UBT

Kërcënimet e krizës!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

​Nga Burim Ramadani – Si pasojë e udhëheqjes së vet, tash shteti i Kosovës përballet edhe më kërcënimin ndaj demokracisë, edhe më kërcënimet e tipit të të çmendurve të ISIS-it (që i kemi krijuar vet), edhe me kërcënimin e ndikimit direkt nga Serbia, edhe me kërcënimin e korrupsionit si mënyrë e jetesës, edhe me këcënimin e drogave dhe prostitucionit.

Stabiliteti jo gjithherë është mirëmbajtur duke mos vepruar. E në rastin e Kosovës, mosveprimi është bërë normë e sjelljes institucionale. Mungon funksionimi i mirëfilltë i sistemit juridik dhe politik në Kosovë, që ka degraduar liritë civile dhe të drejtat themelore të njeriut.

Si pasojë, tash shteti i Kosovës përballet edhe më kërcënimin ndaj demokracisë, edhe më kërcënimet e tipit të të çmendurve të ISIS-it (që i kemi krijuar vet), edhe me kërcënimin e ndikimit direkt nga Serbia, edhe me kërcënimin e korrupsionit si mënyrës e jetesës, edhe me këcënimin e drogave dhe prostitucionit.

Asnjëherë, pothuajse, deri më tash nuk është qartësuar se për çka realisht qëndron Kosova! T’i heqim aspektet deklarative, sepse për deklarata mund edhe të konkurrojmë me secilin vend demokratik në botë. Por, gjithçka tjetër ka munguar. Për më keq, gjithçka tjetër është lehtësuar dhe ndihmuar nga skena politike institucionale.

Është lehtësuar dhe ndihmuar logjika autoritare e menaxhimit dhe qeverisjes. Edhe në nivel qendror, edhe në nivel lokal. Edhe në institucione të pavarura, por edhe në parti politike. Jemi që të gjithë dëshmitarë të këtij mentaliteti udhëheqës institucional që ekziston në Kosovë për vite të tëra.

Është lehtësuar dhe ndihmuar, fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes dhe ekstremizmi i dhunshëm që çon në terrorizëm. Shoqëria kosovare ka prodhuar terroristë që bëjnë tmerrin në shtetet e Lindjes së Mesme. Shteti ka lehtësuar dhe ndihmuar tru-shpërlarjen e organizuar nga rrethe dhe lëvizje të ndryshme ekstremiste, të bazuara në interpretime fetare. Për më keq, edhe më tutje Kosova nuk po harton një qasje kombëtare gjithëpërfshirëse për të parandaluar, de-radikualizuar dhe ri-integruar ekstremistët apo të radikalizuarit. E të mos flasim për programe të veçanta rehabilitimi. Janë demonizuar secili që ka ngirtur zërin kundër këtyre rrymave ekstremiste dhe është flirtuar me ta nga të pushtetshmit e Kosovës.

FIDANISHTJA

Është lehtësuar dhe ndihmuar ndërhyrja e vazhdueshme e politikave territoriale të qarqeve të caktuara millosheviqiane nga Serbia në Kosovë. Duke i pranuar vazhdimisht ambiciet politike të Serbisë, ndikimi dhe fuqia në vendimmarrje në nivel qendror dhe lokal për Serbinë brenda Kosovës është e dukshme.

Është lehtësuar dhe ndihmuar korrupsioni. Fatkeqësisht, korrupsioni është kthyer gati në një ‘mënyrë jetese’ në Kosovën e pasluftës dhe sidomos të viteve të fundit. Të ndershmit dhe të pakorruptuarit jo rrallë cilësohen si të “paaftë”, “të pazotë”, “budallenj”. Ky është realiteti i krijuar në këtë shtet tonin, sepse të korruptuarit nuk po marrin dënim. Përkundrazi, po forcohen edhe në aspektin ekonomik, por edhe në ndikimin e tyre në vendimmarrje, në punësime e tenderë.

Është lehtësuar dhe ndihmuar fuqizimi i trafiqeve rajonale të narkotikëve dhe të qenieve njerëzore. Kosova paraqet një prej hallkave kryesore të rrjetit rajonal të shpërndarjes së drogës, që kalon nga Turqia, përmes Greqisë e Maqedonisë në Kosovë, e më pas bosët e këtushëm kujdesen fuqishëm të shpërndajnë drogat përmes Serbisë deri në Çeki, ku llogaritet të jetë njëra prej qendrave kryesore të bosëve ballkanikë të drogës.

Të gjithë këto, bashkë me shumë elemente tjera, kanë ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e demokratizimit të shoqërisë dhe, rrjedhimisht, shtetit të Kosovës. Është bllokuar mundësia e iniciativës së lirë, duke bllokuar kështu edhe mundësitë për zhvillim dhe prosperim.

E tash, shteti i Kosovës përballet me krizën e shkaktuar nga udhëheqja e vet. Kriza e vërtetë nuk ka dalë në sipërfaqe ende. Deri më tash, po shohim shumë simptome të saj. Simptome këto që po shtohen dita-ditës.