KEDS fryn faturat e nëntorit

Dhjetëra qytetarë të Prishtinës, të mërkurën, kanë nxënë dyert e KEDS-it, duke u ankuar për fryrje të faturave të energjisë për muajin nëntor të këtij viti.
Arben Krasniqi, banor i Prishtinës, në lagjen “Arbëria”, kishte ardhur të mërkurën në zyrat e KEDS-it për t’u ankuar në lidhje me faturën e fundit, e cila i ka ardhur shumë më shtrenjtë se muajin paraprak. Ai ka treguar se në muajin tetor ka pagur rreth 32 euro, ndërsa për muajin nëntor fatura e energjisë i ka ardhur 172 euro e 62 centë.
“Kjo që po ndodh është vërtet shumë keq, sepse lirisht mund të them që të njëjtat shpenzime që janë bërë në muajin tetor, janë bërë edhe në muajin nëntor dhe të jetë një diferencë kaq shumë e madhe, kjo është katastrofë”, ka thënë ai.
Sipas tij, faturat që KEDS-i i ka faturuar për muajin nëntor, janë vjedhje e dorës së parë, pasi që dallimi nga muaji paraprak është shumë i theksuar.
Ngjashëm sikurse Krasniqi, është ankuar edhe Donika Nura, banore në lagjen “Matiqan” të Prishtinës. Ajo ka treguar se për muajin tetor, këta të fundit kanë paguar faturat në vlerë prej 27 euro, ndërkaq, në muajin nëntor vlera e faturës u ka ardhur mbi 45 euro.
“Fatura është fryrë dhe kjo nuk është në rregull. Me të njëjtat shpenzime sikurse muajin tetor ashtu dhe në muajin nëntor dhe fatura ka ardhur mbi 45 euro. Kjo nuk është gjë tjetër veçse fryrje e faturave”, ka thënë ajo. Madje siç ka thënë ajo, nëse KEDS-i nuk ndërmerr diçka, atëherë ajo ka thënë se nuk do ta paguaj vlerën e fundit të faturuar nga KEDS-i.
Por, në anën tjetër, zyrtarë të KEDS-it kanë mohuar në mënyrë kategorike se ka fryrje të faturave. Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, ka thënë se nuk ka ngritje të çmimeve në raport me muajin e kaluar. Sipas tij, çmimi për energji të konsumuar vazhdon të mbetet i njëjtë në raport me muajin e kaluar.
“Siç kemi treguar disa herë, çmimet dhe tarifat si dhe ndarja sezonale e tarifave përcaktohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të Republikës së Kosovës. Tarifa dimërore, siç edhe është e përcaktuar nga ZRRE, fillon të aplikohet nga data 1 tetor 2013”, ka thënë ai.
Sipas tij, konsumi i energjisë elektrike rritet dukshëm dhe në vazhdimësi gjatë sezonit të dimrit dhe tarifat dimërore të caktuara nga ZRRE-ja parashohin ngritje të çmimit të energjisë elektrike gjate tarifës dimërore, ku, sipas tij, me këtë qytetarët përballen me fatura më të larta. Ai ka kërkuar nga qytetarët të cilët mund të kenë ndonjë paqartësi ose vërejnë gabime në faturim, siç ka thënë ai, që të gjithë të kontaktojnë zyrat e KEDS-it dhe të paraqesin ankesat e tyre.
“Besojmë që çdo vërejtje, sugjerim, ankesë dhe propozim do të ndihmojë në përmirësimin e punës tonë. Për më shumë, KEDS-i është duke filluar me aplikimin e metodave më të reja të leximit dhe faturimit me qëllim që gabimet të evitohen dhe të minimizohen deri në maksimum”, ka thënë Shkodra.
Në anën tjetër, Adelina Murtezaj – Bajrami, zyrtare për Marrëdhënie me Publik në ZRRE, ka thënë se nga mediat kanë kuptuar se konsumatorët po shprehin pakënaqësi në lidhje me faturat e energjisë. Por, deri më tani ajo tha se nuk kanë marrë ndonjë ankesë të tillë në ZRRE. Sipas saj, çmimet e sezonit dimëror të tanishëm janë të ngjashme me çmimet e sezonit dimëror të vitit të kaluar.
“Struktura tarifore në Kosovë e aprovuar nga Bordi i ZRRE-së është e dizajnuar të ketë çmime të ndryshme për konsum varësisht prej sezonit, të dimrit apo verës, dhe ditës apo natës, me një qëllim të përgjithshëm për t’i reflektuar ndryshimet në kostot e këtij shërbimi, varësisht nga koha e konsumit”, ka thënë ajo.
Po ashtu, sipas saj, ZRRE u bën thirrje konsumatorëve që nëse konsiderojnë se faturat e tyre nuk janë të sakta, atëherë le të ankohen në zyrë të KEDS-it dhe nëse nuk janë të kënaqur më vendimet e KEDS-it për ankesat e tyre, ato mund t’i apelojnë në departamentin për mbrojtjen e konsumatorëve në ZRRE, si dhe te Bordi i ZRRE-së./zeri/