Kërcënohet edhe Edita Tahiri

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri është kërcënuar nga një person nga komuna e Dragashit, i cili është vete dorëzuar në stacionin policor në Dragash. I njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit në Prishtinë.
Kërcënimi ndaj Tahirit është bërë përmes mesazheve që janë dërguar në celularin e saj.
Burime të KosovaPress kanë shpjeguar se zëvendëskryeministrja është kërcënuar për shkak të bisedimeve që po mbahen në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo është kërcënuar dhe ofenduar përmes sms që i janë dërguar në numrin e saj të telefonit”, ka thënë ky burimi i Kosovapress.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri aktualisht ndodhet në Bruksel, megjithatë, kërcnimin e Tahirit e ka konfirmuar këshilltari i saj politikë Gazmir Raci.
Ai ka thënë për Kosovapress se javën e kaluar ai bashkë me Tahirin janë kërcënuar nga i njëjti persona.
Raci: E vërtetë që u kërcënuam
“Po është e vërtetë që në javën e kaluar kemi pranuar disa sms kërcënues ndaj zëvendëskryeministres, zonjës Tahiri, si dhe në ndaj meje si këshilltar politikë i saj”, ka thënë ai.
Raci nuk ka dashur të lëshohet në komente se çfarë ka të shkruar në ata sms kërcënues duke thënë se për këtë kanë njoftuar organet e rendit të cilët sipas tij janë duke u marrë me rastin.
Ky këshilltar politikë ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Edita Tahiri kërcënohet nga personi i njëjti.
Ai ka thënë se edhe para dy ose tri vitesh në numrin e telefonit të Tahirit ka pasur mesazhe kërcënues nga i njëjti person.
Ky është kërcënimi i dytë
“Po është hera e dytë këto vitet e fundit që kemi pranuar mesazhe kërcënuese nga i njëjti person”, thotë ai.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë dashur të deklarohen për këtë rast duke shpjeguar se gjithçka çfarë mund të thonë është në raportin njëzet e katër orësh të datës së premte të javës së kaluar.
E në raport thuhet se të premten rreth orës 15:00 ankuesi mashkull shqiptar ka raportuar se në telefon ka pranuar një mesazh nga i dyshuari mashkull me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese.
“Rreth orës 21:48 i dyshuari është vetë dorëzuar në stacionin policor në Dragash, i cili është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit në Prishtinë”, thuhet në raportin e Policisë.