RCCOLA

“Ke ardh me duar në xhepa”, “kallxoja matematikën”, debati i Hotit e Muratit për tatimin në pronë

/ 9 minuta lexim

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, kanë debatuar dje në Komisionin për Buxhet lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme. Mospajtime kishin për Nenin 9. Hoti e quajti vendimin e Muratit arbitrar dhe tha se më së shumti do të preken bizneset, të cilave do t’u trefishohet tatimi në prone. Murati deklaroi se s’e sheh aspak shqetësuese që dikush që ka pronë në vlerë 5 milionë euro, të paguaj pak më shumë.

Ndryshimet që po planifikon t’i bëjë Qeveria Kurti në Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme e kanë shqetësuar deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin.

Shqetësimi i tij ishte sidomos për Nenin 9, që parasheh vendosjen e shkallës tatimore progresive.

Duke folur në Komisionin për Buxhet, Hoti tha se me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme, bizneseve do t’u trefishohet tatimi.

“Ajo që është më shqetësuese, është te bizneset. Merre një objekt biznesor, në Veternik, bëji kalkulimet vetë, për pesë minuta i bën ti, edhe ke me e pa që ti ke me iu trefishu ngarkesën e tatimit në pronë atyre bizneseve”, tha Hoti.

Ai tregoi edhe për një përllogaritje që ka bërë për ndikimin që do të ketë ky projektligj te bizneset.

“Një pronë që i ka vlerë 5 milionë, që është pronë krejt e vogël rrugës për në Veternik nalt atje, 116 përqind i rritet tatimi në pronë. Një pronë tjetër që ka vlerë le të themi 20 milionë euro, 175 përqind. Një pronë që ka vlerë 100 milionë, 200 milionë euro, 700 mijë euro i paguan në vit tatim në pronë, apo trefish më shumë sesa që paguan tash”, deklaroi Hoti.

Sipas Hotit, Qeveria Kurti në këtë formë po do që t’i kthejë të gjithë qytetarët në të varfër dhe se kjo qasje është gabim.

“Duhesh me qenë i vetëdijshëm se ka po shkon se kam përshtypjen që ke hy me një rrugë hajt po nisim me falje të 100 eurove, edhe hajt masi po e bajmë këtë punë, hajt po i bajmë edhe normat progresive të tatimit në pronë. Unë e kuptoj filozofinë e juaj, doni me i bë krejt njerëzit e varfër, po kjo qasje është gabim. Është gabim sepse jeni duke ia huq kuptimin e konceptit të pronës”.

Në këtë projektligj, parashihet edhe falja e faturave të tatimit në pronë deri në 100 euro për këtë vit. Hoti tha kjo nënkupton uljen e të hyrave vetanake të komunave dhe se herët a vonë Qeveria do të detyrohet t’i kompensojë komunat.

“Vec të jesh i vetëdijshëm ka po shkon dhe cilat janë implikimet, jo vetëm për buxhetin e shtetit, ju i falni 100 euro, por ti ke me u detyru nashta edhe përmes Gjykatës Kushtetuese me i kompensu komunat për rënien e të hyrave vetanake brenda këtij viti buxhetor, sepse i kanë planifiku, i kanë në buxhet dhe tash ju po merrni veprim duke ua ul të hyrat vetanake. Plus ndikimi biznesor. Ky veprim është shumë arbitrar dhe unë kam kriju përshtypjen që nuk e keni idenë se çka jeni duke ba me këtë vend”, tha deputeti i LDK’së.

Për dallim prej Hotit, Ministri Hekuran Murati tha se nuk e sheh aspak problematike që dikush që ka vlerë të pronës më të madhe, të paguajë më shumë.

Ai tha se me shkallën tatimore progresive, po zvogëlohet barra te ata që kanë më pak pronë dhe më pak pasuri dhe po rritet të ata që kanë 5 milionë e më tepër.

“Sa i përket progresivitetit, unë nuk shoh ndonjë problem që dikush që ka vlerë 5 milionë euro, të paguaj pak më shumë, pra dikush që ka vlerë të pronës. Apo dikush që ka vlerë të pronës 20 milionë euro, të paguaj pak më shumë. Dmth nëse ka pagu 20 mijë euro e tash i bjen me pagu 30 apo 40 mijë, dikush që ka vlerë 5 milionë euro, nuk e shoh që është problematike. Nëse në anën tjetër po ua mundësojmë këtyre që e kanë një banesë dhe një tokë, një parcelë për me e punu tokën, me ua fal në tërësi tatimin”, deklaroi Ministri.

