Hidromorava

Kapitalizmin në Kosovë po e ndërton elita politike!

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Nga Fadil Maloku- “Nëse gabimi heshtet, nuk i bën dëm askujt tjetër pos vetë vepruesit, mirëpo nëse shfaqet dhe nuk denoncohet, i dëmton të gjithë…”

1.Kosova në kapitalizëm ka hyrë pa përvojën e natyrshme konkurruese

Shoqëria kosovare si një shoqëri akoma tipike e tranzicionit, duke qenë e hendikepuar me faktin e mungesës së një lloj tradite sado kudo të vogël dhe të natyrshme në ndërtimin e raporteve kapitaliste, pra raporteve dhe logjikave të pamëshirshme tipike konkurruese përmes të cilave pa dyshim do të profilizoheshin, si: shtresat e ndryshme sociale ashtu edhe elitat e reja politike, ato ekonomike, kulturore e sociale. Shoqëria kosovare, duke qenë e privuar nga ky rrugëtim i natyrshëm i ndërtimit të kapaciteteve dhe institucioneve demokratike shkaku i fenomenit të“katapultimit” të saj nga një shoqëri tipike postsocialiste(bile edhe fisnore!) në një shoqëri të re demokratike, kujtoj është interesant për çdo eksplorues social të bëjë krahasimet e duhura sociologjike, në mënyrë që të kuptojë si specifikat ashtu edhe përvojën (nëse dëshmohen si të tilla) e ndërtimit të këtyre raporteve deri tani të panjohura.

Në shkrimet e mëhershme kam theksuar se rrugëtimi i Kosovës në ndërtimin e një kapitalizmi identik me vendet e tjera që tradicionalisht kanë kultivuar një tip të natyrshëm të këtyre raporteve ka dështuar… Dhe se ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë ka të bëjë me një lloj kapitalizmi grabitqar…i cili pamëshirshëm po e rrit dhe zbulon veten e vet përmes ushtrimit të monopolit në politikë dhe gllabërimit të sferave të tjera të jetës ekonomike, në vend që të krijojë parakushte ligjore e ekonomike për një shtresëzim të natyrshëm social që do të duhej të kultivohej sipas logjikës së një konkurrence lojale me rregulla strikte të arritura përmes një konsensusi të gjatë dhe maratonik midis botës së biznesit dhe shtetit si rregullator i këtyre raporteve. Bartësit e këtij lloji të kapitalizmit të vrazhdë dhe pa dyshim joproduktivë për gjithë shoqërinë kosovare, në fakt janë jo biznesmenët e ngritur në bazë të konditave dhe parametrave ekonomikë, por politikanët e rekrutuar përmes ushtrimit të fuqisë që u mundësoi aparati shtetëror dhe mekanizmat e ndryshëm institucionalë që për imperativ ekskluziv e kanë pasurimin brenda natës përmes shitjes së pasurisë shtetërore…

2. Mafia politike në rolin e kapitalistëve

Do të ishte krejt e natyrshme sikur procesi i shtresëzimit social në Kosovë të ushtrohej përmes konkurrencës së tregut, ku nismëtarët e rinj apo pronarët e vegjël në tregun e brendshëm të fuqizoheshin dhe të pasuroheshin sipas kësaj logjike, por procesi i krijimit të shtresës së të pasurve shkoj në një drejtim tjetër interesant. Në realitet rolin e kapitalisteve të rinj, e morën politikanët, të cilët deri dje s‘kishin në pronësi të tyre pothuajse asgjë pranë vetes, ndërsa tani janë bërë pronarë të shumë kompanive shtetërore, apo të paktën kanë aksione në këto kompani të cilat u sollën më parë me “meritat” e tyre në greminën e bankrotit në mënyrë që më vonë të njëjtat përmes procesit të privatizimit të egër (të ndodhur të spinoffit të famshëm?!) t’u shiten kompanive transnacionale. Dukuria e kooperimit të mafisë politike lokale dhe bosëve të kompanive të mëdha dhe të dyshimtë për fshehje të tatimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë në krijimin e kastës së re kapitaliste në vendet e tranzicionit është një proces do të thosha tejet i ri edhe nga ekspertët e lëmenjve të tjerë, por esenca është se ky fenomen në fazën e parë të ndërtimit të kapaciteteve kapitaliste, pra akumulimit të parë të kapitalit në një mënyrë apo tjetrën (siç e vlerësojnë ata) ishte në favor dhe funksion të fillimit të krijimit të kapitalit fillestar. Dukuri kjo që për shumicën e sociologeve ishte pa dyshim një shteg i radhës që pak a shumë e ndihmoi procesin tjetër të kriminalizuar dhe të njohur si “shpëlarje të parave” të një vendi që nuk ka ndonjë tradite në konsolidimin e legjislativit dhe të sundimit të ligjit. Tani kur të kihet parasysh që efektet e privatizimit në rastin e Kosovës akoma nuk janë të prekshme në kuptimin e shifrave të reduktimit të papunësisë për shtresat e gjera të punëtorëve, atëherë bëhet shumë më e qartë se shteti i ri i Kosovës është në rrugë të dështimit në menaxhimin e resurseve dhe pasurisë se gjithëmbarshme nacionale që qe ngritur me djersen e gjeneratave të tera në ish-regjimin e komunizmit.

