Fundamenti

Karajanov: Stanqiqi do të jetë pikë kufitare ndërkombëtare

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në organizim të Forumit të Bashkësive të Komunave Funksionale Ndërkufitare në Gjilan të enjten kanë qëndruar përfaqësues shtetëror nga Maqedonia, Shqipëria derisa ambasadori i Maqedonisë në Kosovë Stojan Karajanov tha se së shpejti pritet të hapet pika ndërkombëtare kufitare në Stanqiq.

Forumi i Bashkësive të Komunave Funksionale Ndërkufitare që udhëhiqet nga profesor Sabri Kadriu ka arritur që të enjten në Gjilan të sjellë emra të njohur nga fusha e politikës, ekonomisë, ekologjisë, kulturës, arsimit nga shteti maqedonas, pastaj zyrtarë të lartë nga shteti shqiptarë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ekspert të fushave të ndryshme, biznesmen etj.

Sabri Kadriu në emër të organizatorit tha se ky Forum do të jetë një urë lidhëse e të dyjave vendeve Maqedoni-Kosovë. “Kemi shumë gjëra të përbashkëta mes dy popujve, kemi shumë mundësi që përmes rrugës në Stanqiq ta zhvillojmë jetën ekonomike e sociale. Kufijtë gjithkund në Evropë janë formal dhe kështu do të duhej të ndodhë edhe në Stanqiq e Debëllde” tha Kadriu.

Kurse Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit i cili është caktuar edhe si kryesues i komunave kufitare në rajon tha se do të mundohet që të bëjë punë të mira për të relaksuar vijën kufitare.”Barrierat ndërkufitare jam i sigurt se më nuk duhet të jenë pengesë për tu zhvilluar dy shtetet andej e këndej kufirit. Bashkëpunimi ndërkufitarë sjellë punësime të reja, sjellë zhvillim ekonomik dhe pse jo prodhon edhe stabilitet siguri tek ne” tha Mustafa.

Kurse ambasadori i Maqedonisë në Kosovë, Stojan Karajanov tha se që nga koha kur Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet janë nënshkruar mbi 22 marrëveshje bilaterale. “Në vitin 2009 nga ana jonë është dhënë ideja për hapjen e pikës kufitare në Stanqiq e cila e shkarkon shumë kufirin në Bllacë. Në vitin 2010 ne i kemi dhënë Qeverisë së Kosovës draftin, por normalisht që kjo donë kohë dhe ne ndërkohë kemi konkurruar me projekte në Unionin Evropian ku janë ndarë mbi 2.5 milion euro për ndërtimin e rrugës së Kumanovës që shpije deri në Stanqiq”.

Fundamenti

Karajanov tha se kufiri në Stanqiq do të jetë ndërkombëtarë dhe i hapur 24 orë. Punën e Forumit e kanë përkrahur dhe përshëndetur edhe Tomor Avdija përfaqësues i ambasadës së Shqipërisë në Kosovë dhe Bujar Desku nga Ministria e Punëve të jashtme të Kosovës.

Avdijaj tha se puna e Forumit duhet të gjejë mbështetje edhe nga qeveritë qendrore, kurse Bujar Desku tha se idetë e këtij Forumi janë shembulli më i mirë sesi mund të relaksohen kufijtë rajonal në interes të të dyja vendeve.

Edhe Sonja Lepitkova sekretare shtetërore e Maqedonisë tha se kufijtë duhet të jenë vetëm kadastral dhe administrativ në të ardhmen. Në këtë Forum ka folur edhe Sokol Miloshovski prefekt i Shkupit i cili tha se të dyja vendet kanë potenciale ekonomike e kulturore. “Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të bëjnë më të mirën për të bashkëpunuar si në aspektin ekologjik, ekonomik dhe kulturor” tha ai.

Në këtë takim rajonal kanë folur edhe Millan Stojanoviq nënkryetar për komunitete në Gjilan i cili e ka vlerësuar pozitiv takimin ku marrin pjesë shtete rajonale .

Agim Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës” ka përshëndetur iniciativën për liberalizim të kufijve dhe bashkëpunim në fusha të ndryshme me Maqedoninë./rajonipress/