Hidromorava

Keqpërdorimi i taksës për interesa personale të pushtetarëve

/ 17 minuta lexim

Deklarimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, ditë më parë rreth çështjes së taksës, kur tha se taksën e mban edhe për vota, ka hasur në kritika të ashpra edhe te analistët politikë, por edhe te qytetarët, pavarësisht simpatisë dhe përkrahjes që në fillim kishte fituar ky vendim i tij konsistent dhe i palëkundur ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ata tërheqin vërejtjen se Haradinaj nuk duhet dhe nuk ka mandat që me veprimet e tij për interesa personale e partiake – elektorale, të rrezikon edhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Badallaj: Merreni me mend, për arsye të votave të armiqësohemi me mikun tonë të përhershëm – Amerikën

“Mendoj se është pak më tepër se skandaloze deklarata e Haradinajt, kur tha se taksën e mban edhe për vota! Kjo të kujton ardhjen e tij në pushtet me kauzën e Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën gjersa ishte në pushtet ishte i gatshëm të rrënojë çdo gjë në emër të mbrojtjes së territorit, ndërsa me të marrë pushtetin i gëlltiti të gjitha, bashkë me to edhe ‘hartat’ e Murat Mehës.

Edhe pas aplikimit të taksës 100 % ndaj Serbisë, mallrat serbe janë prezente kudo në supermarketet dhe tregjet e Kosovës. Vetëm sa janë rritur evazioni fiskal dhe informaliteti. Si produkt i taksës kemi përkeqësim të raporteve të Kosovës me SHBA-në, partnerin tonë strategjik, nga i cili varet e ardhmja e shtetit tonë nesër. Në anën tjetër, Hashim Thaçi po i keqpërdor raportet me SHBA-në, duke e shitur ‘marrëveshjen me Serbinë’, si diçka që populli po e kërkon, e realisht krejt këtë pazar po e bën për qëllime e interesa personale”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Deklarimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, ditë më parë rreth çështjes së taksës, kur tha se taksën e mban edhe për vota, ka hasur në kritika të ashpra edhe te analistët politikë, por edhe te qytetarët, pavarësisht simpatisë dhe përkrahjes që në fillim kishte fituar ky vendim i tij konsistent dhe i palëkundur ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ata tërheqin vërejtjen se Haradinaj nuk duhet dhe nuk ka mandat që me veprimet e tij për interesa personale e partiake – elektorale, të rrezikon edhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Por në anën tjetër, edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i keqpërdori raportet me SHBA-në duke e shitur “marrëveshjen me Serbine”, si diçka që populli po e kërkon, e realisht krejt këtë pazar po e bën për qëllime e interesa personalë, për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale.

Analistët thonë se kjo klasë politike e shkatërroi shtetin, të cilët,përveç inkriminimit në krim të organizuar, të cilin e dinë dhe e bëjnë shkëlqyeshëm, nuk e kanë idenë, e as nuk e dinë dhe as nuk e duan ABC-në e shtetit demokratik e ligjor dhe kemi të bëjmë me analfabetë tipikë, siç e quajti deputeti Ilir Deda presidentin e shtetit, Hashim Thaçin. Sipas tyre, edhe pas ditëlindjes së 11-të, Kosova mbetet shtet i krimit të organizuar dhe nëntokës e mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, të instaluar, pa arsim dhe me gjysmë-analfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, e pa shumëçka tjetër.

Salihaj: Taksa po keqpërdoret edhe nga Thaçi, edhe nga Haradinaj!

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha për “Kosova Sot” se taksa është bërë objekt shfrytëzimi për qëllime të tjera dhe ka filluar ta humbë kuptimin për atë që u vendos.

“Taksa ishte një lloj balancimi, pra krijimi i një kundërpeshe ndaj dominimit të Serbisë në raport me Kosovën. Në luftën e brendshme, ajo po përdoret nga dy palë me qëndrime të kundërta: nga PDK-ja dhe Thaçi bashkë, duke kërkuar heqjen e saj, sepse po kërkon SHBA-ja, por edhe Serbia njëkohësisht dhe, në anën tjetër, nga Ramush Haradinaj, i cili tashmë ka filluar të pohojë se taksa i nevojitet edhe për vota në zgjedhje, të cilat mund të mbahen së shpejti”, u shpreh ai.“Në gjithë këtë situatë, interesat e Kosovës përmenden vetëm sa për kamuflim, ose nuk përmenden fare. Kjo klasë politike, e cila për fat të keq po e sundon Kosovën, ka krijuar anarki politike dhe ligjore, sepse me kushtetutë dhe ligj është ajo vetë dhe interesat e saj.

