KDI ofron këshilla ligjore falas për viktima e denoncues të korrupsionit
Gjilan – KDI ka shtuar edhe një shërbim që ka për qëllim të ndihmoj dhe këshilloj denoncuesit në luftën kundër korrupsionit, si dhe dëshmitarët e viktimat e korrupsionit në Kosovë, nëpërmjet të cilit shërbim ata mund të përfitojnë asistencë ligjore pa pagesë në ndërtimin e dosjes së tyre, nga avokati i angazhuar në KDI.
Për ata që duan të raportojnë këto raste KDI ka siguruar linjën telefonike 0800 77 777 pa pagesë (nga operatori VALA), ku viktimat e korrupsionit mund të marrin këshilla fillestare për të drejtat e tyre, dhe në qoftë se ekziston dëshmia e korrupsionit, vazhdohet me konsultime ligjore të mëtejshme. Denoncuesit gjithashtu mund të shkruajnë në adresën elektronike info@kdi-kosova.org.
Të gjitha thirrjet trajtohen me besueshmëri nga ana e KDI-së. Me kërkesë të ankuesit thirrjet edhe mund të mbesin anonime. Por, për të ndërmarrë veprime ligjore për të ndihmuar personat që janë viktima apo denoncues të korrupsionit, është e nevojshme që të jemi në posedim të të dhënave të raportuesit.
Pasi që të raportohet rasti, atëherë zyrtari ligjor bën analizimin e rastit dhe i ofron asistencë teknike ligjore në artikulimin, zhvillimin dhe parashtrimin e ankesës në adresën e duhur.
Rastet që janë raportuar deri më tani, janë shqyrtuar nga ana e zyrtarit ligjor, dhe kanë proceduar tutje nëpër adresat adekuate sipas raportimit të bërë nga denoncuesit. Nga to vlejnë të përmenden: anulimi i një tenderi në një ministri si dyshim i kurdisjes së tij;
vënia nën hetime e tre tenderëve të përzgjedhur me procedurë të kuotimit; kontaktimi i organeve kompetente për rastet e moszbatimit të të drejtave të punëtorëve (rasti në vijim); përgatitja e shkresave zyrtare për ankesë ndaj institucioneve publike për moskryerjen e punëve në shërbim të qytetarëve.
Për të gjithë personat që dëshirojnë të përdorin formën e kontaktit të drejtpërdrejtë me këshilltarin ligjor për të denoncuar ndonjë rast atë mund ta bëjnë edhe në qytetin e Gjilanit. Këshilltari ligjor do të jetë në dispozicion për të gjithë të interesuarit me datën 18 Shtator 2015 nga ora 10:00 deri në ora 16:00 në zyret e organizatës “KCIC” që gjenden në adresën Rr. “Rexhep Dajkovci”- Nr:48, (përballë hotel Kristal).
Denoncimi mund të bëhet në çdo kohë edhe në numrin 0800 77 777 apo në e-mailininfo@kdi-kosova.org./rajonipress/