Hoti e mori sërish fjalën për t’i reaguar Ministrit Murati, të cilit i tha se ka ardhur “me duar në xhepa” sepse as që ia ka idenë se sa është ndikimi në të hyrat e komunave nga ky ligj.

Ai tha se sipas vlerësimeve që ka bërë, ky ligj do t’u heq komunave së paku 40 përqind të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë.

“Sipas vlerësimeve të mia, u heq komunave së paku 40 përqind të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë…Ti ke ardh me duar në xhepa. Ti nuk e ki idenë sa është ndikimi në të hyrat komunave, nga ky ligj, nuk e ke idenë”, tha Hoti.

Hoti ndërhyu edhe kur po fliste deputeti Eman Rrahmani, i cili i tha Ministrit se nëse falen 100 eurot e tatimit, komunat e vogla do të inkasojnë zero të hyra.

““Nëse flasim për vendet që ka pas ma shumë ndikim ky rivlerësim, janë qytetet e mëdhaja si Prishtina, Ferizaj e Gjilani, mirëpo në qytetet e vogla, nëse i falim faturat deri në 100 euro, i bjen që ato komuna me inkasu zero të hyra. Shumica e komunave të vogla e kanë vec këtë të hyrë, nuk kanë asnjë të hyrë tjetër përvec të hyrën nga tatimi në prone”, tha Rrahmani.

Mobi Casa

Këtu ndërhyri Hoti, i cili i tha Rrahmanit që t’ia sqarojë matermatikën Ministrit Murati.

“Saktë, kallxoja matematikën këtij”, u dëgjua duke thënë Hoti.

Rrahmani e vazhdoi fjalën, dume thënë se do të duhej të shihej mundësia e rimburësimit prej Qeverisë.

“Besoj që në këtë pikë është dashtë ose me pa mundësinë e rimburësimit prej Qeverisë, qoftë me diskutu edhe me pa sa e prek funksionimin edhe të hyrat e komunave”, ka thënë Rrahmani”, deklaroi Rrahmani.

Ndryshe, rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të jenë më të shtrenjta sivjet. Për këtë rritje, qytetarët kuptuan tek në janar, ndonëse komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar.

Kërkesa e komunave ishte që procesi i rivlerësimit të anulohet dhe qytetarët të paguanin me të vjetrën, por kjo kërkesë është injoruar nga Ministri Hekuran Murati.

Pa i konsultuar fare, idenë që e kishte dhënë në janar që qytetarëve t’u falen deri në 100 euro të vlerës së tatimit për këtë vit, ai e ka përfshirë në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe me të parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

“Shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 Euro (njëqind euro) në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli”, parashihet me këtë projektligj.

Me këtë Projektligj, parashihet që “vendimi për faljen e tatimit në prone merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë deklaruar se komunat s’janë konsultuar fare për këtë projektligj.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i kishte thënë Gazetës Express se moskonsultimi i komunave për të tilla ligj tashmë është kthyer në një lloj tradite nga Qeveria Kurti.

“Qeveria nuk i ka konsultuar fare komunat, sa i përket këtij projektligji. Nuk është hera e parë që po ndodhë kjo. Edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, pa konsulta paraprake me kryetarët e komunave. Është bë si lloj tradite e kësaj qeverie, që Ligjet që i prekin interest vitale të komunave, që komunat të mos konsultohen”, ka thënë Ibrahimi.

Ai e konsideronte këtë edhe shkelje, meqë thotë se një vendim i tillë u takon komunave e jo nivelit qendror.

“Pse Qeveria me marr vendim në emër të komunave, kur komunat e kanë autonominë e plotë me vendosë vetë. Kjo është shkeklje edhe në Kartën Evropiane, që Qeveria merr vendim për komunat, kur komunat munden me marr një vendim të tillë… Nuk është mirë që ligje të tilla që prekin interest e komunave, të miratohen në Qeveri pa konsulta paraprake me komunat”, kishte thënë Ibrahimi.