Hidromorava

Kastrati: Talentët në Kosovë, më të mirë sesa në Gjermani

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Ish sulmuesi i Borussia Monchengladbach, Bekim Kastrati mendon se talentet në Kosovës janë më të mirë sesa bashkëmoshatarët e tyre në Gjermani. Por, pejanin po e shqetëson fakti se shumë talente po shuhen në mungesë të punës serioze.

Edhe pse jeton dhe vepron në Gjermani qe një kohë të gjatë, Bekim Kastrati ka njohuri shumë të mira për futbollin që zhvillohet në Kosovë.

Ai i përcjell vazhdimisht ndeshjet e Superligës së Kosovës, edhe pse ka angazhime me klubin gjerman SC Rheindahlee, ku së fundi është emëruar trajner.

Kastrati, i cili gjatë karrierës ka luajtur për disa klube në Gjermani, mendon se në Kosovë ka shumë talente. Madje sulmuesi nga Peja thotë se kosovarët janë më të talentuar sesa bashkëmoshatarët e tyre në Gjermani.

“Unë personalisht isha ne turnirin që u mbajt në korrik të këtij viti këtu në Gjermani, ku mori pjesë edhe FC Prishtina U-19. Teknikisht pashe shume lojtar të talentuar, madje për mendimin tim ua kalojnë bashkëmoshatarëve të klubeve profesionale këtu në Gjermani, ndërsa taktikisht dhe fizikisht duhet të punohet shume me shume dhe me intensitet me te lartë”, ka thënë Kastrati për Express.

Por, ish sulmuesin e Borussia Monchengladbach, Eintracht Braunschweig dhe Fortuna Dusseldorf po e shqetëson fakti se shumë talente po shuhen në mungesë të punës serioze.

KKVITI

“Për talentet kosovarë mund të them se nuk është vetëm talenti që të bënë të jesh futbollist i mire. Fakti që ne mendojmë se vetëm talenti mjafton, ka bërë që shume pak futbolliste nga Liga e Kosovës kane arrit të depërtojnë në Evrope”, theksoi ai.

Ish anëtari i Kombëtares shqiptare e ka lavdëruar edhe punën e disa trajnerëve që po bëjnë me klubet e tyre në Kosovë .

“Sa i përket trajnerëve në Kosovë unë mendoj se ka mjaft të mire, dhe që po bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë duke e veçuar Afrim Toverlanin, Bylbyl Sokolin e Ismet Munishin, ky i fundit me një stinor fantastik me ekipin e Llamkos Kosovës”, thotë ai.

Përveç pranimit sa më të shpejtë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA e UEFA, Kastrati e ka edhe një dëshirë të madhe.

“Pas dëshirës që Kosova sa me shpejte të pranohet në FIFA dhe UEFA do doja që në këto katër vitet e ardhshme Prishtina të ketë një stadium me standarde evropiane”, ka përfunduar Kastrati.