RCCOLA

Karta e djegur e Berishës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Shqipëria nuk bëhet atdhe i të gjithë shqiptarëve duke ofruar copa letrash, por duke ofruar mirëqenie, siguri, zhvillim ekonomik e stabilitet.

Një zjarmi patriotike e ka kapluar Sali Berishën ditët e fundit, duke e kthyer në flamurtar nacionalizimi e patriotizmi.

Papritur e pa kujtuar dhe, mbase, i frymëzuar nga Vlora të cilën nuk e shmangu dot gjatë festimeve të 28 Nëntorit, Berisha bëri të ditur nismën për t’i dhënë shtetësinë shqiptare çdo shqiptari, kudo që jeton. Madje, e cilësoi atë ëndërr të jetës së tij.

Shumë patetike për t’u besuar, aq më parë kur del nga goja e Sali Berishës, njeriut që nuk është se ka për çfarë të lavdërohet, kur bëhet fjalë për të tilla gjëra. Natyrisht, fjalime populiste e plot zjarm nuk kanë munguar tek ai gjatë gjithë këtyre viteve, por veprimet e tij kanë dëshmuar të kundërtën.

I dështuar në politikat e brendshme dhe në prag të zgjedhjeve, të cilat duket se nuk do t’i vijnë përshtati, Berisha zgjodhi kartën e nacionalizmit, në përpjekje për t’i fshehur problemet e mëdha të shtetit njëshekullor që drejton.

I pari i një vendi që ende nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe që përpiqet t’i uzurpojë të gjitha institucionet e pavarura dhe kushtetuese, tash zgjedh të premtojë shtetësi për të gjitha shqiptarët jashtë kufijve – zgjedh të luajë me ndjenjat e atyre që për dekada me radhë kanë ëndërruar Shqipërinë, e jo Berishën.

Ideja e Berishës nuk është e re. Ajo ka kohë që është hedhur nga Aleanca Kuq e Zi. Por, duke provuar ta përvetësojë dhe promovojë, madje nga një mbledhje qeverie, ai po përpiqet që me një gur t’i vrasë dy zogj: në njërën anë të promovojë veten si një nacionalist të denjë, që do t’ia kishin lakmi edhe burrat e motit, e në anën tjetër të dobësojë kundërshtarët politikë, në kohën kur vetë është në pozitë mjaft të vështirë, pas dështimit për t’i siguruar statusin e vendit kandidat Shqipërisë.

Berisha di të bërtasë e të premtojë çudira nacionaliste, por hesht dhe nuk tregon se çështjet si ajo e shtetësisë, ligjit për shtetësinë dhe dhënies së pasaportave janë skanuar në detaje nga Brukseli, para se qytetarët e Shqipërisë të fitojnë liberalizmin e vizave.

Për më tepër, ideja e Berishës jo që është qesharake, por është edhe e rrezikshme dhe do t’i shërbente edhe spastrimit etnik të shumë zonave të banuara me shqiptarë në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi. Për t’u arritur ky synim fatkeq, do të mjaftonte që këto shtete t’i ndryshonin ligjet aktuale për shtetësinë.

Njëkohësisht, realizimi i kësaj ideje antieuropiane, antiintegruese, por edhe antishqiptare, e mbështjellur me plot atdhedashuri e pseudopatriotizëm, do të ishte një goditje e fortë për shtetin e Kosovës – projektin që Berisha e sabotoi në kohë lufte, e që dëshiron ta shkatërrojë në paqe. Por, kjo do të ishte një goditje edhe për vetë Shqipërinë, e cila do të bllokohej në të gjitha proceset e mëtejme integruese. Një shërbim çfarë nuk e meritojnë shqiptarët nga Berisha “vizionar”, i cili në grahmat e fundit të jetës në pushtet, ia jep vetes luksin të dalë me të tilla ide.

* * *

Hidromorava

Nacionalizmi anakronik, çfarë e promovon tash Berisha, është një kartë e djegur e cila është provuar nga ai në forma të ndryshme edhe më parë.

Berisha nuk ka ndryshuar, është po ai i vjetri – ai që shqiptarëve të Kosovës tash dy dekada nuk u ka ofruar asgjë më shumë se fjalime e premtime folklorike.

Athua pse e bëri publike këtë nismë mu tash, e jo ta zëmë para njëzet vjetësh? Apo para shtatë-tetë vjetësh, atëherë kur u rikthye në pushtet. Ose para pesë vjetësh, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ose, të paktën, para dy vjetësh, atëherë kur pritej të hiqeshin vizat për të dhe qytetarët që ai qeveriste.

Jo, sepse atëbotë Berisha do ta rrezikonte pushtetin e tij. Këtë kartë ai e ka ruajtur me qëllim deri tash, kur i janë harxhuar të gjitha të tjerat dhe kur duket se e ka kuptuar që më nuk ka shpëtim. Si zakonisht, kur i bie niveli i folklorizmit, ai e “zbulon” Kosovën. Ashtu sikurse bën kur i bie niveli i përfitimeve në kurriz të Kosovës.

* * *

Ideja e Berishës është e parealizueshme, pavarësisht se mund të çojë peshë zemra kosovarësh që ngarendin të plotësojnë aplikacione shtetësie në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë..

Njësoj si Berisha në Tiranë, edhe këta në Prishtinë gjithçka e bëjnë në llogari të përfitimeve politike.

Shtetësia është zgjedhja të cilën e bëjnë njerëzit e lirë, për të jetuar në një vend. Ky nuk është rasti me nismën e fundit.

Ideja e Berishës nuk është bashkuese, por shkatërruese. Por, e mira e gjithë kësaj është se ky është vetëm edhe një premtim i tij. Një premtim bosh.

Shqipëria nuk bëhet atdhe i të gjithë shqiptarëve duke ofruar copa letrash, por duke ofruar mirëqenie, siguri, zhvillim ekonomik e stabilitet. Edhe këto premtime boshe të Berishës.