Rregullat e saja kushtetuese dhe ligjore janë vetëm interesat e tyre klanore e partiake, kurse interesat e Kosovës dhe territori i saj janë për t’u shitur. Kjo situatë dhe ky mentalitet ka krijuar zhgënjim të madh te qytetarët e Kosovës, të cilët tashmë mendojnë vetëm si të ikin nga Kosova dhe nuk shohin ardhmëri jete këtu”, potencoi Salihaj për “Kosova Sot”.

Truku i Qeverisë

Analisti politik Florim Zeqa thotë se të gjithë iu gëzuam taksës (së vonuar) qeveritare prej 10 %, i pasuar në 100 % ndaj produkteve serbe, por se truku i “shkëlqyeshëm” i taksës për produktet serbe ishte për t’ju hedhur hi syve një pjesë të konsiderueshme të popullatës shqiptare që vërbërisht u besojnë akoma liderëve të korruptuar në ballë të institucioneve më të larta të shtetit, se kinse po bëhet diçka për të mirën e popullit. “Nuk ka si të jetë ndryshe, kur brenda natës aktualizohet një çështje e cila është prezente që nga paslufta, por që është heshtur qëllimshëm nga po këta liderë shtetërorë.

Mallrat serbe në Kosovë nuk është që kanë hyrë nga dje në Kosovë, por që 19 vjet rresht. Nuk është që mallrat serbe e kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga dje, por që 19 vjet rresht, nuk është që nga dje janë ngufatur prodhimet vendore nga importet serbe, por që 19 vite rresht”, u shpreh ai. “Në anën tjetër Hashim Thaçi po i keqpërdor raportet me SHBA-në duke e shitur “marrëveshjen me Serbinë”, si diçka që populli po e kërkon, e realisht krejt këtë pazar po e bën për qëllime e interesa personale”, vijoi më tej Zeqa.

“Shtetin e Kosovës e shkatërruan kjo klasë politike me këta liderë të papërgjegjshëm, të cilët përveç implikimit në afera korruptive e kriminale, që e bëjnë me zell e krenari, nuk e kanë idenë e as nuk e dinë dhe as nuk e duan as ABC-në e shtetit demokratik e ligjor, për atë arsye kemi të bëjmë me analfabetë të politik bërjes dhe qeverisjes së shtetit. Kosova, edhe pas ditëlindjes së 11-të të saj, vazhdon të mbetet shtet i korrupsionit, krimit të organizuar dhe nëntokës së mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar të instaluar në të gjitha institucionet, pa arsim dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e më shumë të sëmurë,…e dita-ditës edhe me zvogëlim të popullatës shumicë shqiptare në këtë vend shkaku i ikjes drejt vendeve europerëndimore si pasojë e thyerjes së shpresave për jetë dinjitoze në Kosovë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Badallaj: Bandat mafioze

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, është e ditur që ky njeri lakmitar për pushtet e për para është në gjendje të bëjë çdo gjë, por tashmë i mbështetur për muri dhe i bërë horë para popullit dhe veç se hoqi maskën dhe nxjerri fytyrën e tij të vërtetë që interesat e tija personale i ka vërë mbi interesat shtetërore.“Dhe, merreni me mend për arsye të votave të armiqësohemi me shtetin më të fuqishëm në botë dhe mikun tonë të përhershëm që e gëzojmë lirinë – Amerikën.

Dhe, tashmë populli e ka të qartë edhe pse nuk hiqet taksa, në fakt taksa do të duhej të ishte qëmoti kundër shtetit fashist, Serbisë, mirëpo kur është fjala për miqësi me Amerikën këta duhet pasur shumë kujdes, se nuk shtyhet bjeshka me gjoks, e lëre më një bandë e Ramush Gjokos me Amerikën, që nuk bëhet fjalë. Po mori sërish sanksione Amerika kundër Kosovës, a e dini ne se nuk mund të jetojmë dy orë pa të… Pra, Haradinaj e Thaçi e kanë futur Kosovën në rrugë të pakrye, që do të thotë këto banda mafioze dhe aspak politike fatin e Kosovës e kanë hedhur në pazar për interesa kryekëput personale, për përfitime për trashjen e xhepave”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Fidanishtja

Aliu: Deklarim skandaloz

Sipas Hysni Aliut, kjo klasë politike, si pasojë e egoizmit të sëmurë dhe pseudo-patriotizmit, është mbështetur për muri.“Këta pseudo- fitimtarë të luftës u bënë shkatërrues të vërtetë të paqes dhe lirisë së njerëzve në Kosovë. Këta i gërryen dheun ndër këmbë secilit në Kosovë, duke harruar që i takojnë atij dheu. Me naivitetin e tyre politik dhe si rrjedhojë e të qenit i dhënë pas shfrytëzimit të parasë së popullit dhe duke ditur që shkelën ligjin me të dyja këmbët, këta filluan të rrënojnë edhe de-jure themelet e shtetit, e kjo ndodhi gjatë bisedimeve në Bruksel, kur nënshkruan me vetëdije të plotë Marrëveshjen për Asociacionin, e cila ishte shpëtimtare e karrigeve të tyre e dhunuese e mëtutjeshme e shtetit.

