Kërcënojnë me bllokim të punimeve, nëse nuk u zgjidhet problemi
Gjilan – Rreth 23 shtëpi në rrugën “Bajram Llovca 1” kanë kërcënuar organet komunale me bllokim të punimeve në parkun Arbëria nëse atyre nuk u bëhet zgjidhja e rrugës në një dalje më të afërt.
Mbi 23 shtëpi në rrugën “Bajram Llovca 1” i kanë shkruar një peticion organeve komunale ku kanë kërkuar prej tyre që të respektohet propozimi i tyre rreth daljes në rrugën më të afërt për këto shtëpi , duke mos u pajtuar me zgjidhjen që parashihet sipas projektit, meqë atyre ua zhvendos daljen në rrugën kryesore për 500 metra.
Islam Shkodra përfaqësues i këtyre banorëve tha për rajonipress se para se të punohej parku në “Arbëria” ata rrugën kryesore e kanë pasur vetëm 30 metra afër, kurse tani me projektin e ri ne duhet të sillemi hiq më pak se 500 metra për tu kyçur në rrugën kryesore.
Shkodra tha se këto 23 shtëpi kanë mbetur keq dhe janë detyruar që t`i shkruajnë të gjitha organeve komunale për ta kërkuar një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.”Ne nuk jemi kundër ndërtimit të parkut sepse po punohet mirë dhe po i jep një pamje të mrekullueshme lagjes, por jemi kundër devijimit të rrugës” tha Shkodra.
Shkodra tha se nëse organet komunale nuk bëjnë një zgjidhje të pranueshme për këto 23 shtëpi, atëherë ne jemi të detyruar që t`i bllokojmë punimet. Sipas Shkodrës me projektin e ri edhe pse janë bërë mijëra euro investime sërish për këta banorë nuk është zgjidhur problemi i gypave atmosferik. “Sa herë që bie shi shtëpitë tona vërshohen nga uji dhe ujërat e zeza dhe nuk është korrekte që për pak buxhet të mos zgjidhet ky problem njëherë e përgjithmonë” tha Shkodra./rajonipress/