Katër faktorët kyç të hipertensionit

Pesha trupore, mos-aktiviteti fizik, konsumimi i alkoolit dhe mospërdorimi i perimeve rezultojnë në katër faktorët kryesorë që influencojnë në zhvillimin e hipertensionit.
Nga ana tjetër duhani duket më pak influencues mbi tensionin e lartë të gjakut, ndërsa konfirmohen dëmtimet e tij në zemër, arterie dhe tru. Ndërkaq, studimet kanë treguar se, ashtu siç ndodh me substancat helmuese, edhe efektet e këtyre katër faktorëve mblidhen në organizëm dhe efekti i tyre ëshë deri në shkallën 15 për qind.
Kështu, nëse jeni të mbipeshë, ju rritni për 15 për qind probabilitetin për të vuajtur nga tensioni i lartë. Një tjetër 15 për qindësh shtohet (ose hiqet) nëse pihen më shumë se 50 gramë alkool në javë (më shumë se gjysmë litri verë). E njëjta përqindje vlen edhe për aktivitetin fizik më pak se tri orë në javë ose nëse konsumohen pak perime dhe fruta.
Ushqimi dhe pesha
Sipas mjekëve, për të mbajtur nën kontroll tensionin e lartë të gjakut një kujdes i madh duhet me ushqimin dhe aktivitetin fizik, të cilat të dyja së bashku ndihmojnë ruajtjen e peshës normale. Perimet dhe frutat janë aleatet më të mira të shëndetit, ndërsa ushqimet, me shumë yndyrë, kripë dhe sheqer faktorët më të rrezikshëm. Prandaj mjekët jo vetëm në rastin e personave që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, përfshi këtu edhe tensionin e lartë të gjakut, këshillojnë për një dietë sa më të balancuar ku perimet dhe frutat që nuk përmbajnë shumë sheqer zënë vendin kryesor.
Aktiviteti fizik
Ekspertët këshillojnë më shumë se tre orë aktivitet fizik në javë, ose e përkthyer ndryshe çdo ditë ecje të shpejtë 20-30 minuta. Aktiviteti fizik ndikon në qarkullimin e mirë të gjakut, në reduktimin e stresit dhe funksionimin e mirë të zemrës. Studimet kanë treguar se personat që vuajnë nga tensioni i lartë e që merren me aktivitet fizik kanë tendencë më të madhe për ta mbajtur atë nën kontroll sesa ata që janë në mbipeshë dhe nuk kryejnë asnjë lloj aktiviteti fizik.
Alkooli
Thuhet se gjysmë gote vere në ditë i bën mirë zemrës, dhe kjo është plotësisht e vërtetë, por nëse kjo sasi tejkalohet organizmi ndien menjëherë efektet e kundërta. Ata që pinë alkoolin në sasi të tepruar kanë tension më të lartë sesa ata që janë të moderuar në konsum, thonë mjekët. /Gazeta Shqip/