KEDS pro reformimit të strukturës tarifore

Konsumatorët e energjisë elektrike ka ditë që po vazhdojnë të ankohen për fryrje të faturave të energjisë. Për këto ankesa ata u janë drejtuar zyrave të KEDS-it.
“Mua po më doket absurde ardhja e faturës e fryrë nga KEDS, unë në muajin e kaluar kam pas 31 euro ndërsa këtë muaj 155 euro”, tha Veton Cufaj, banor i Prishtinës.
Ai tha se për këto fryrje faturash do të padisë KEDS-in. Nuk është ky rasti i vetëm që KEDS pamëshirshëm dërgon fatura me borxhe marramendëse për rrymën që nuk e kanë shpenzuar konsumatorët e saj.
Të premten në sportelin e ankesave pranë KEDS- it, radha e qytetarëve që ankoheshin vetëm sa vinte e rritej. Shumica prej tyre të alarmuar me faturat e fryra që kanë marrë nga KEDS-it. Albert Durmaku nga Prishtina thotë se 70 për qind ma shtrenjtë i ka ardhur këtë muaj.
“Unë e përcjell çdo muaj gjendjen dhe është absurde që të më vjen aq shtrenjtë rryma, edhe pse në shtëpinë time çdo muaj janë shpenzimet e njëjta”, tha Durmaku.
Me gjithë ankesat për fryrje të faturave, në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe në KEDS, thonë se nuk ka pasur rritje të çmimeve për muajin dhjetor.
“Çmimet të cilat i ka aplikuar KEDS-i më 2013, janë të njëjta me çmimet e aplikuara nga KEK-u në vitin 2012”, janë përgjigjur për gazetën nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike.
Bordi i ZRRE-së kishte aprovuar një strukturë tarifore në Kosovë e cila është dizajnuar të ketë çmime të ndryshme për konsum, varësisht prej sezonit të dimrit ose verës dhe ditës ose natës.
Kurse nga KEDS-i, thonë se rritja e çmimeve për faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor është paraparë pikërisht nga ZRRE-ja, në bazë të dy sezoneve në të cilat janë të ndara tarifat. Dhe sipas KEDS, pikërisht kjo ka bërë që qytetarët të përballen me fatura më të larta që shpesh mund të keqkuptohen.
KEDS-i pro ndërrimit të strukturës tarifore
Duke parë pakënaqësitë e qytetarëve në lidhje me çmimin e faturave për muajin dhjetor, KEDS ka ndërmarrë një hap duke krijuar trupin punues për t’u marrë me të gjitha ankesat e konsumatorëve të energjisë elektrike.
Edhe pse numri i ankesave nga qytetarët është në rritje, KEDS ende nuk e di numrin e saktë.
Trendi i rritjes së qytetarëve drejt sporteleve ka bërë një presion te KEDS që të mendojë që të ndryshojë strukturën tarifore. “KEDS është pro reformimit të strukturës tarifore.
Mendojmë se struktura aktuale tarifore krijon paqartësi për konsumatorë dhe si e tille duhet të reformohet.”, ka sqaruar Guri Shkodra, zyrtar për informim në KEDS.
Sikurse në këtë janar edhe në janarin e vitit të kaluar si pasojë e faturave të larta të energjisë elektrike, shumë qytetarë protestuan në shenjë pakënaqësie.
Çështja e faturave kishte ngritur edhe debat në Kuvend të Kosovës, ku edhe u themelua një komision hetimor parlamentar. Ky komision hetimor kishte nxjerrë një raport ku thuhej se problemi i faturave të KEK-ut për muajin janar 2013 u shkaktua nga njehësorët e rinj, gabimet në lexim të tyre dhe tarifat e larta ndaj konsumatorëve të bllokut të tretë.
KEDS aplikon tetë lloje tarifash për secilin sezon
Në sezonin dimëror, kur edhe gjendemi, tarifa e lartë A1 aplikohet prej orës 07:00 deri 22:00, kurse tarifa e ulët A2 prej orës 22:00 deri 07:00.
Po këto tarifa janë të ndara edhe në disa nëntarifa, në bazë të sasisë së shpenzuar brenda një muaji.
Konsumatori për 200 kilovatët e parë do të paguajë gjatë tarifës së lartë 07:00 deri 22:00 me çmim prej 5.05 centë, ndërsa gjatë tarifës së ulët çmimi është 2.54 centë, 50 për qind më i lirë. Kurse kilovatët mbi 200 deri në 600, gjatë sezonit të dimrit do të paguhen gjatë tarifës së lartë 7.00 centë, ndërsa gjatë tarifës së ulët 3.51 centë për kilovat në orë.
Tarifa mbi 600 kilovatë paguhet gjatë tarifës së lartë me 10.16 centë, ndërsa gjatë kohës së tarifës së ulët kushton 5.07 centë. Përveç kësaj, secilës faturë në fund i shtohen 2.27 euro pagesë fikse mujore si dhe 16 për qind TVSh./zeri/