Kërkohet heqja e memorialit serb dhe demilitarizimi i Luginës

Bujanoc – Pas më se shtatë orë diskutimesh, në Bujanoc mbrëmë ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, në të cilën është diskutuar për situatën e sigurisë dhe atë politike në Luginën e Preshevës e veçanërisht në komunën e Bujanocit.
Këshilltarët shqiptarë e serbë e kanë vlerësuar të tendosur situatën pas kërcënimeve të kreut shtetëror serb për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, ndërkohë që në vendbanimet shqiptare të Bujanocit, xhandarmëria serbe në shenjë provokimi ka ngritur tashmë një kryq gjigant si shenjë nderimi të forcave ushtarake-policore dhe paramilitare serbe që kanë rënë në luftë kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Luginë.
Pas dy pauzave të gjata të shfrytëzuara për konsultime, kuvendarët unanimisht kanë rënë dakord që të aprovojnë 10 konkluzione, me të cilat, pos tjerash kërkohet kujdes në deklarime publike, zhvendosje e, siç është thënë, objektit të xhandarmërisë serbe mbi fshatin Lluçan në një lokalitet tjetër, që nuk do të irritonte popullatën lokale shqiptare, ndërkohë që në njërin nga konkluzionet janë lutur organet qeveritare që të rishikojnë prezencën e forcave speciale në komunën e Bujanocit, në pajtim me situatën në terren.
Sot është paralajmëruar mbajtja e mbledhjes së jashtëzakonshme të 74 këshilltarëve shqiptarë të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kur do të merren qëndrime më të qarta për mënyrën e qasjes së shqiptarëve të Luginës në tejkalimin e situatës së krijuar në këtë rajon, raporton Preshevanews.
Edhe deputeti i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e SAerbisë, Riza Halimi i ka thënë agjencisë Fonet se për lapidarin e pjesëtarëve të rënë të UÇPMB-së dhe për përmendoren tjetër, të ngritur shpejt e shpejt në fshatin Lluçan, kushtuar policëve dhe ushtarëve serbë të vrarë “duhet gjetur vende përkatëse për t’u shënuar në mënyrë meritore”.
“Ato pllaka përkujtimore duhet të shërbejnë si paralajmërim i popullatës dhe pushtetit aktual për të mos u sjell dhe për të mos përsëritur gabimet që një pushtet i ka bërë në vitin 2000 dhe 2001”.
Sipas tij, nga njëra anë pushteti serb akuzon komunën e Preshevës që nuk e ka respektuar procedurën ligjore për vendosjen e llakës përkujtimore në Preshevë, ndërsa, në anën tjetër, shteti (serb) shkel në mënyrë edhe më drastike atë procedurë duke vendosur përmendore te fshati Lluçan. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme pasi kjo përmendore ngrihet 200 metra larg fshatit krejtësisht të pastër etnik shqiptar, e jo në vendin ku është zhvilluar konflikti të cilit i kushtohet kjo përmendore.