RCCOLA

Katër faktorët që po ndikojnë në mosliberalizimin e vizave për Kosovën

/ 5 minuta lexim

I fundit nga liderët shtetërorë që uroi qytetarët e Kosovës për liberalizim vizash ishte ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, vitin e kaluar.

Këtë urim Haradinaj e bazoi në “Po”-në e Gjermanisë për këtë proces, të cilën tha se e mori gjatë një takimi me ministrin gjerman të Punëve të Brendshme.

“Me këtë unë mundem veç t’i them Kosovës urime liberalizimi”, kishte thënë ai.

Por deklarata të këtilla qytetarët e Kosovës kanë dëgjuar edhe shumë herë të tjera, nga Hashim Thaçi, herë si kryeministër e herë si presidenti, e deri tek ish-ministrat e qeverive të ndryshme të Kosovës nga viti 2010 e këndej.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në rajon që ende nuk e gëzojnë këtë privilegj.

Ky proces me gjasë nuk pritet të përfundojë as gjatë këtij viti.

Për këtë çështje ka folur për “Zërin” njohësi i çështjeve politike, njëherësh drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha.

Shasha thotë se mungesa e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit mund të jetë shkas që liberalizimi i vizave të mos jetë afër.

“Përderisa kemi rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, disa shtete anëtare kanë shfaqur brenga për mungesën e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit. Rrjedhimisht, BE-ja ende pret që Kosova të bëjë progres në fushën e sundimit të ligjit. Tani e 4 vjet Kosova nuk ka shënuar as edhe një rast të suksesshëm në luftë kundër korrupsionit në nivel të lartë”, ka thënë Shasha për “Zërin”.

Deri te vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën, sipas tij, teorikisht mund të arrihet këtë vit, por praktikisht mund të haset në pengesa nga shtetet që vlerësojnë se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret.
“Teorikisht është e mundshme që vendimmarrja për liberalizimin e vizave për Kosovën të ndodhë gjatë këtij viti, sidoqoftë kjo është praktikisht shumë e vështirë të ndodhë, pasi disa vende anëtare nuk mendojnë se Kosova ka përmbushur detyrat e shtëpisë. Këtë e ka përsëritur qartë edhe ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine- Butel”, shtoi më tej ai.

Gjatë vitit 2020 pritet të mbahen takime nga Këshilli i BE-së, organ ky përgjegjës për vendimin rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, takime këto me formatin formal vendimmarrës që mbahen gjithsej katër herë brenda vitit.

UBT

Një takim i tillë pritet të mbahet më datën 5 qershor.

Por as në këtë takim, sipas Shashës, nuk ka indikacione se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha, thotë se Kosova një mundësi të mirë për të arritur liberalizimin e vizave e ka në fund të korrikut, kur presidencën e BE-së do ta ketë Gjermania.

“Ekzistojnë disa rrethana shpresëdhënëse. Gjatë vitit 2020 presidencën e BE-së në pjesën e dytë të vitit (1 korrik – 31 dhjetor 2020) do ta këtë Gjermania. Prandaj, ekziston mundësia që çështja e liberalizimi të vizave të përkrahet nga Presidenca e Gjermanisë. Por, ky skenar kërkon që Kosova të përfundojë detyrat e shtëpisë”, tha Shasha.

Ndër faktorët me rëndësi për të arritur këtë qëllim, sipas tij, është luftimi i korrupsionit dhe i krimit, për çka Shasha mendon se vendi ynë nuk është duke bërë mjaft.

Faktor i dytë shumë me rëndësi për liberalizim të vizave, thotë Shasha, është edhe sundimi i ligjit. Ai thotë se vendet anëtare të BE-së me shqetësim janë duke përcjellë gjetjet e Raportit të Progresit 2019, ku është përfunduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe institucionet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprime nën ndikimin politik.

Në anën tjetër, si pengesë indirekte në proceset integruese Shasha thotë se është edhe çështja e dialogut me Serbinë.

“Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte, pasi vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërsa si faktor të katërt pengues drejt liberalizimit të vizave për kosovarët Shasha e sheh edhe mungesën e vullnetit politik brenda BE-së.

“Brenda BE-së janë disa vende, të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Në këtë kontekst, nëse institucionet e Kosovës adresojnë këto detyrat e shtëpisë gjatë vitit 2020, atëherë mund të shpresojmë për një vendimmarrje pozitive gjatë vitit 2020 për liberalizimin e vizave”, përfundoi Shasha.

Më 19 janar 2012 Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave. Më 19 maj janë bërë 100 muaj që nga lansimi i këtij dialogu.
Instituti EPIK, me rastin e 100-mujorit të nisjes së këtij procesi, kishte publikuar një infografikë për disa prej shteteve se sa kohë u është dashur atyre ta përmbyllin këtë rrugëtim. Grafikën mund ta shihni më poshtë.