Kërcënoi Kosovën nga Tirana, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Macron gaboi

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Vizita e presidenti francez në Tiranë, për ambasadorin Agim Nesho ishte historike, por ai thekson se Macron gaboi në dy aspekte.

Në A2 CNN ai tha se kreu i Elizesë minimizoi samitin e Berlinit dhe ka një plan për Europën ndryshe nga Gjermania, sa i takon zgjerimit.

“Gaboi në dy aspekte, minimizoi samitin e Berlinit që u zhvillua dy ditë më parë në Tiranë duke hedhur alternativën që komuniteti politik i vendeve të Evropës është ecuria më e mirë. Kjo tregon që Macron nuk është nga ata optimistët si janë gjermanët që zgjerimi i BE mund të bëhet edhe nga vende të tilla që nuk meritojnë standarde të meritokracisë, që janë vënë prej kohësh në Evropë”.

“Ka një plan të tij e ka nisur vite më përpara duke thirrur udhëheqësit botërorë për të biseduar. Është për autonomi evropiane, për mbrojtje të veçantë të Evropës, për vizionin e ri për Evropën. Njihet për politikat e tij të afërsisë me Moskën për të patur komuniteti perëndimor një vizion ndryshe për të qasur dhe ulur në bisedime pavarësisht se quhet fuqi revizioniste që ka sulmuar një vend sovran dhe të pavarur. Ai ka elegancën e mendimeve”.

Nesho thekson se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë realiste, duke reflektuar të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur.

Eco Higjiena

“Serbia është një element i rëndësishëm. Ai ka një zgjidhje kompromisi por ajo që gabon Macron, duke dalë në pikën e dytë të gabimit të tij është që pas 24 shtatorit raportet kanë ndryshuar. Ai duhet ta dijë që para se të arrihet marrëveshje, marrëveshja duhet të jetë realiste dhe të reflektojë të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur dhe Macron është i vonuar, ose peng i lobizmit që i ofrohet nga vendet ballkanike, sikurse mund të jetë Rama”.

Referuar kërcënimit për pezullim të vizave me Kosovën, Nesho thotë se: “Pozicioni i Francës ka një peshë të jashtëzakonshme, por liberalizmi nuk varet nga vullneti i liderëve të caktuar. Liberalizimi i vizave për Kosovën është dakordësuar nga PE dhe është diçka e vendosur, por fjala e tij përbën një peshë të jashtëzakonshme dhe vendet e vogla duhet t’i marrin parasysh”.

Ai akuzon Ramën se së bashku me presidentin serb duan të mbajnë politikën që kanë gatuar në Ballkan.

“Rama me Vuçiqi duan të mbeten në një vijë për atë politikë që kanë gatuar në Ballkan që nga ndarja kufijve dhe Ballkani i hapur. Rama kërkon do të marrë pozicionin e negociatorit, Vuçiqi kërkon kohë, ai është i pavendosur sot bëri marrëveshje me Kinën”.

“Ky është faji i dytë se ka bërë edhe marrëveshje me Euroazinë. Ai nuk e ka mendjen të futet në Evropë dhe këto janë përpjekje irealiste që dhe udhëheqësit evropianë besojnë akoma që plani i propozuar nga Vuçiq dhe i përkrahur nga Rama për ta mbajtur si element në perëndim sot ka marrë fund”.