Katër fitore larg ëndrrës
Kosova ka mundësi ideale ta realizojë ëndrrën shumë më herët sesa që është menduar dhe shpresuar. Pas dy ndeshjeve të para në Ligën e Kombeve “Dardanët” i kanë hapur rrugë vetes drejt Kampionatit Evropian. Për të shkuar në “Euro 2020” skuadrës sonë mund t’i mjaftojnë veç edhe katër fitore. Prej katër ndeshjeve të mbetura të fazës së grupeve të tanët duhet t’i fitojnë edhe 6 pikë përmes dy fitoreve. Pastaj Verdhekaltrit duhet të luftojnë edhe për dy fitore në “Play-Off”-in e Ligës D, në mënyrë që ta fitojnë këtë ligë dhe ta marrin biletën për “Euro 2020”. Në fazën finale të Ligës D Kosova mund të ketë punë me shtete si Gjeorgjia, Luksemburgu dhe Maqedonia, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Dy vjet pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA Kosova ka nisur ta lakmojë pjesëmarrjen në një Kampionat Evropian. Derisa Shqipëria për herë të parë e ka shijuar evropianin “Franca 2016” pas 100 vjetësh si shtet, shteti i dytë shqiptar këtë synim mundohet ta arrijë në një kohë shumë më të shkurtër. Evropiani 2020 tashmë është një objektiv, të cilin “Dardanët” do të mundohen ta arrijnë, pasi tashmë i kanë të hapura dy rrugë. Në rrugën e parë tashmë ka hyrë. Ajo është kompeticioni i ri, Liga e Kombeve. Dhe nëse nuk e shfrytëzon këtë, atëherë në vitin e ardhshëm do të hapet rruga e dytë, por që vlerësohet si shumë më e vështirë. Bëhet fjalë për kampanjën tradicionale kualifikuese, në të cilin Kosova sigurisht se do të përfundojë në grup me shtete shumë të forta me gjasa minimale kualifikimi, shkruan “Zëri”.
Për të mos e provuar rrugën e vështirë, kampanjën kualifikuese të vitit të ardhshëm, skuadra jonë shtetërore po mundohet ta shfrytëzojë rrugën e parë, që veç sa e ka nisur e madje me sukses – Ligën e Kombeve.
Kosova është pjesë e Grupit 3 të Ligës D të Kombeve, në të cilën garojnë shtetet e kategorisë së katërt të shpërndara në katër grupe. Përfaqësuesja jonë është në grup me Ishujt Faro, Azerbajxhanin dhe Maltën. Deri më tani janë zhvilluar nga dy ndeshje dhe Kosova i prin grupit me 4 pikë përmes një barazimi në Azerbajxhan dhe një fitoreje ndaj Ishujve Faro në Prishtinë. Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvillojë si vendase ndaj Maltës në tetor, në Prishtinë, gjë që e bën favorite të madhe për fitore dhe për ta arritur kuotën e shtatë pikëve. Dhe nëse e bën këtë, atëherë ekipit tonë i mbetet ta kërkojë edhe një fitore në tri ndeshjet e fundit për ta fituar grupin. Natyrisht ky është vetëm një opsion, por mjaft real dhe i mundshëm, por gjithsesi se rol do të luajnë edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera në mes të kundërshtarëve të grupit.
Nëse Kosova e fiton vendin e parë të Grupit 3, atëherë do të shkojë në “Play-Off” të Ligës D bashkë me tre fituesit e tri grupeve të tjera. Këto ekipe do të luajnë në gjysmëfinale dhe në finale, ndërsa fituesi i Ligës D të Ligës së Kombeve shkon direkt në “Euro 2020. Po ashtu do të ngjitet në Ligën C të Kombeve, ku garojnë shtetet e nivelit të tretë, siç është Shqipëria, shkruan “Zëri”.
Nëse Kosova e fiton Grupin 3, atëherë për në fazën finale të Ligës D me shumë gjasë do të ketë punë me Gjeorgjinë, Luksemburgun dhe Maqedoninë. Vetëm pas dy ndeshjeve të zhvilluara këto shtete e kanë marrë kryesimin dhe dominimin në grupet e tyre me nga 6 pikë të fituara.
Gjeorgjia është e para në Grupin 1 me 6 pikë, Andora i ka 2, Letonia dhe Kazakistani nga 1.
Në Grupin 2 prin Luksemburgu me 6 pikë. Rivalizohet nga Bjellorusia me 4 pikë, Moldavia e ka 1, kurse San Marino asnjë.
Në Grupin 3 Kosova është e para me 4 pikë. Ishujt Faro e mbajnë pozitën e dytë me 3 pikë, Azerbajxhani i ka 2 dhe Malta vetëm 1.
Maqedonia është e para e Grupit 4 me 6 pikë. Kurse Armenia dhe Lihtenshtajni janë në pozitat 2 dhe 3 me nga 3 pikë. Kurse Gjibraltari nuk e ka fituar asnjë.
Sidoqoftë, selektori i Kosovës Bernard Challandes ka theksuar se kualifikimi në “Euro 2016” përmes Ligës së Kombeve do të ishte diçka fantastike për një vend të vogël dhe të posandërkombëtarizuar siç është Kosova. Sipas tij, Kosova prioritet thelbësor duhet ta ketë rritjen. Por, nëse gjatë rrugëtimit i vjen shansi për kualifikim në “Euro 2020” duhet ta shfrytëzojë./Zëri
Liga e Kombeve – Liga D
Grupi 1
Gjeorgjia 2 6
Andora 2 2
Letonia 2 1
Kazakistani 2 1
Grupi 2
Luksemburgu 2 6
Bjellorusia 2 4
Moldavia 2 1
San Marino 2 0
Grupi 3
Kosova 2 4
Ishujt Faro 2 3
Azerbajxhani 2 2
Malta 2 1
Grupi 4
Maqedonia 2 6
Armenia 2 3
Lihtenshtajni 2 3
Gjibraltari 2 0
*Fituesit e grupeve do ta kërkojnë triumfin e Ligës D të Kombeve përmes sistemit të gjysmëfinaleve dhe finales. Fituesi i Ligës D do të shkojë direkt në Euro 2020.

