RCCOLA

Kërkohet gjithëpërfshirje për dialog

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Vazhdimi i dialogut politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka shtuar nevojën e formimit të grupeve të caktuara teknike – negociuese, të cilat do të merren me tema e veçanta.

Qeveria e Kosovës thotë se pjesë e bisedimeve do të jetë edhe opozita, edhe pse disa nga partitë e bllokut opozitar e thonë të kundërtën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se ekipet negociuese do të përbëhen nga një spektër i gjerë, duke përfshirë ekspertë, parti politike opozitare si dhe shoqërinë civile.

“Qeveria e Kosovës, është e interesuar që ta ketë një spektër më të gjerë të përfaqësimit, qoftë politik, qoftë të ekspertizës. Sipas temave që do të diskutohen ne do t’i përfshijmë njerëzit adekuatë. Edhe të partive politike opozitare po edhe të ekspertëve dhe të shoqërisë civile”, tha Kuçi.

LDK hedh poshtë deklaratat

Mirëpo, në anën tjetër, partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë hedhur poshtë këto deklarata duke thënë se një gjë të tillë është e papranueshme.

Nënkryetarja e parë dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Teuta Sahatçija, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova i ka institucionet e saja, gjë që, siç u shpreh ajo, ekzekutivi i vendit në bazë edhe të rezolutës së miratuar në Kuvend është i obliguar që t’i udhëheqë negociatat me Serbinë.

“E dini që ekziston një rezolutë e cila në mënyrë shumë të saktë e precizon mënyrën se si duhet të vazhdojnë këto negociata dhe, sipas rezolutës, është qeveria ajo e cila obligohet që t’i udhëheqë negociatat. Dhe me qeverinë, Kuvendi do të jetë i përfshirë në komisione”, tha Sahatçija.

Komisionet parlamentare, sipas Sahatçija do të japin pikëpamjet e veta përmes grupeve të ngushta punuese për temat që të do fliten në dialog me Beogradin, dhe jo partitë politike.

Hidromorava

“Aty do të jetë e përfshirë qeveria dhe në lidhje me temat e ndryshme do të jenë komisionet, prandaj këtu e kisha bërë një ndarje shumë të saktë që nuk janë partitë politike, po janë ato komisionet të cilat do të jenë për një apo për ndonjë arsye tjetër të ndërlidhura me ndonjë temë. Nuk mendojmë që do të duhej të formohen grupe të tipit negociator çfarë ka qenë, po pikërisht ashtu si thotë rezoluta”, tha Sahatçija.

Rezoluta e miratuar në muajin e kaluar në Kuvend parasheh një proces normalizimi të raporteve me Serbinë, duke zgjidhur të gjitha çështjet kontestuese midis dy shteteve sovrane.

AAK e gatshme të bashkëpunojë

Nga ana tjetër, Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thekoi se subjekti i tyre është i gatshëm të jetë pjesë e grupeve negociuese në bisedimet me Serbinë.

“Aleanca nga fillimi ka kërkuar që ky proces të përfshijë gjithë spektrin politik, e sidomos Kuvendin e Kosovës, sepse besoj se një temë e tillë shtetërore, ka nevojë për ekspertizë më të madhe dhe njohje më të shumta rreth proceseve të tilla, sikurse po kalon tash Kosova me dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ne, jemi të gatshëm”, tha Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha po ashtu se AAK-ja nuk dëshiron që të jetë spektator i një procesi të tillë të rëndësishëm.

Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë sa me profesionale.

“Ne po kërkojmë që të ketë konsensus të gjerë politik në mënyre që kjo temë të trajtohet në mënyrë sa me profesionale, sepse një qasje jo e duhur ndaj këtij procesi mund t’i kushtojë Kosovës shumë”, u shpreh Ramadani.

Nga ana tjetër, subjekti politik Vetëvendosje, ka kritikuar dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se këto dy subjekte politike po e mbështesin kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës në dialogun politik me Serbinë, pavarësisht faktit që ky dialog, sipas tyre, po zhvillohet në dëm të interesave të Kosovës.(express)