RCCOLA

Kauza personale

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Petrit Selimi- Është e paevitueshme që në vizitën e Sekretares Clinton të ketë simbolizëm dhe deklarata të ngrohta, por porosia kryesore e saj dhe SHBA’ve qëndronte në faktin se Prishtinën e viziton si krahu i djathtë i Baroneshës Ashton.

Një pyetje e bërë në publik me rastin e vizites së Baroneshës Ashton dhe Sekretares Clinton është se pse ka ardhur deri te kjo vizitë mu tani? Çka është duke ndodhur në Kosovë ose çka pritet që të ndodhë që meriton një vizitë të mbushur si me simbolizëm ashtu edhe me përmbajtje?

Në të vërtetë, nuk bëhet kjo pyetje vetëm tek ne. Një nga konsujt kosovarë të nderit në një nga shtetet e Afrikës këto ditë më tha se e ka të pakuptueshme marrëdhënien e SHBA’ve me Kosovën. Duket shumë më e afërt dhe më e fuqishme se sa që lejon madhësia e Kosovës apo vlera ekonomike e kësaj marrëdhënie.

Zëvendës Presidenti Biden ia ka dedikuar Kosovës një nga vizitat e para jashtë Amerikës, pas fitores se tiketës Obama-Biden më 2008.

Sekretarja e shtetit Clinton viziton Kosovën në mes të zgjedhjeve amerikane, ku familja Clinton po luan rol të rëndësishëm dhe tejet aktiv. Vizita vjen në mes të krizës siriane, në mes të kaosit meteorologjik në SHBA, në mes të krizës së rrezikut atomic nga Irani dhe në kohë kur kriza ekonomike tash 4 vite e ka dërrmuar tërë planetin me rrezik që të shpërbëjë dekada të tëra të zhvillimit njerëzor. Ajo kaloi dy ditë në Kosovë në vigjilje të përfundimit të mandatit të saj si Sekretare shteti.

E vërteta është që nuk ka asgjë të veçantë mu në këtë moment e që nuk është ditur shumë më herët nga pjesa e iluminuar e shoqërisë kosovare. Amerika nuk e konsideron Kosovën vetëm si çështje të politikës së jashtme, por edhe si çështje personale për gjenerata e gjenerata amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë (ta përkujtojmë se vizita e parë e rëndësishme që rrehu rrugën e marrëdhënieve SHBA-Kosovë ishte ajo e republikanit Dole dhe demokratit Lantos të bërë qysh para 90’ave).

Uji Dea

Realisht, mu në atë vizitën e lartpërmendur të Zëvendës Presidentit Biden, SHBA’të deklaruan se marrëdhëniet me Serbinë dhe relacioni në mes të Kosovës dhe Serbisë është i konceptit “të pajtohemi mos të pajtohemi”.

Prandaj kjo vizitë në këtë aspekt nuk sjell asgjë të re – sepse edhe Sekretarja Clinton më 2010 e ka përshëndetur Rezolutën e OKB’së që ka nisur dialogun jo vetëm si hap që “ndihmon jetën e qytetarëve duke adresuar cështjet teknike” por edhe për arsye të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy kryeqyteteve të hasmuara historikisht. Sipas SHBA’ve Kosova nuk është humbëse e proceseve historike në dekadat e fundit por fituese absolute, sepse ishte drejtësia ajo që fitoi me intervenimin e NATO’s dhe pavarësimin e Kosovës.

Kjo çështje e statusit dhe kufijve tanimë është e përfunduar dhe fokusi do të duhej të ishte në dialog dhe normalizim dhe progres. Për më shumë, në hapje të fjalimit të saj para mediave në Prishtinë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaron se “nuk jam e sigurt nëse ndonjë popull ka bërë aq shumë progres në një periudhë kaq të shkurtër si Kosova”, diçka që do të duhej t’i thellon në mendime nihilistët vetë-urrejtës që e quajnë tërë Kosovën dështake dhe “vrimë e zezë”, vetëm se kanë probleme me një parti apo me një kryeministër. Një qëndrim i tillë mohues ndaj shtetësisë dhe suksesit amerikan në Kosovë u vërejt edhe në takimet që Sekretarja pati me liderët politikë kosovarë.

E megjithatë, ishte diçka e re në këtë vizitë, diçka që hedh dritë më shumë se gjithçka tjetër në momentin historik ku jemi. Sekretarja Clinton ishte së bashku me një zonjë tjetër, Baroneshën Ashton. Kishte ardhur që t’i japë përkrahje të padyshyeshme dhe të pathyeshme procesit të inicuar të Baroneshës Ashton, që Serbia dhe Kosova të vazhdojnë tutje në rrugëtimin europian duke mos bllokuar njëra tjetrën dhe duke krijuar së paku një kornizë minimale të marrëdhënieve zyrtare. Ashton, me zërin e butë por vullnet mjaft të çeliktë, ka para vehte ca muaj që të siguron se Serbia do të tërheq përfundimisht paralelët serbë në veri, do t’i implementojë marrëveshjet e deritashme, do të tërhiqet krejtësisht nga ndërhyrjet në telefoni dhe energjetikë, të pranon gjykatësit dhe policinë e EULEX’it që vepron sipas Kushtetutës dhe ligjeve kosovare, etj.

Suksesi i Baroneshës Ashton që t’ia hapë rrugën Kosovës në BE është i rëndësishëm për Sekretaren Clinton. Kur vjen puna e suksesit të Kosovës, siç tha edhe vetë Sekretarja, “është çështje personale”.

Autori është Zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës. Kolumnet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin. Për më shumë, përcilleni në Twitter me nofkën @Petrit