KEDS-i nuk mund t`i shfrytëzojë hapësirat publike të komunës së Vitisë

Viti – Mbledhja e tretë e Komitetit për Politikë e Financa, është mbajtur të premtën në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar pikat e parapara për këtë mbledhje, e të cilat do të procedohen në seancën e Kuvendit komunal.

Fillimisht kryesuesi i Kuvendit Naim Pira ka njoftuar rreth ligjërisë së vendimeve të marra në Kuvend, që janë kthyer nga Zyra ligjore e MAPL-së.

Kurse në pjesën e parë të diskutimeve rreth pyetjeve dhe propozimeve të anëtarëve të KPF-së, Jakup Demiri nga VV ka paraqitur kërkesën e këtij subjekti që të shqyrtohet mundësia për debat në Kuvend, rreth propozim vendimit që kompanisë “KEDS”, t`i ndalohet vendosja e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike, në maje të shtyllave elektrike, në hapësirat publike të komunës së Vitisë.

Këtë propozim vendim, ata e arsyetuan duke e konsideruar si shkelje e të drejtave elementare të njeriut, siç është transparenca në qasje të shpenzimeve elektrike të njehsorëve elektrik.

Rreth këtij propozimi të këshilltarit të VV-së, zv kryetari i komunës Hasan Aliu tha se do të merret menjëherë pas takimit dhe do të zhvilloj një takim me përgjegjësit e KEDS-it, për tu njoftuar me këtë çështje.

Kjo pikë, nuk u procedua në Kuvend pa u informuar më detajisht rreth vendimit që ka marr KEDS-i.

Në këtë seancë të KPF-së, u miratua propozim vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2018 në vitin 2019, gjithashtu u miratua edhe propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 70.000 € për pagesën e obligimit të fshatrave Goshicë dhe Gërmovë për projektin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Po ashtu u miratuan edhe propozim vendimi për këmbimin e pronës se paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme në pronësi të pronarit Azem Bislimi (Rrustem), propozim vendimi për dhënien ne shfrytëzim pronën e paluajtshme e Komunës së Vitisë në shfrytëzim afatshkurtër për ndërtimin e Shtëpisë së pleqve në zonën kadastrale në Letnicë, u miratua plani i punës së komitetit konsultativ për persona me aftësi të kufizuar për vitin 2019, propozim vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës së komitetit konsultativ për pjesëmarrjen e qytetarëve ne vendimmarrje për vitin 201, si dhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës të komitetit për komunitete për vitin 2019.

Ndonëse nuk ishin në rend dite për këtë mbledhje të KPF-së, si pika të reja për seancën e ardhshme të Kuvendit, hyjnë edhe propozim vendimi për shkarkimin e Gazmend Hasani nga detyra e anëtarit të komitetit për persona me aftësi të kufizuara, si dhe një Informatë rreth ndërtimit të shkollës fillore “Halil Alidema” në Pozheran./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).