RCCOLA

Kërkesat, pagat, kontributet, atdhetarizmi…

/ 5 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Sot njeriu lexon gjithçka, dëgjon gjithçka… Tani është aktual ligji për pagat, ndarja e kulaçit të përbashkët. Prejse Kosova u bë shtet kulaçi u nda në mënyrën më të padrejtë të mundshme sepse Zoti i shtëpisë më së shumti ndau për vete e pastaj disa anëtarë të familjes i favorizoi e disa të tjerë i diskriminoi, pa e respektuar asnjë kriter.

Në Kosovë nuk ka pagë të njëjtë për punë të njëjtë, por disa sektorë e pozita favorizohen e disa të tjera nëpërkëmben, madje shpesh ndodhë të paguhen më së shumti ata që ose nuk punojnë fare ose e punojnë të kundërtën e asaj që do të duhej ta punonin.

Deri tani secili sektorë e konsideronte veten më të rëndësishmin prej të gjithë të tjerëve, duke u përpjekur për ta ngritur vlerën e vet dhe duke i nënvlerësuar sektorët tjerë, edhe pse dihet që secili nga sektorët e kanë rëndësinë e vet për të funksionuar një shoqëri që veten e konsideron shtet.

Nga ana tjetër për aq sa funksionojnë të gjithë sektorët, të gjitha institucionet, ndërmarrjet publike (shumica e të cilave punojnë me humbje dhe subvencionohen nga buxheti i Kosovës për t`i rehatuar e mbipaguar militantët partiakë), marrë guximin të them se edhe këto paga që i marrim mund t`i kemi haram. Kjo sepse nuk kemi arrit ta ndërtojmë një shtet të mirëfilltë demokratik, një shtet ku ka mirëqenie sociale, ku ka prodhim por e kemi ndërtuar një gjysmështet i cili jeton nga reminitencat, gjegjësisht nga doganat, gjysmështet nga i cli njerëzit e veçmas të rinjtë ikin për çdo ditë.

Uji Dea

Fakti që të punësuarit në një institucion, kompani publike, agjenci… marrin paga të larta nuk do të thotë se aty punohet më shumë ose më mirë, përkundrazi bindja ime është se mu në ato institucione, kompani, agjenci… në të cilat pagat janë të larta ose shumë të larta (mbipaga) punohet më së paku dhe më së keqi! Sa më të larta pagat aq më keq puna! Kjo nuk ngjan askund përveçse tek ne, në Kosovën tonë të cilën për ditë rrejmë se e duam!
Sot njeriu lexon gjithçka, dëgjon gjithçka… Po e zëmë unë kurrsesi ta di çka është RTK dhe të punësuarit në të. RTK po thotë ne nuk jemi kompani publike, nuk jemi…

Të punësuarit në këtë institucion (nuk po di si ta quaj) po kërkojnë të mos rregullohen pagat e tyre me Ligjin mbi Pagat sepse ata ndoshta janë jashtëtokësorë, por që duhet të paguhen nga ne të tjerët (nga buxheti ose…) dhe askush të mos i kontrollojë si i harxhojnë mjetet, çfarë pagash marrin, çfarë produktesh prodhojnë. Unë për vete qeshë gëzuar kur u krijua RTK 2 me program në gjuhën serbe, sepse mendoja që tani e tutje RTK1 do të jepte program vetëm në gjuhën shqipe, por jo nuk më doli ashtu. Tani programin e dytë të RTK-së sa herë e lëshoj e shoh se jep programe vetëm në gjuhë serbe. Shpesh edhe programi i parë po ashtu jep emisione dhe lajme edhe në gjuhën serbe! Hajde Kosovë hajde programi dytë serbisht, programi i parë serbisht, po shqip?!

Po kthehem edhe njëherë te kërkesat për rritjen e pagave (koeficienteve). Tani përveç kërkesave që të favorizohen sektorë të caktuar kanë dalë në sipërfaqe edhe kërkesat që në kuadër të të njëjtit sektor të bëhen dallime e favorizime. Shërbyesit civil të Komunës së Prishtinës po kërkojnë që të paguhen më shumë se shërbyesit civil të komunave të tjera dhe të ministrive. Kërkesat njëherë u arsyetuan se ata punojnë në një komunë që është kryeqytet e pastaj se ata paskan më shumë punë! Sigurisht që komuna e Prishtinës ka më shumë punë administrative dhe të tjera se komunat e tjera, porse ajo ka edhe të punësuar shumë më shumë se që kanë komunat tjera.

Kërkesat për rritjen e pagave, të pensioneve, për marrjen e pensioneve… më së shpeshti po arsyetohen me kontributin e madh dhe shumë të madh atdhetar që e paska dhënë secili për shtetin dhe popullin. Po qese i analizojmë më thellë këto kërkesa e shohim se ato e dëshmojnë pikërisht të kundërtën e asaj që deklarojnë formuluesit e tyre. Pra e dëshmojnë mungesën e kontributit dhe të atdhetarizmit.