Mobi Casa

Karaqeva kërkon vëzhgim të kufirit nga KFOR-i dhe vëmendje nga institucionet kosovare

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan- Në protestën paqësore që u organizua nga banorët e Karaqevës e të Kamenicës ku merrnin pjesë qindra banorë Shaip Surdulli tha se banorët janë të vendosur të qëndrojnë në trojet e veta përkundër provokimeve të xhandarmërisë serbe. Qeveria duhet të angazhohet më shumë për vijën kufitare ka shtuar ai derisa Selver Lenjani ka parashtruar shtatë kërkesa duke kërkuar siguri nga KFOR-i dhe vendosjen e një stacioni policor në Karaqevë.

Ka filluar e qetë dhe ka përfunduar e qetë protesta paqësore e banorëve të Karaqevës dhe e shumë pjesëmarrësve nga Kamenica në mbrojtje të vijës kufitare dhe stopimin e hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës raporton rajonipress.

Në këtë protestë ka marrë pjesë edhe kryetar i Kamenicës Shaip Surdulli i cili që nga fillimi është solidarizuar me banorët dhe kërkesat e tyre reale e të drejta.

Selver Lenjani kryetar i këshillit lokal në Karaqevë ka folur për qëllimin dhe mesazhin e protestës. “Ne jemi këtu sot që të tregojmë hallet dhe brengat tona dhe njëkohësisht tu bëjmë me dije institucioneve të Kosovës se ne pa dashjen tonë po dalim e po protestojmë në rrugë” ka thënë Lenjani.

Lenjani tutje ka lexuar shtatë kërkesa në emër të këshillit protestues. Kërkesa e parë sipas Lenjanit është se ata nuk do të njohin asnjë kufi pa pëlqimin e fshatrave, pastaj nuk do të lejohet vendosja e forcave serbe dhe të xhandarmërisë serbe në Kosovë, nuk do të njihen hartat e fabrikuara e të falsifikuara nga Serbia, kërkesa tjetër lidhet me vendosjen e një stacioni policor të Kosovës në Karaqevë, në mënyrë që të ketë siguri për qytetarët e kësaj zone, një kërkesë tjetër është drejtuar nga KFOR-i i cili duhet të ndalojë lëvizjet e forcave serbe në Novosellë e Karaqevë, pastaj është kërkuar nga KFOR-i që të vëzhgojnë dhe patrullojnë çdo ditë vijën kufitare, si dhe është kërkuar mbrojtje e përhershme nga institucionet tona qendrore.

Lenjani tha se nëse nuk realizohen kërkesat do të radikalizohet gjendja dhe tutje askush nuk do të marri përgjegjësi.

Uji Dea

I pari i komunës Shaip Surdulli tha se kanë kaluar 14 vjet pas hyrjes së NATO-së në Kosovë dhe forcave të tjera ndërkombëtare, dhe formimin e institucioneve legjitime të Kosovës si dhe ato komunale dhe ende nuk është zgjidhur ky problem.”Kërkoj nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt ta shtrojnë ketë problem që të zgjidhet sepse një pengesë mjaft e madhe dhe një presion që na behet qe disa vite me radhë”.

Surdulli ka thënë se përkundër këtyre presioneve dhe provokimeve të xhandarmërisë serbe banorët e fshatit Karaqevë, e Novosellë dhe fshatrave të tjera jemi të vendosur që edhe me vdekje mos me lëshua këtë vend. “Personalisht me familje jetoj shumë afër xhandarmerisë serbe dhe ne nuk do të hezitojmë për të dalë dhe për të punuar fushat që i kemi për shkak se në atë vend kanë ardh stërgjyshërit tanë dhe ata kanë ardh të përjashtuar nga territori po ashtu shqiptarë nga komuna e Vranjes” ka thënë Surdulli.

Surdulli ka shtuar se institucionet e Kosovës sa më shpejt duhet ta marrin parasysh rastin e Karaqevës sepse ne s`kemi ku shkojmë nga trojet tona.

Sipas Surdullit kjo pjesë e zonës kufitare kërkon edhe prioritetet e saja si nga Qeveria ashtu edhe nga Komuna. “Komuna e Kamenicës do ta ketë me prioritet këtë zonë kufitare sepse duke mbrojtur Karaqevën ne mbrojmë edhe shtetin e Kosovës” tha Surdulli.

Protesta është vëzhguar nga KFOR-i dhe policia e Kosovës dhe ka kaluar pa asnjë incident./rajonipress/