Fundamenti

Kërcënimi për njohjen e Kosovës, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut “godasin” Serbinë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës”. Këto ishin deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviq, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.

Ndaj këtyre pretendimeve të zyrtarit të lartë të qeverisë së Serbisë kanë reaguar ashpër Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç e konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) sikurse tha ai, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.

Ai tha se legjilatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit. Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, Andrija Nikoliç tha se zoti Vuçeviç po i bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit.

I ashpër ndaj këtyre deklaratave u tregua një ditë më pas edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Nuk do të lejojmë askënd që të na tërheq pas në të shkuarën…” Është ky reagimi i kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të bëra nga ministri serb i Mbrojtjes rreth sigurisë së shteteve të rajonit. Në një postim në platformën “X”, kreu i qeverisë shprehet se kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Në reagimin e tij, Rama kujton se Shqipëria, RMV dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. “Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, ka shkruar Rama në platformën X.

Uji Dea

Deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Rama: Kërcënime të rrezikshme e të papranueshme

Ndërsa nuk ka munguar edhe reagimi i Maqedonisë së Veriut. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se refuzojnë kërcënimet e Serbisë me hakmarrje ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi pasi që e kanë njohur Kosovën.

Osmani ka shkruar në rrjete sociale se presin sqarime nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke theksuar se “kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit”. “Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Serbinë, Sonja Biserko tha për mediat malazeze se “nuk duhet nënvlerësuar mundësia që Serbia mund të bëjë diçka qo do të rezultonte në një destabilizim të mëtejshëm të rajoninit”.

Ajo tha se “letra e 60 zyrtarëve evropianë dhe anëtarëve të Senatit amerikan mbi nevojën e ndryshimit të politikës ndaj regjimit në Beograd, si dhe shkrimet shumë kritike në mediat perëndimore, tregojnë se Vuçiç është nën një trysni të madhe”.

Për zonjën Biserko, Kremlini nga ana tjetër po përforcon retorikën ndaj rajonit, ndaj sipas saj nuk duhet lënë jashtë vëmendjes propaganda ruse ndaj opinionit publik serb, që beson se Rusia po fiton (në Ukrainë) dhe se Serbia duhet të mbeshtet tek Moska./Telegrafi/