UBT

Keq e mirë për punën e Asamblesë Komunale

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan- Raporti i OJQ ”Anamorava”, që ka përcjellur monitorimin e Asamblesë Komunale ka dhënë shumë vërejtje dhe kritika në punën e këtij institucioni dhe të këshilltarëve komunal. Izmi Zeka tha se raporti i ka identifikuar vetëm anët e zeza, por jo edhe ato pozitive. Shoqëria civile e ka mirëpritur raportin, por edhe e kanë vlerësuar avancimin e punës së Asamblesë Komunale.

Të martën në sallën e asamblesë komunale është bërë publik raporti i OJQ “Anamorava” e cila ka monitoruar punën e asamblesë komunale në periudhën qershor – dhjetor 2011. Përpiluesi i këtij raporti Isa Shefiku tha se kanë arritur që për këtë periudhë të identifikojnë shumë probleme, shumë kritika e vërejtje që lidhen me punën e Asamblesë Komunale.

Shefkiu tha se raporti ka përfshirë punën e seancave të Kuvendit, rregulloret , vendimet, punën e komiteteve, angazhimin e këshilltarëve komunal, planet vjetore, transparencën e asamblesë komunale, barazia gjinore dhe në fund janë dhënë edhe 24 rekomandimet qe duhet të ndiqen nga asambleja komunale për të shmangur pastaj këto defekte institucionale.

Shefkiu tha se Kuvendi shpesh nuk ia ka zbatuar dispozitat e saja dhe në njëfarë forme nuk ka qenë transparentë edhe ndaj publikut. Si shembull Shefkiu mori punën e Monografisë së Gjilanit e cila sipas tij është vonuar për katër vite dhe asnjëherë nuk është raportuar në Kuvend.

Duke ju referuar transparencës Shefkiu tha se transparenca e punës së Kuvendit të Komunës së Gjilanit ndaj opinionit të gjerë publikë komunalë është njëri ndër treguesit themelorë të realizimit të konceptit të demokracisë përkatësisht të qeverisjes lokale, qasja e publikut në dokumente publike të Kuvendit të Komunës, bërja publike e punës të Kuvendit të Komunës dhe trupave punues të tij, janë treguesit kryesore matës të transparencës të punës të Kuvendit të Komunës. Nëse këta indikatorë merren në konsideratë, atëherë mund të vlerësohet së Komuna e Gjilanit ka shënuar rezultate të caktuara në zbatimin e parimit të transparencës në ushtrimin e përgjegjësive të tij tha Shefkiu.

Por me raportin e OJQ “Anamorava” nuk janë pajtuar kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka , Omer Daku nënkryetar i Komunës dhe këshilltarë komunal.

KKVITI

Zeka tha se raporti e sheh vetëm anën negative kurse askund nuk përmenden anët pozitive. Sipas Zekës Asambleja e Gjilanit dhe puna e saj llogaritet si njëra nga komunat më të mira në nivel të Kosovës.”Kemi arritur ta menaxhojmë si duhet buxhetin komunal dhe kemi arritur t`ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur të këtij kuvendi. Kemi punuar dhe vepruar bashkërisht dhe prej ardhjes së PDK-së në pushtet asnjë punëtor komunal nuk është larguar nga puna për bindjet e tija politika. Kjo tregon se ka demokraci, ka pluralizëm dhe ka transparencë ndaj publikut për punën tonë” tha Zeka.

Zeka megjithatë tha se monitorimi profesional na ndihmon që të përmirësohemi tutje.
Edhe Omer Daku pati vërejtje tek barazia gjinore dhe puna e Këshillit Komunal në Bashkësi. Daku tha se raporti nuk është i saktë kur fletë për këta dy sektor.

Këshilltari komunal nga radhët e AAK-së Ibish Ibishi nuk është pajtuar me raportin ku kritikon mos-punën e këshilltarëve komunal apo heshtjen e tyre. “Këshilltarët komunal janë mjaft aktiv dhe e kanë kryer punën e tyre ashtu siç u kërkohet . Edhe tek vendimet e kundërligjshme ku flet raporti mendoj se atë vlerësim mund ta japi vetëm MAPL e jo ndonjë mekanizëm tjetër “ tha Ibishi.

Avni Rudaku nga VV tha se raporti është serioz, i vlefshëm dhe tejet profesional. “Realisht në raport paraqitet gjendja minimale e së keqes që ka ndodhur në këtë institucion sepse këshilltarët komunal nuk kanë iniciativa, shpesh bllokohen nga shefat e tyre, kurse kryesuesi i Kuvendit e ngulfat debatin dhe nuk sillet mirë as me këshilltaret femra”.

Rudaku tha se edhe barazia gjinore nuk është e kënaqshme edhe pse pushteti po ndihet komod në këtë pikë. Sipas Rudakut kritikat që jepen në raport janë të ngjashme me ato të VV që disa herë i ka identifikuar dhe bërë publike.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se ky pushtet është shumë më transparent sesa pushtetet e kaluara. Terziu tha e është shqetësuese heshtja e këshilltareve komunale e sidomos e femrave. “Raportin e shoh si vlerë pozitive, por mos të harrojmë se edhe qeverisja e tanishme është transparente, ka treguar tolerancë, ka qenë bashkëpunuese dhe bashkërendues i shumë zhvillimeve pozitive” tha Terziu./rajonipress/