Fundamenti

Kelmendi: Koalicioni do të realizojë premtimin për punësime

/ 4 minuta lexim

Deputeti i PDK-së, Ramiz Kelmendi, thotë se premtimet elektorale mund të plotësohen vetëm me koalicionin PDK dhe LDK, që kanë fuqi për të bërë ndryshime sidomos në ekonomi. Punësimet e premtuara përmes Misionit të Ri do të ndodhin. Ai thotë se i është premtuar pozita e Zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, por ende nuk ka pasur asnjë lëvizje.

“Ky është koalicioni më i mirë i mundshëm (PDK-LDK). Koalicioni më i mirë i dobishëm dhe koalicion i cili mund t’i shtyjë të gjitha proceset përpara”, ka thënë deputeti Kelmendi në një intervistë për Express.

Sa i përket pozitës së Kryeministrit, ai thotë se, “të dy liderët e këtyre dy partive, ashtu siç kanë ditur të krijojnë koalicionin, besoj se do të dinë t’i zgjidhin edhe çështjet menaxheriale. E edhe se kush do ta menaxhojë Qeverinë”.

Ai shprehet i gatshëm për të marrë pozita në Qeveri.

“Çdo njeri që ka një aftësi të caktuar, sidomos unë që kam njohuri për çështjet e zhvillimit ekonomik të shpejtë, normalisht, se do të më kishte përgjigjur një pozitë për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Nuk kam pasur ende ndonjë ofertë paszgjedhore. Ne kemi pasur një marrëveshje parazgjedhore. Por, ashtu siç do të vendos lideri, ashtu do të bëhet”.

RCCOLA

“Kam pasur një premtim për pozitën e Zëvendëskryeministrit për Zhvillim Ekonomik, duke qenë se kam mundësi dhe aftësi të kontribuoj për disa për disa ministri në mënyrë që ato pastaj të punojnë dhe t’i kryejnë obligimet për të zhvilluar Kosovën”.

Duke folur për ish partinë e tij, AAK-në, Kelmendi thotë se “elektorati ia ka treguar secilit pozitën e vet se ku duhet ta ketë. Prandaj, çdo tentim për të ndryshuar atë çka elektorati ka thënë është iluzion dhe e pamundur të realizohet”.

“Çdo kush duhet të kënaqet me atë se çka mbjellë edhe korrë. Prandaj, vet elektorati ia ka përcaktuar pozitat liderëve aktual. Domethënë, liderët gjatë promovimit të tyre të projekteve për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës është pranuar nga qytetarët në atë masë sa edhe i ka votuar. Prandaj, çdo formë që dikush pretendon se e ka më mirë se sa që e ka votuar elektorati, sigurisht se ka kohë të pres që ta bind elektoratin për zgjedhjet e ardhshme”, tha Kelmendi duke folur për liderin e AAK-së.

Lidhur me premtimet parazgjedhore të PDK-së dhe LDK-së, për gati 400 mijë vende pune, Kelmendi thotë se “nëse dikush mund të kryejë këto premtime, kjo Qeveri me numra të arsyeshëm dhe me numra me mundësi për të ndryshuar çdo ligj që është në interes të zhvillimit ekonomik dhe çështje të tjera. Këto dy parti do të mund të bëjnë ndryshime. Por, ne nuk duhet t’i shikojmë premtimet e tyre si dy numra të mbledhur ata dhe këta çka kanë premtuar. Mirëpo, ne duhet të gjejmë një rezultat të mjedisit të premtimeve tona dhe të premtimeve të tyre”.

“Misioni i Ri sigurisht se do të realizohet. Në Kosovë ekziston një pesimizëm i madh. Shumë ekspertë dhe kritikë gjithnjë janë të verbët në raport me atë se çka mund të bëhet. Shpeshherë nuk e dinë rolin që e kanë në motivimin e njerëzve, të rinjve dhe të tjerëve. Mirëpo, ata e luajnë rolin e pesimistit duke thënë se nuk bëhet një punë. Nëse kjo Qeveri nuk mund t’i punësojë këta të rinj atëherë kush mund ta bëjë një gjë të tillë? Prandaj, duke e ditur se vetëm Qeveria e fuqishme mund të krijojë edhe ambient të mirë për punë, por edhe t’i punësojë njerëzit. Prandaj, duhet të kthehet pesimizmi në optimizëm në të gjitha fushat, duke u nisur edhe nga mediat e informimit, edhe nga analistët, edhe nga ekspertët që për në kohë të caktuar ta kthejnë besimin në mënyrë që t’i realizojmë këto premtime që janë premtuar me Misionin e Ri”, ka thënë Kelmendi për Express.