RCCOLA

Kërcënime nga veriu

/ 6 minuta lexim

Formimi i qeverisë së re serbe më në krye socialistin Ivica Daçiq dhe deklaratat e këtij të fundit se do të angazhohet për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, kërcënojnë situatën e sigurisë në Kosovë edhe ashtu e cilësuar si e brishtë.

Por, jo vetëm kaq. Kërcenimi më i madh, siç konsiderojnë njohësit e sigurisë në vend, vjen nga xhandarmëria serbe e cila të premten në kremtimin e 152-vjetorit të themelimit, komandanti i saj ka ndryshuar tekstin e betimit duke e vënë si prioritet të tyre çështjen e Kosovës.

Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë shfaq mendimin se Kosovës rreziku i drejtpërdrejtë i vjen pikërisht nga formacioni i xhandarmërisë, për shkak se, sipas tij, në këtë formacion të armatosur hyjnë ish-beretat e kuqe që kanë qenë në Kosovë dhe në përgjithësi në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Pjesëtarët e xhandarmërisë, sipas tij, janë të vendosur në një numër të madh në kufirin me Kosovën derisa në shtetet tjera përreth Serbisë janë të vendosura vetëm njësitë e policisë kufitare.

“Në këtë strukturë të rrezikshme janë kryesisht persona që gravitojnë kah jugu i Serbisë dhe si të tillë kanë një lloj emocioni ndaj Kosovës. Nuk mendoj se xhandarmëria përbën kërcënim në kuptimin e ndonjë sulmi fizik ndaj Kosovës, por vetë prania e tyre në afërsi të kufirit paraqet destabilizim të situatës”, thotë Qehaja.

Xhandarmëria kërcënon banorët e kufirit

Ai me këtë rast kujton arrestimin e dy policëve të Kosovës në afërsi të pikës kufitare pikërisht nga ana e xhandarmërisë. Në këtë aspekt, Qehaja e vlerëson si të rrezikshëm betimin e pjesëtarëve të kësaj strukture, të cilët mund të krijojnë frikën te banorët e afërt me kufirin.

Për të mos pasur ndonjë efekt këto kërcenime serioze që së fundi kanë ardhur nga Serbia, ai sugjeron që Kosova duhet të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për t’ia kushtëzuar Serbisë dialogun me BE-në me heqjen dorë njëherë e përgjithmonë nga Kosova.

Por politikologu Leon Malazogu vlerëson në anën tjetër se Kosova nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme karshi BE-së për shkak të keqqeverisjes dhe telasheve të tjera në vend, ani pse përkrahja e BE-së, sipas tij, do të neutralizonte kërcënimet që vijnë nga Serbia.

“Këto kërcënime nuk i vlerësoj shumë serioze në aspektin e sigurisë për shkak se në Kosovë ende është prania e trupave të NATO-s, por këto kërcënime janë të dizajnuara në mënyrë të tillë që të ngrihen tensionet dhe të nxisin serbët e veriut që të jenë më agresiv ndaj Kosovës”, vlerëson Malazogu, i cili drejton organizatën “D4D”.

Destabilizim pas këtyre deklaratave, sipas Malazogut, mund të ketë në veri të vendit që është kryesisht e banuar me popullatë serbe, por jo edhe në jugun e vendit.

Hidromorava

Daçiq, një iluzionist i madh

Kërcënimet nga ana e Beogradit karshi Kosovës janë shtuar në ditët e fundit kur Ivica Daçiq është mandatar për krijimin e qeverisë. Daqiq, ish-zëdhënësi i Millosheviqit në SPS, vazhdon me politikën që dikur e ka drejtuar shefi i tij.

Xhandarmëria serbe e cila tashmë ka ndërruar tekstin e betimit, vepron nën ombrellën e Daçiqit. Ai ka paralajmëruar se brenda pesëmbëdhjetë ditësh do të formojë qeverinë e re.

Me të marrë “izën” për të mandatuar qeverinë, ai ka përmendur Kosovën dhe se do të punojë për të rikthyer forcat serbe të policisë në Kosovë. Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë të shtunën për Radion Evropa e Lirë se kjo mund të jetë vetëm fontanë dëshirash dhe iluzion i homologut të tij serb.

Ndonëse Rexhepi nuk i merr seriozisht këto kërcënime, njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi, vlerëson se paralajmërimet e tilla janë kërcenim i drejtpërdrejtë për institucionet e vendit.

“Këtë duhet kuptuar si një kërcënim direkt. Kjo mendoj që është një deklaratë se Daçiq si një mandatar për formimin e qeverisë se re në Serbi, të ushqejë atë nacionalizimin dhe optimizmin serb. Kjo, po ashtu, bëhet në mënyrë që të paralajmërojë një opinion të ri për një qeveri ultra-radikale çfarë është aktualisht në Serbi, që do të mbrojë Kosovën me çdo kusht”, ka theksuar Ibishi.

Se pozicionet e Serbisë ndaj Kosovës po ashpërsohen që nga mandatimi i Ivica Daçiqit për kryeministër të vendit ka paralajmëruar edhe Johanna Deimel nga Fondacioni i Evropës Juglindore në një intervistë për radion gjermane “Deutche welle”.

“Kryeministri i ri Daçiq sikur edhe presidenti Nikoliq angazhohen për ndarjen e Kosovës – gjë që është kundërshtuar nga BE, SHBA dhe vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka vlerësuar ajo duke shtuar se emërimi i Daçiqit në krye të qeverisë serbe, nuk sjell asgjë të mirë për rajonin.

Betimi i xhandarmërisë

Xhandarmëria serbe ka një betim të ri të cilin ua ka prezantuar “kadetëve” komandanti i saj Bratisllav Dikiç. “Pa Kosovën nuk ekziston as populli im serb, Pa Kosovën nuk ekziston Serbia ime, Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë…Popull serb, vëllezër e motra, Betohem para Zotit, Do të fitoj me nder apo do të vdes, Për nderin tim, Për origjinën time, Për familjen time, Për Serbinë time”, ky ishte betimi që Dikiq ia lexoi xhandarmërisë.

Kjo strukturë ushtarako-policore, sipas mediave serbe, ka mbi 3 000 pjesëtarë, ndërsa rreth 600 i takojnë njësisë speciale. Xhandarmërinë, ndërkaq e përbejnë kryesisht ish-luftëtarë të njësive speciale që kanë marrë pjesë në luftën e Kroacisë, Bosnjës e Kosovës. Ata kanë qenë të përfshirë nëpër strukturat e armatosura paraushtarake të njohura si “Beretat e Kuqe” “Frenkista”, ”Tigrat e Arkanit”…etj.