Kastrati: Specialja, gjykatë politike e porositur nga Beogradi
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar valë të madhe të ftesave nga Gjykata Speciale. “Në muajin prill pritet të ketë dhjetëra ftesa të reja nga Gjykata Speciale për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”
Gjykata Speciale nuk e ka ndalur dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë. Pas disa javëve “qetësi” Specialja të mërkurën (dje) ka dërguar ftesën e radhës ndaj një ish-pjesëtari të UÇK-së. Rrahim Hashimi ka njoftuar se do të paraqitet në Hagë më 9 prill në cilësinë e të dyshuarit.
Ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë “Zërit” që zvarritja e punës së Speciales nënkupton që kjo gjykatë është politike dhe nuk do të sjellë drejtësi për Kosovën.
Kadri Kastrati, i cili gjatë luftës në vitet 1998-1999 ka qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit, ka thënë për “Zërin” që meqenëse Gjykata Speciale është gjykatë politike, e njëjta sipas tij do të dështojë për shkak të pamundësisë për të gjetur fakte që e dëmtojnë UÇK-në.
“Gjykata Speciale është më tepër jokorrekte pasi që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë, luftë çlirimtare. Kjo ushtri nuk ka bërë krime asnjëherë dhe të gjitha këto ftesa që janë bërë deri më tani dhe gjithë ky pluhur që është çuar deri më tani është bërë për arsye politike dhe unë pres që kjo gjykatë në fund të dështojë, siç kanë dështuar edhe gjykatat e mëhershme, sepse gjitha këto dyshime që kanë qenë deri më tash kanë qenë të bazuara mbi shkrimet e Beogradit dhe njerëzit që nuk ia kanë dashur të mirën Kosovës”, ka thënë ai. Kastrati, i cili ishte edhe komandant i FSK-së, ka theksuar se zbehja e punës së kësaj gjykate nënkupton që në fund ajo do të dështojë në sjelljen e drejtësisë për luftën në Kosovë, shkruan Gazeta “Zëri”.
“Fundin e kësaj gjykate e shoh si proces të dështuar për arsye që unë kam qenë vetë pjesë e UÇK-së dhe kam qenë pjesë e udhëheqjes së kësaj ushtrie, e di shumë mirë se UÇK-ja nuk ka bërë krime, ajo ka bërë luftë të drejtë, të pastër dhe nuk ka arsye që dikush të merret me ushtarët e UÇK-së”, ka shtuar Kastrati./ZËRI


