Karaqeva ndihet më e relaksuar

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Banorët e fshatit Karaqevë ndihen më të sigurt dhe më të relaksuar pas një jave të tendosur ku xhandarmëria serbe kishte hyrë me motor në brendi të fshatit. Selver Lenjani përfaqësues i fshatit dhe Ramiz Kekak këshilltarë komunal nga radhët e LDK-së thanë për rajonipress se gjendja tani është kthyer në normalitet dhe për këtë qetësi meritat i takojnë policisë së Kosovës e cila është stacionuar në tri punkte të veçanta.

Pas një jave të tensionuar dhe me provokime të vazhdueshme nga ana e xhandarmërisë serbe banorët e fshatit Karaqevë ndihen më të relaksuar. Të paktën kështu janë shprehur për rajonipress Selver Lenjani përfaqësues i fshatit dhe Ramiz Keka këshilltarë komunal nga radhët e LDK-së.

Ramiz Keka tha për rajonipress se gati për çdo natë kujdestarojnë meshkujt e fshatit në hyrje, por tani së fundit kjo më nuk është e nevojshme pasiqë policia e Kosovës ka vendosur tri punkte-patrulla të veçanta.

Keka tha se situata është shumë më e mirë sesa që ishte para disa ditësh.”Tani jemi më të qetë dhe më të relaksuar. Tani po ndihemi më të sigurt sepse e kemi situatën nën kontroll. Meritat për këtë gjendje stabile tashmë i takojnë Policisë së Kosovës e cila është e pranishme në tërë perimetrin e vijës kufitare” tha Keka.

Mobi Casa

Edhe Selver Lenjani tha se takimet që ka pasur kreu i komunës Shaip Surdulli me KFOR-in amerikan dhe kontaktet e ushtarakëve të KFOR-it me xhandarmërinë serbe kanë ndikuar që situata të përmirësohet.”Ne jemi të vendosur që vijën kufitare ta mbrojmë me çdo kusht në mënyrë që mos të cenohet si herëve tjera. Jam i sigurt se edhe xhandarmëria serbe i dinë veprimet tona sepse ne kemi të drejtë dhe nuk heqim dorë nga asnjë pëllëmbë toke” thotë Lenjani.

Lenjani tha se policia e Kosovës ka bërë një gjest shumë të guximshëm sepse me kohë ka dalur në mbrojtje të qytetarëve të saj.”Ne edhe më tutje vazhdojmë të kërkojmë nga Qeveria e Parlamenti që në seancat e tyre ta shtrojnë si problem serioz zgjidhjen e vijës kufitare. Edita Tahiri është dashur që të paktën ta vizitojë këtë pjesë të kontestuar të kufirit sepse në bisedimet e ardhshme kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë” tha Lenjani.

Ndryshe deri tani i vetmi Lutfi Haziri deputet i Kuvendit të Kosovës që ka shprehur gatishmërinë dhe ka vizituar Karaqevën ku së bashku me Shaip Surdullin kanë biseduar me banorët lokal./rajonipress/