Kemi nisur reformë të thellë të sundimit të ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ministria që udhëheq ka filluar rishikimin e sektorit të sundimit të ligjit që, sipas tij, është reforma më e thellë strukturore dhe përmbajtjesore e sistemit të drejtësisë që është bërë ndonjëherë në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se procesi i rishikimit do të fokusohet në tri shtylla: rishikimin e kornizës ligjore, rishikimin e strukturës së institucioneve të drejtësisë, si dhe rishikimin e proceseve të komunikimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit. Në këtë drejtim, ministri Tahiri ka thënë se pret bashkëpunim edhe nga opozita
Shqipe HETEMI
Prishtinë, 26 nëntor –
“Epoka e re”: Z. Tahiri, në vazhdimësi po deklaroni se një ndër objektivat tuajA kryesore është rishikimi funksional i sektorit të drejtësisë në Kosovë. Pse e konsideroni tepër të rëndësishëm këtë proces?
Tahiri: Kosova, e cila si shtet ka dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, në kuadër të procesit të shtetndërtimit, ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe të mundimshme tranzicionale, në të cilën kanë marrë pjesë institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore si: Kombet e Bashkuara (përmes UNMIK-ut), Bashkimi Evropian (përmes EULEX-it) dhe vetë institucionet tona. Kuptohet se të gjitha këto institucione, duke qenë të ndryshme, kanë përfaqësuar edhe filozofi diverse sa iu përket praktikave të sundimit të ligjit dhe traditave legale. Rrjedhimisht, në Kosovë është krijuar një laramani qasjesh dhe praktikash, që ka pasur si pasojë krijimin e një paqartësie në këtë sektor, në kuptim të strukturave dhe mekanizmave të zbatimit të ligjit. Andaj, me qëllim të harmonizimit të kësaj qasje teorike dhe praktike ligjore, e konsideroj tepër të nevojshme që ne si institucione të Kosovës të ndërmarrim një hap të tillë për të rishikuar, në thellësi dhe gjerësi, sektorin e sundimit të ligjit, duke i fashitur traditat dhe qasjet diverse legale dhe duke i harmonizuar ato në një frymë unike, në përputhje me kontekstin kohor, nevojat reale dhe traditën tonë ligjore.
“Epoka e re”: Kur do të fillojë rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit dhe sa do të zgjasë ky proces?
Tahiri: Në fakt, tashmë ne e kemi filluar këtë proces. Ndër dokumente të tjera, kemi zhvilluar edhe metodologjinë që do të shërbejë si udhërrëfyes i punës së mëtejme. Një dokument i tillë do të na ndihmojë t’i harmonizojmë veprimet me të gjithë partnerët që do të jenë të përfshirë në këtë proces, sepse ky proces do të udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe unë si ministër, por në të do të marrin pjesë edhe institucione të tjera relevante në Kosovë dhe partnerët tanë strategjikë. Vlen të theksohet se procesi i rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit do të përfshijë një analizë dhe vlerësim të drejtë dhe të arsyeshëm të gjithë zinxhirit të institucioneve si dhe të gjithë legjislacionit që rregullon këtë fushë, me qëllim të identifikimit të sfidave dhe të ofrimit të alternativave që duhet të zënë vend, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të shërbehen me një sistem të drejtësisë tërësisht të pavarur, të besueshëm, efikas dhe llogaridhënës. Në ditët në vijim do të organizojmë një ngjarje të lansimit të rishikimit funksional, pastaj do ta zbatojmë planin dinamik. Duke pasur parasysh se ky proces nuk është proces i rëndomtë i rishikimit, kohëzgjatja e tij mund të shkojë përtej një viti kalendarik.
“Epoka e re”: Meqë ky proces do të jetë gjithëpërfshirës, a prisni përkrahjen e opozitës?
Tahiri: Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është reforma më e thellë strukturore dhe përmbajtjesore e sistemit të drejtësisë që është bërë ndonjëherë në Kosovë, rekomandimet e së cilës mund të sugjerojnë edhe vetë ndryshime kushtetuese. Për këtë arsyeje ky proces duhet parë ekskluzivisht nga një perspektivë shtetërore mbi çfarëdo perspektive politike. Rrjedhimisht, një ndërmarrje e tillë kërkon mbështetjen e të gjithë faktorëve politikë, duke përfshirë këtu edhe opozitën. Duke e marrë në konsideratë rëndësinë që ka ky proces për ta përmirësuar funksionalizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, unë jam i sigurt se një mbështetje të tillë do ta kemi, sepse një punë e tillë nuk u shërben interesave parciale, por është në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Për një rishikim të tillë të sektorit të sundimit të ligjit, a jeni konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, respektivisht BE-në?
Tahiri: Procesi i rishikimit do të fokusohet në tri shtylla: rishikimin e kornizës ligjore; rishikimin e strukturës së institucioneve të drejtësisë; si dhe rishikimin e proceseve të komunikimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit. Rishikimi do të shërbejë edhe si pararendës i hartimit të Strategjisë Sektoriale për Sundimin e Ligjit, e cila, përveçse do t’i shërbejë rritjes së efektivitetit të sistemit të drejtësisë, do të shërbejë për përmbushjen e kritereve për hapjen e kapitujve negociues (Kapitujve 23 dhe 24) për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Natyrisht se ne kemi orientime të qarta për integrimin në Bashkimin Evropian dhe një proces konsultativ do ta përfshijë edhe faktorin ndërkombëtar, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Po ashtu, më lejoni të theksoj se kjo iniciativë bartë vulën e Republikës së Kosovës, pra është iniciativë vendore, pronësia e së cilës nga fillimi në mbarim do jetë e institucioneve vendore. Në këtë mënyrë do të arrijmë t’i përmbushim pritjet e qytetarëve për një sistem të drejtësisë të besueshëm, efikas dhe llogaridhënës, e në të njëjtën kohë edhe të sigurohemi për përputhshmërinë me standardet bashkëkohore në fushën e sundimit të ligjit.
“Epoka e re”: Cilat institucione vendore do të jenë të përfshira në këtë rishikim?
Tahiri: Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësinë e koordinimit të institucioneve pjesëmarrëse në këtë proces. Konceptet themelore që u paraprijnë debateve që do të zënë vend, tashmë janë vendosur me termat e referencës si pikënisje, e të cilat, varësisht prej sfidave dhe nevojës për zgjidhje adekuate, mund edhe të zgjerohen. Në kuadër të institucioneve të përfshira, një rol domethënës në këtë proces presim ta japin edhe Zyra e Presidentit, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, për ta zgjeruar pjesëmarrjen e diskurseve cilësore kam rekomanduar të përfshihen edhe spektri i shoqërisë civile dhe kuadri universitar. Jam i bindur se ky proces do të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe, në fund, do të sjellë rekomandime të nevojshme për ta ngritur shtetin e së drejtës aty ku meriton të jetë.