UBT

KEK s’i ndalë dallaveret

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Korporata Energjetike e Kosovës shpërbleu me kontratë kompaninë që ofertoi me produkte të rrejshme dhe që i mungonte siguria e tenderit. Gjykata e tenderëve gjeti se me këtë, Korporata e shkeli rëndë Ligjin e Prokurimit dhe të njëjtin ia ktheu në rivlerësim. Kjo korporatë i ka rritur shkeljet dhe dallaveret me tenderë.

Kompania “Monting Energjetika” pavarësisht se ofertoi me produkte të rrejshme dhe i mungonte siguria e tenderit, arriti të fitojë kontratë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Saktësisht tenderin për “Riparimin e variatoreve të furnizuesve të thëngjillit në termocentrale”.

Gjykata e tenderëve, pas ankesës së operatorit “Xani Inex”, që gjithashtu ishte në garë, gjeti se me këtë Korporata bëri shkelje të rëndë të Ligjit të Prokurimit. Për çka edhe ia ktheu në rivlerësim këtë aktivitet.

“Eksperti shqyrtues mendon se nga ana e AK -së nuk është respektuar neni,7:

Barazia në Trajtim/Jo Diskriminimi dhe neni:59 Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve i LPP, pasi që për dhënie të kontratës është rekomanduar OE i papërgjegjshëm”, thuhet në vendimin e OSHP’së.

Gjithashtu, eksperti shqyrtues pas shfletimit të dokumentacionit dhe shkresave në dosjen e operatorit të rekomanduar për kontratë gjeti se i njëjti nuk e ka sigurimin e tenderit. Aty thuhet se në bazë të shkresave, kompania fituese ka arritur marrëveshje me zyrën e prokurimit në KEK që sigurimin e tenderit ta sjellë me vonesë.

Veç kësaj, kompania “Monting Energjetika” që KEK-u e shpërbleu me kontratë, u zbulua se ofertoi me produkte të rrejshme. Ajo në ofertë paraqiti rrejshëm si përfaqësues të saj një kompani gjermane.

Këtë e zbuloi fillimisht kompania ankuese, e cila mori shkresë nga kompania “PIV” e Gjermanisë, e cila kishte mohuar se e përfaqëson kompaninë “Monting Energjetika”. Me këtë shkresë, sipas përfaqësuesve të kompanisë ankuese, ka qenë i njoftuar edhe KEK-u, por pavarësisht kësaj, Korporata shpërbleu me kontratë këtë kompani një ditë më vonë.

Fundamenti

“Në fund OE ankues shton se ai ka kërkuar nga AK se a e keni pranuar këtë

shkresë nga firma PIV, Gjermani, e cila shkresë e mohon se e përfaqëson këto produkte që ka ofruar OE i rekomanduar për kontratë, AK është përgjigjur se e ka pranuar shkresën, ndërsa shkresa është datuar më 17.10.2012, ndërsa një ditë më vonë AK ka bërë Njoftimin për Dhënie të Kontratës ne KRPP, pa marrë parasysh këtë shkresë”, thuhet në fjalën e përfaqësuesit të kompanisë ankuese.

Të njëjtën e vërtetoi në fund edhe paneli shqyrtues i OSHP-së. “Shkresa e dërguar nga prodhuesi gjerman “PlV” konfirmon se OE “Monting Energjetika”, ka ofertuar rrejshëm me produkte të rrejshme dhe se nuk i qëndron mbrapa këtyre produkteve të ofruar nga OE në fjalë”, thuhet në vendim.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i KEK-ut ka thënë se vlerësimi i tenderit nga ana e Korporatës është bërë me seriozitetin me të madh dhe qëllimi ka qenë ruajtja e buxhetit dhe respektimi i Ligjit. Komisioni, sipas tij, ka qenë i përberë nga dy persona teknike, një administrativ dhe se të tretë ka thënë se kanë qenë profesional.

“Ne në fillim kemi hezituar sa i përket çmimeve të kësaj oferte dhe kemi kërkuar disa sqarime tjera, OE na është përgjigjur dhe komisioni teknik ka dhënë mendimin se gjithë
kërkesat teknike ky operatori i plotëson”, thuhet në fjalën e përfaqësuesit të KEK-ut.

Ndërkaq, sa i përket mungesës se sigurisë të tenderit, ai ka thënë se në ofertën e operatorit fitues ka qenë vërtetimi nga Banka se kanë probleme teknike dhe në kohën e caktuar nuk mund të japin garancion të tenderit. Porse qëndrojnë pranë asaj se që në momentin e parë që evitohen atë probleme do ta ofrojnë garancionin.

Megjithëkëtë, në fund paneli shqyrtuesi OSHP-së, vlerësoi se ankesa e operatorit ankues “Xani Inex” nga Prishtina është e bazuar gjë që vendosi ta kthej në rivlerësim këtë aktivitet të prokurimit.