Tani të njëjtit njerëz paraqiten si shpëtimtarë, njëri duke thënë po e mbroj Evropën e tjetri Amerikën. Deklarimi i Haradinajt, se taksën e mban edhe për vota, është tepër skandaloz, kur dihet që përveç dobisë që ka sjellë kjo taksë, ka sjellë edhe dëme të pariparueshme në raportet me administratën aktuale amerikane. Ajo tregon nivelin intelektual, por edhe moral e etik të tij. E dhimbshme! Në anën tjetër, presidenti, i cili me politikën e tij gjoja paqësore e sjelli Kosovën në prag të shkatërrimit, po shikon nga anesh, pa e përmendur me asnjë fjalë sjelljen shkatërruese të Serbisë në raport me Kosovën”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.

Qarri: Keqpërdorimi i marrëdhënieve me SHBA-në

Analisti politik Gani Qarri mendon se nëse bisedimet me Serbinë u dashka patjetër të rifillojnë vetëm për ndryshimin e kufijve dhe që kuislingu Hashim Thaçi tradhtinë ndaj vendit ta çojë deri në fund, duke bërë ndarjen e Kosovës, atëherë është shumë më mirë që ato as të mos fillojnë fare dhe të pranojmë të gjitha sanksionet e mundshme, por të shpëtojmë shtetin tonë nga zhbërja. Në këtë plan, sipas Qarrit, duhet të bashkohen edhe pozita edhe opozita, por që fatkeqësisht nuk po arrijnë ta bëjnë.

“Të gjitha partitë, si në pozitë ashtu edhe ato në opozitë, luftën pro dhe kundër taksës, që nga vënia dhe hyrja e saj në fuqi, nuk e kanë bërë dhe as nuk e bëjnë, se kanë qenë ndonjëherë të njohura për ndershmëri dhe sinqeritet, por e bëjnë vetëm për vota dhe ngritjen gjegjësisht qëndrimin e tyre sa më gjatë në pushtet, duke e keqpërdor shtetin gjatë gjithë kohës për interesa personale, partiake dhe grupore. Për 20 vite me radhë komplet spektri politik vendor ka dëshmuar se nuk punon asnjëherë për të mirën e qytetarëve, as prosperitetin e Kosovës, por për marrjen me çdo kusht të pushtetit dhe udhëheq vendin për t’u pasuruar në mënyrat më jokonvencionale të mundshme, që edhe ata, siç thotë shprehja popullore, të cilët nata mund t’i ketë gjetur pa brekë, mëngjesi t’i zbardhë milionerë.

Ndaj edhe deklarata e Ramush Haradinajt, se vendimi për taksën ka implikime zgjedhore (e mban edhe për vota), para se të cilësohet si skandal, unë e shoh më tepër si sinqeritet, që në vendet me demokraci të zhvilluara praktikohet në përditshmëri, të cilin ky popull nuk e ka përjetuar deri më tani dhe duhet fillimisht të mësohet me të, si risi e mirëseardhur edhe në politikën vendore”, u shpreh ai.“Taksa nuk ka pse t’i rrezikojë raportet e Kosovës me SHBA-në, sepse edhe nuk është vënë për të dëmtuar interesat e SHBA-së, as për interesat personale të kryeministrit Haradinaj, por për mbrojtjen e sigurisë nacionale dhe shtetësisë së Kosovës, të cilën Hashim Thaçi ia ka ofruar Serbisë për përdorim jo si treg me një vend fqinj e të pavarur, por si treg të brendshëm të Serbisë, me “krahinën e vet jugore”, gjë që paragjykon drejtpërsëdrejti statusin e Kosovës, shkallë nga e cila Serbia sërish synon t’i rifillojë bisedimet, si me një pjesë të brendshme të saj, pa status të zgjidhur, ndaj dhe ka vënë kusht që ajo të hiqet.

“Sikur vërtet taksa të jetë për SHBA-në, pengesë në përmasa të atilla sa po mundohet të fryhet nga Thaçi e Kadri Veseli, ky shtet mik ka dëshmuar më se një herë se di dhe mundet që edhe me një zarf, të vërë gjendjen në binarë dhe përcaktojë si duhet rrjedhën e ngjarjeve, njëjtë si pak vite më parë, ashtu edhe tani. Problemi në realitet qëndron te keqpërdorimi i paskrupullt i raporteve me SHBA-në, nga kuislingu Hashim Thaçi, i cili për të shpëtuar nga Gjykata Speciale, po përpiqet pa fije turpi që “marrëveshjen me Serbinë”, për ndarjen e Kosovës, ta shesë si diçka që kinse populli po e kërkon, kur dihet publikisht se krejt këtë pazar ai po e bën për qëllime e interesa personale dhe shkurt e shqip për ta shpëtuar veten nga ndjekja e Gjykatës Speciale”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

