Karaçeva bastion i LDK-së

Kamenicë – Në një atmosferë solemne dhe me primesa të spektaklit, në Karaçevë të Poshtme dhe të Epërme, në orët e mbrëmjes u mbajtën tubimet parazgjedhore të LDK-së, së Kamenicës. Nën tingujt e muzikës me këngët që i dedikoheshin dr. Ibrahim Rugovës, ku jehu i zërit dëgjohej larg, dukej sikurse po ktheheshin ato kohëra kur LDK-së i printe presidenti historik dhe legjendar.
Të pranishëm në këto tubime, pos kandidatit nga dega e Kamenicës dhe kryetarit të degës Shaip Surdullit qenë edhe Hazir Borovci- ish ushtar i UÇK-së, Njomza Emini (të dytë kandidatë për deputetë) si dhe dr. Avdi Pireva- një veprimtar i palodhshëm i LDK-së, e sidomos nder të veçantë i bëri, Hafiz Gagica, emri më i njohur i LDK-së për diasporë, sepse ai priu asaj me dinjitet në ato kohëra të pa kohë.
Kandidati për deputet dhe kryetari degës së LDK-së Shaip Surdulli, pas paraqitjes së një kronologjie të zhvillimeve në komunë dhe kritikave të mosbërjes asgjë, nga qeveria aktuale komunale, preku disa çështje që janë në programin e LDK-së dhe liderit të saj Akademik Isa Mustafa, si punësimi i të rinjve, zhvillimi ekonomik, arsimi më cilësor, shëndetësia etj.
Ai në mes tjerash tha se Qeveria e Hashimit, nuk ka bërë asgjë për Anamoravën, prandaj a nuk është kjo arsye për t’i thënë atij, se nuk e ke votën tonë, pra kësaj here do t’ia japim besimin LDK-së, sepse ajo është shpresa për të ardhmen tonë e sidomos të rinjve tanë”.
Hazir Borovci, theksoi me shumë vetëbesim; “LDK-ja do të fitojë, sepse shikojeni listën e kandidatëve për deputetë, të gjithë janë njerëz me biografi të pastër, njerëz të ditur në krye të së cilës ndodhet akademik Isa Mustafa.
Ai apeloi të votojnë masovikisht edhe kësaj radhe për LDK-në, liderin e saj, akademikun Mustafa dhe për njeriun tuaj zotëri Surdullin,që të mirën dhe të keqen gjithmonë e ka ndarë me ju. Ai do të punojë për ju”!
Njomëz Emini, theksoi faktin se Karaçeva, ka ditur të votojë, di të votojë dhe do të dijë të votojë.
Zotëri Gagica, anëtar i Këshillit të përgjithshëm në mes tjerash tha: “Po ta krahasojmë Kosovën e viteve të 90-ta e prirë nga Preisdenti Historik dr. Rugova, me Kosovën sot të udhëhequr nga Hashim Thaçi, atëherë ajo kishte më shumë respekt, më shumë mirëkuptim e më shumë miq. Hashimi sikur tallet me Anamoravën e që e ka lënë zorr qorre. Shih rrugët e shkatërruara, rininë tonë të bukur por të braktisur të lënë pa shpresë.Bota demokratike po na thotë që ta heqim këtë qeveri të korruptuar, sepse për rininë tone nuk ka vend më për azil. Ajo kërkon që të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu, ku do të ndihmohet shumë nëse hiqet kjo qeveri e papërgjegjshme”./rajonipress/