ARKATANA

KE: Kosova ka arritur progres për liberalizim, kërkohen përpjekje të mëtutjeshme

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e tij të dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në raport thuhet se Komisioni konsideron që Kosova ka arritur progres, megjithatë kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj.

Raporti vlerëson progresin që Kosova ka arritur në secilën fushë të udhërrëfyesit për viza dhe jep një numër rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës në përmbushjen e pikave kryesore të udhërrëfyesit.

“Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në fushat, si pranimi dhe siguria e pasaportave. Ata duhet të vazhdojnë të punojnë në rezultatet e treguara dhe të angazhohen në mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur është fjala për sistemin informativ për viza, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë ata në përpjekjet e tyre për të pasur progres konkret në vend,” tha Komisionerja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström.

Sipas raportit, Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të implementuar legjislacionin e saj në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për viza: pranimi tani duket të jetë plotësisht funksional; sistemi i riintegrimit është ngritur dhe po funksionon; menaxhimi i kufirit/pikëkalimit, migrimi, azili dhe sistemi gjyqësor penal i Kosovës kanë përfituar nga reformat e rëndësishme që janë bërë.

Eco Higjiena

Më tutje thuhet se në të njëjtën kohë, ende mbeten hapa të mëtejshëm, të nevojshëm për të qenë në përputhshmëri të plotë me kërkesat e udhërrëfyesit për viza. Raporti rekomandon që Kosova duhet të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të të kthyerve; të përmirësojë saktësinë e sistemit të saj për statusin civil; të shtyjë para sistemin informativ për viza; të zhvillojë pavarësinë e gjyqësorit; dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni ka vlerësuar po ashtu ndikimin potencial të liberalizimit të vizave në siguri dhe migrim dhe ka konkluduar se heqja e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës ka sjellë si pasojë për BE-në rrezik në siguri dhe migrim. Që nga viti 2012, ka pasur një rritje të madhe në kontrabandimin e njerëzve nga Kosova, dhe raporti vjetor i EASO-s për vitin 2014 ka nënvizuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të numrit të aplikacioneve për kërkim azilinë shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e Kosovës. Komisioni rekomandon hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për zbutjen e rreziqeve në fushën e sigurisë dhe migrimit nga liberalizimi potencial i vizave.

Komisioni Evropian ka lansuar dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012 (IP/12/32).

Udhërrëfyesi për viza i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012 (IP/12/605). Ai paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosova është kërkuar t’i implementojë, në mënyrë që të përmbushë kërkesat që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, si riintegrimi dhe pranimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufirit/pikëkalimit dhe migrimit, azili, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

Raporti i parë i Komisionit për progresin e arritur nga Kosova në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për viza është aprovuar në shkurt 2013 (IP/13/108). Raporti i dytë i sotëm pritet t’i prezantohet autoriteteve të Kosovës. /Zëri/