Fundamenti

Kërkohet bashkimi me Luginën, por Kosova nuk ndau asnjëherë projekt madhor për të

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në mungesë të kushteve ekonomike dhe për shkak të presionit serb, shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës janë detyruar ta braktisin vendin e tyre.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi me ngulm po kërkon që Lugina e Preshevës, Bujanoci e Medvegja t’i bashkohen Kosovës. Mirëpo, deri vonë shteti i Kosovës nuk kishte marrë ndonjë iniciativë që të investonte në këtë pjesë të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare.

Përkundër kësaj, Serbia vazhdimisht investon në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Madje sot, Kuvendi i Serbisë ka bërë zbatimin e disa projekteve me të cilat do të investohet pothuajse në të gjitha mjediset e banuara me serbë.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka bërë të ditur për lajmi.net se këtë vit kanë aplikuar me një projekt në Qeverinë e Kosovës dhe se është marrë parasysh nga kjo e fundit.

“Ne këtë vit kemi aplikuar profesionalisht me një projekt konkret në Qeverinë e Kosovës. Dhe ky projekt është marrë parasysh nga Qeveria. 112 mijë euro parashihen të ndahen për ndërtimin e parkut të qytetit, i cili ka me qenë parku i parë në komunën e Preshevës”, ka thënë Arifi.

Ai ka theksuar se investimet e Qeverisë së Kosovës janë ende të mangëta, por ka shtuar se janë ende në fillim dhe zhvillim.

Eco Higjiena

“Ka qenë një problem që më herët nuk janë dërguar projektet me propozime konkrete, tash ne jemi më pragmatik dhe dërgojmë propozime të njëpasnjëshme aty”, ka deklaruar i pari i Preshevës.

Ndërsa, në Qeverinë e Kosovës thonë se janë duke u munduar t’iu ofrojnë mbështetje projekteve të cilat vijnë si kërkesë nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

“Varësisht nga projektet konkrete të cilat kanë ardhur si kërkesë në Zyrën e Kryeministrit nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Qeveria e Kosovës është munduar të ofrojë mbështetjen e saj”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Sipas saj, në këtë qeverisje janë mbështetur dy projekte.

“Nëse ka kërkesa të tjera Qeveria e Kosovës do t’i shqyrtojë ato për t’i ofruar mbështetje financiare. Sigurisht që Qeveria është e gatshme të ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Gashi.

Theksojmë se përfaqësuesit e Luginës vazhdimisht janë ankuar se Qeveria e Serbisë po i neglizhon investimet në zonat e banuara me shumicë shqiptare. /Lajmi.net/