Uji Dea

Kastrati: Qentë endacak, gjendja e rrugëve, trotuaret dhe ndriçimi publik probleme që shqetësojnë qytetarët

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Kamenicë – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Kamenicë, ka mbajtur të premtën mbledhjen e parë për këtë vit. Në këtë takim të udhëhequr nga kryetari i komunës Qëndron Kastrati, është biseduar rreth gjendjes së sigurisë Kamenicë e cila është vlerësuar si e qetë dhe stabile.

Kryetari Kastrati tha se Komuna e Kamenicës do të angazhohet në bazë të kompetencave që i ka, sa i përket çështjes së sigurisë.

Ai konsideroi që qentë endacak, gjendja e rrugëve, trotuaret dhe ndriçimi publik janë disa probleme që ngrisin shqetësime tek qytetarët.

Kastrati në këtë takim, propozoi që të vendosen kamera të sigurisë në hyrje dhe dalje të Kamenicës, sepse sipas tij kjo do të ishte një ndihmesë e madhe në aspektin e ngritjes së sigurisë.
“Kamerat do të menaxhoheshin vetëm nga Policia e Kosovës dhe jam i sigurtë që nuk do të ketë mundësi që të keqpërdoren ose të cenohet privatësia sepse do të shërbejnë vetëm për çështjen e sigurisë”, tha ai.

Mobi Casa

Të gjithë të pranishmit kanë votuar pro propozimit të kryetarit Kastrati dhe me këtë rast do fillojnë që të kërkojnë donacione nga organizata të huaja për implementimin e këtij propozimi.

Ndërsa, Komandanti i Stacionit të Policisë së Kamenicës, Nazif Hajrizi tha se formimi i këtij këshilli është i rëndësishëm për sigurinë e banorëve të Kamenicës.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga anëtarët e këtij këshilli, në mënyrë që të ketë siguri më të madhe ndërkaq vlerësoi që situata në Kamenicë konsiderohet si e qetë.
Hajrizi tha se e vlerëson angazhimin e kryetarit Kastrati dhe të komunës për çështjen e sigurisë.

Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB) janë forume të sigurisë të cilat janë të themeluara në çdo komunë të Republikës së Kosovës. Këto këshilla udhëhiqen nga kryetari i komunës dhe anëtarë i këtij forumi është komandanti i stacionit policor i cili merr pjesë në takime të rregullta mujore dhe raporton rreth situatës së sigurisë./rajonipress/