Karaqeva ka një porosi: Mos e prekni Amerikën?
Gjilan – Jemi në krah dhe në mbështetje të plotë të ambasadorit amerikan dhe të SHBA-së në përgjithësi. Pa Amerikën dhe ndihmën e saj xhandarmëria serbe do të hynte për 30 minuta në Kamenicë. Zoti e bekoftë KFOR-in amerikan dhe ushtrinë amerikane që po na japin guxim e vullnet për të jetuar e qëndruar ende në tokat tona shprehet Selver Lenjani.
Selver Lenjani i cili thotë se këtë dedikim e jep në emër të banorëve të zonës kufitare në Karaqevë ka një lutje për të gjithë ata që mendojnë se janë rreshtuar kundër ambasadorit amerikan. “E tërë Karaqeva është në mbrojtje të ambasadorit amerikan, në mbrojtje dhe në përulje të SHBA-së. Mos e prekni Amerikën e as ambasadorin sepse po të mos ishin ata Serbia për 30 minuta hynë në Kamenicë” shprehet Lenjani.
Lenjani thotë se jo vetëm që janë naive këto kërkesa, por janë edhe fëmijërore. “Ishalla nuk ka mendime të tilla në mesin e politikanëve të opozitës sepse kjo do ta fundostë përgjithmonë atë. Unë dhe banorët e Karaqevës i jemi mirënjohës ambasadorit Delawie e SHBA-ve dhe në veçanti KFOR-it amerikan që po na bëjnë të mundur të jetojmë të qetë dhe po na japin guxim e vullnet për të jetuar e qëndruar ende në tokat tona” u shpreh Lenjani.
Lenjani thotë se në çdo protestë të organizuar kundër xhandarmërisë serbe ka valuar flamuri amerikan përballë atij shqiptar. “Kështu do të jetë gjithmonë dhe në çdo vend ku ne jemi të pranishëm do të jetë edhe flamuri amerikan. Në zemrat tona dhe në shpirtrat tanë jemi përherë me Amerikën” shprehet Lenjani. /rajonipress/


