Më 12 korrik gjyqtari Malcolm Simmons, i cili në periudha kohore ka qenë edhe kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, do të raportoj në Kuvendin e Kosovës me kërkesë të Komisionit përkatës, mendoj se do të jep një raport gjithëpërfshirës dhe do të jetë raport informues përmes Kuvendit të Kosovës, qytetarët do të mësojnë se misioni i EULEX s’ka qenë aq i mirë sa që dikush ka pretenduar, mendoj që ai duhet t’i thotë shkeljet kryesore që janë bërë të profilit të lartë dhe shkeljet më të larta ligjore sa kam unë njohuri, janë bërë në rastin e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së z. Sylejman Selimit, të cilën e kam mbrojtur unë, së bashku me dy avokatë amerikanë dhe ka qenë rasti ‘Drenica’ që përveç tij janë gjetur fajtor thuajse të gjithë ushtarët e UÇK-së së bashku me komandantët e tyre, dhe janë gjykuar rreth 16 pjesëtarë të UÇK-së, për çështje për të cilat ne mendojmë që s’ka pasur nevojë as të ngritët akuza e leje më të ketë aktgjykim. Raporti i gjyqtarit do të jetë shumë i rëndësishëm posaçërisht për Gjykatën Speciale dhe mendoj që secili avokat që ka klientë atje do të duhet ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit Simmons, që të jep raport për padrejtësisë dhe shkeljet ligjore që janë bërë në mision e EULEX-it”.

Sipas, Gashit vlera e dëshmive të Simmons është më e vogël pasi ka kaluar kohë e gjatë që nga periudha kur ish-gjyqtari i EULEX-it pretendon se kanë ndodhur shkeljet ligjore.

Tutje, avokati Gashi thotë se misioni i EULEX-it ka nisur procedura ligjore kundër Simmons.

“Ne misionin e EULEX-it e kemi ende në Kosovë, por kompetenca tani i ka të zvogëluar. Ajo çka është trishtuese është që vet Simmons ka përmendur se sipas tij ka pas bashkëpunim me prokurorë të EULEX, me prokurorë të Serbisë të cilët kanë qenë faktikisht të informuar njëri me tjetrin dhe kjo është krejtësisht e panevojshme dhe shkelje të dispozitave ligjore… dhe kjo për çështje të bashkëpunimit me prokurorë të Serbisë është skandal në vete dhe duhet të ndërmerret diçka se për çka ka ndodhur kjo. Ajo që ne e kemi ditë dhe e kemi thënë shumë herë, së paku njëri prej ish-prokurorëve të EULEX-it, i cili ka qenë i zellshëm në çështjet penale ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, e që ka qenë prokurori Salustro. Ai ka bashkëpunuar haptas me prokurorë të Serbisë… Ndërsa sa i përket gjyqtarit Simmons unë besoj që evidentimet që i ka bërë qysh në vitin 2014 dhe pak është e pazakontë pse këto nuk i ka ndarë me ne apo me zyrtarë të BE-së qysh më herët, mendoj se vlera e këtyre dëshmive janë më të vogla, për shkak se ka kërkuar një periudhë jashtëzakonisht e gjatë dhe ai paska lejuar që dëmi të ndodhë dhe pastaj të raportoj. Po ashtu ne kemi njohuri që edhe misioni i EULEX-it ka hapur procedura ligjore kundër Simmons për shkak të deklarimet e tij publike”, tha ai për EO.

Nga raportimi i Simmons, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, vlerëson se Kosova mund të mësoj që gabime të tilla të mos përsëriten.

Miftaraj, tha se raportimi i ish-gjyqtarit Simmons ka për qëllim vetëm informimin pasi sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Kosovës me BE-në sa i takon EULEX-it, prokurorë e gjyqtarë të këtij misioni kanë imunitet.

Sipas tij nga ky raportim nuk do të ketë risi pasi të gjitha janë thënë nga hetimi i zyrës së auditimit brenda Bashkimit Evropian.

“E para si misioni i UNIMIK dhe misioni i EULEX në Kosovë kanë pasur imunitet të plotë në kuadër të hetimit, gjykimit të zyrtarëve të EULEX-it bie ne kundërshtim me ligjin. Përjashtimisht kjo ka mundur të revokohet nëse për një rast të caktuar Kosova fillon hetimet ndaj këtyre personave, por që pastaj imunitetin duhet marr nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel. Sidoqoftë në rastin konkret nëse flasim në raportimin e rastit Simmons dhe ato që i ka thënë deri më tani në publik mund të themi se këto pretendime janë hetuar nga ana e zyrës së auditimit brenda BE-së dhe kanë dal me një raport para disa viteve ku janë dhënë rekomandimet për misionin e EULEX-it në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e njëjta”, tha Miftaraj.

Tutje ai thotë se Kosova nuk ka fuqi të formoj një komision hetimor për këtë rast, pasi po ashtu një veprim i tillë mund të ketë pasoja në raportet me BE-në.

“Dyshoj që Kosova do të duhej të formonte komision hetimor për këtë rast, pasi kemi të bëjmë për një çështje shumë delikate, kemi të bëjmë një ish-gjyqtar të EULEX-it, kemi të bëjmë me një marrëveshje mes Kosovës edhe Bashkimit Evropian për misionin e EULEX-it, andaj çdo raportim i Simmons mund ta konsiderojmë të mirë, pasi Kosova mund të marr praktikat e mira apo të këqija të misionit të EULEX-it dhe gjatë kohës kur kemi të bëjmë me plotësim ndryshimin e ligjeve për gjyqësorin njëfarë mënyrë të mos përsërisim gabime të tilla. Sidoqoftë një hetim parlamentar nga ana e Kuvendit të Kosovës do të kishte pasoja në kuptim të raporteve Kosovë-BE”.

“Më shumë është me pas informata për punën e EULEX-it në Kosovë, por qoftë në aspektin penal apo civil, e administrativ, thjesht Kosova është e pafuqishme dhe s’mund të marr asnjë masë ndaj zyrtarëve të BE-së”.

“Vlerë e shtuar është t’i marrim praktikat e mira, mirëpo në aspektin e zbulimit diçka të re nuk do të ndodhë, pasi raporti i auditimi i BE-së i paraqet të gjitha”, tha ai për EO.

Që nga viti 2017 kur u largua nga EULEX-i, Simmons ka ngritur akuza të shumta për këtë mision të Bashkimit Evropian, përfshirë ato për ndërhyje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje të provave, ndërhyrje në çështjet penale për qëllime politike si dhe për afera korrupsioni.

Së fundmi në profilin e tij në platformën Tëitter, Simmons ka hedhur dyshime se misioni i EULEX-it i kishte dorëzuar dosje të krimeve të luftës shtetit të Serbisë, gjë që u mohua nga zyrtarët e këtij misioni.

Një version krejt tjetër për akuzat e ish-gjyqtarit Simmons e ka Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.

Në këtë mision thonë se pas akuzave që bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë hetoi pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS