Kërcënojnë mësimdhënësit e shkollës së mesme “Marin Barleti”

Gjilan – Rreth 75 mësimdhënës të shkollës së mesme “Marin Barleti” në Gjilan i kanë shkruar MASHT, Lutfi Hazirit dhe Nazmi Musës një kërkesë ku kanë shprehur shqetësimet e tyre për shuarjen e klasave të 13-ta, ku gjysma e mësimdhënësve të kësaj shkolle pritet të mbeten pa orë. Mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë kërcënuar me grevë dhe ndërprerje të mësimit nëse nuk respektohen kërkesat e tyre.
Shuarja e klasave të trembëdhjeta dhe zvogëlimi i paraleleve në nivel Kosove e në veçanti në shkollën e mesme ekonomike “Marin Barleti” ka detyruar Këshillin e Arsimtarëve të kësaj shkolle që t`i drejtohen MASHT, Lutfi Hazirit dhe Nazmi Musës si drejtor i arsimit në Gjilan që të marrin parasysh kërkesat e këtij kolektivi i cili nga shtatori i këtij viti rrezikon të humbë numrin e orëve, duke rënë në 50% dhe gjysma e mësimdhënësve rrezikohen të mbesin pa orë. “Duke pasur parasysh këto shqetësime dhe gjendjen reale të shumë mësimdhënësve ne kolektivi i shkollës në mënyrë unanime kemi vendosur dhe kërkojmë nga organet kompetente arsimore që në SHME “Marin Barleti” të mos zvogëlohet numri i paraleleve, që numri i nxënësve në paralele të jetë nga 20 deri 25, sipas kontratës kolektive dhe që asnjë nxënësi të mos i mohohet zgjedhja e drejtimit” thuhet në kërkesën zyrtare që kjo shkollë ia ka dërguar organeve arsimore, raporton rajonipress.
Gjithashtu të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle thuhet në kërkesë unanimisht kanë vendosur që në rast të mos zbatimit të kërkesave ata do të marrin hapa konkret duke filluar me ndërprerjen e mësimit për një orë mësimore, mos përmbushja e detyrave administrative në shkollë, dhe greva e paraparë sipas kontratës kolektive thuhet në kërkesën e nënshkruar nga 75 mësimdhënës të kësaj shkolle./rajonipress/