Haziri: Taksa e vonuar

“Taksa nuk e përmbush parimin e duhur shtetëror. Ajo përpos që ka qenë e vonshme institucionalisht, megjithëse pak e frytshme, tashmë po përdoret si arsye për të shndërruar në kapital politik. Kjo konsideroj se përbën pandershmëri, jo çdo vendim shtetëror duhet të ketë edhe kapital politik, mbase vetë shteti ekziston duke zbatuar të drejtat, liritë dhe autonominë natyrisht, duke penguar edhe hegjemoninë nga kundërshtarët. Në perceptimin tim, deklarimi i Haradinajt zhbën vendimet e pastra ose të pandikuara.

Duke u shndërruar taksa në votë, minon çdo tendencë të tij për shtet ligjor, bile vazhdimi i tij në qeveri më shumë ka ngjyrim politik sesa ligjor. Ndërsa presidenti i vendit dukshëm po vërehet se në këmbim të lirisë po përpiqet ta falë një pjesë të territorit dhe për më keq një proces të tillë përpiqet të paraqesë me terme, si korrigjim të lehtë. Kjo logjikë tregon se vendi është futur në një situatë të rrezikshme, sidomos kur kësaj i shtohet edhe qëndrimi kategorik i kryeministrit rrethe taksës. Kosova kohët e fundit me qëndrimet e saja është duke e rrezikuar të tashmen dhe të ardhshmen, zbehja e raporteve me Amerikën krijon mundësinë e mëtejme të prezencës serbe e ruse”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Qytetarët kritikojnë kryeministrin

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta e kanë vlerësuar si të gabuar deklarimin e Haradinajt se nuk lëkundet nga vendimi për taksën dhe se të njëjtin vendim ai po e mban edhe për çështje votash. Një mendim të tillë ndan qytetari Tefik Shylemaja. “Derisa Amerika po kërkon pezullimin e taksës, unë mendoj që kjo kërkesë duhet të merret në konsideratë dhe të provohet që me pezullimin e përkohshëm të taksës t’i hapet rrugë vazhdimit të bisedimeve me Serbinë për arritjen e një marrëveshje me interes të dyanshëm. Nëse Serbia nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës, kjo taksë edhe mund të rikthehet pas një afati të caktuar, që do të caktohej nga Qeveria.

Përndryshe nuk ka asnjë kuptim që secilit që t’i teket të bëjë çfarë të dojë, vetëm pse jemi në liri, sepse Amerika na ka ndihmuar të çlirohemi kur ishim ngushtë, prandaj le të merren parasysh dhe të zbatohen edhe kërkesat e tyre, të mos i prishim marrëdhëniet me SHBA-në”, theksoi ai.

Çështja e taksës duhet të jetë vetëm çështje e interesit të shtetit dhe jo çështje votash, sepse dihet mirëfilli si janë bërë në Kosovë dhjetëra parti politike koti dhe nuk ka asnjë kuptim që secila tani ta keqpërdorë pozitën në shtet për interesat e votave.“Unë mendoj që nëse vazhdohet kështu, me këtë kryeneçësi, atëherë duhet të bashkohen votat e opozitës në krye me LDK-në e VV-në për ta rrëzuar sa më shpejt këtë qeveri, sikur që PDK-ja e rrëzoi para dy vjetësh Qeverinë e LDK-së me votat e Listës Serbe, sepse nuk mund të lejohet që për inate personale të prishen raportet me SHBA-në dhe vendi të rrezikohet nga sanksione të reja prej miqve ndërkombëtarë”, vlerësoi Shylemaja. Bashkërendim të veprimeve për pezullimin e përkohshëm të taksës me të drejtë të rikthimit të saj nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim kërkon edhe Selver Lenjani.

“Nuk e besoj që kryeministri Haradinaj e ka pasur atë qëllim, që duke folur për taksën ta mendojë atë se e ka vetëm për vota. Unë mendoj se kryeministri ka qëllimin e mirë po këshilltarët i ka të dobët dhe nuk i rrinë afër dhe nuk e këshillojnë si duhet e sa duhet, pra nuk e ndihmojnë kryeministrin. Përndryshe të gjithë krerët e institucioneve, të gjithë përfaqësuesit e partive politike, duhet ta dinë që për një gjë të tillë, sikur është çështja e taksës, nuk duhet të prishemi me mikun më të mirë të kombit shqiptar, që janë SHBA-ja, por edhe vendit më të fuqishme të BE-së”, theksoi ai. Sipas Lenjanit, le të provohet dhe të testohet Serbia përmes pezullimit për një afat të shkurtër kohor.

(Kosova Sot)