3. Faktet kriminale që adresojnë kah elitat politike

Zakonisht për një përshtypje të këtillë shërbehen parametrat ekonomikë dhe ata socialë, që gjenden jashtë atij vendi apo atij shteti që ndodhin këto keqpërdorime dhe këto manipulime në nivele herë herë aferash e skandalesh sikurse ishte ai i vetëvrasjes së ish-kryetarit të AKP-së dhe aferave të tjera kriminale që në rastin e Kosovës, janë evidentuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë këtë proces.

Shtresëzimi që prodhoi ky fenomen i kolapsit të pasurisë shtetërore, në favor të grupeve apo klaneve që ishin afër apo më mirë me thënë menaxhonin procesin e ndërrimit të titullarit të pronës shtetërore, bëri që tani kemi një tipologji interesante dhe do të shtoja specifike të elitave ndër ne këtu në Kosovë.

Aktualisht do të mund të flisnim në vija të trasha për disa lloje elitash; elitat makrobiznesore që u rekrutuan nga sfera e politikës së pasluftës dhe elitat e tjera biznesore që përpëlitën dhe varën tërësisht nga ajo e lartcekura. Elita e cilësuar si makrobiznisore në rastin tonë menaxhohet kryesisht në parime familjare, fisnore, krahinore, etj. dhe në fakt tani edhe de jure është në proces të pronësisë së shumicës së kompanive dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore. Ndërsa, elita biznesore që realisht është ajo e kompanive të vogla të cilat kane hy me rreziqe në konkurrencës jolojale vendore edhe për shkakun se bosët e makrobizneseve ushtrojnë haraç si përmes taksave të ndryshme që ua shtojnë këtyre të dytëve në cilësinë e shtetarëve, ashtu edhe përmes financimit të dyshimtë të fushatave elektorale gjatë kohës së zgjedhjeve në nivele lokale dhe nacionale.

Mobi Casa

Kjo elitë që nuk ka qasje në politiken shtetërore, por që bashkëpunon ngushtë me elitat politike përmes formave të ndryshme të korruptimit dhe krimit të organizuar, është duke e ngulfatur si konkurrencën ashtu edhe në mënyrë indirekte instalimin e demokracisë në vend.

4. Pozita klasore kontradiktore (contradictory class location) dhe populizmi

Pra, duke i identifikuar në vija të trasha këto procese kontradiktore në shoqërinë kosovare, kuptojmë shumë thjesht se kapitalizmi grabitqar i ndërtuar në këtë mënyrë shumë lehtë mund të prodhojë edhe situata të tjera më komplekse në ndërtimin e vetë demokracisë.

Në Kosovë shembull më të qartë të populizmit politik kemi apelet e opozitës kosovare për të denigruar idetë dhe projektet sociale, politike e juridike sidomos të gjitha qeverive të pasluftës. Por, kësaj kur t’i shtohet edhe vetëdija qytetare për t’i denoncuar këto deformitete, demokracia është me lehtë për t’u instaluar. Demokracia populiste është e orientuar armiqësisht kundër sojit të kapitalizmit grabitqar dhe kërkon që pushteti sa më tepër të bartet në duart e qytetarëve, pra të ndodhë një lloj decentralizimi vetëm e vetëm që ata të kuptojnë se janë të përfaqësuar dhe se çdo gjë është transparente. Mjete karakteristike institucionale që zakonisht i përdorë për arritjen e qëllimeve politike të populizmit janë referendumi, iniciativa popullore dhe revokimi. Por, termi populist ngandonjëherë asocon edhe në diktatorët karizmatikë që fitojnë pushtetin duke i kritikuar politikat paraprake konvencionale të qeverive të korruptuara. Është, interesant që në rastet e tilla kur ka probleme të mëdha sociale këta tipa karizmatikë e shfrytëzojnë shumë shkathët këtë pakënaqësi sociale dhe shumë shpesh arrijnë si thuhet: që krizat sociale dhe ato ekonomike të vendeve të tyre i blejnë me bukë dhe me fenomenin e ashtuquajtur „cirkusin në rrugë“.

Historia e shoqërive perëndimore ka dëshmuar se ilaçi më adekuat për të ndërprerë proceset e tilla devijante në vendet dhe shtetet e korruptuara dhe ato të kriminalizuara janë pikërisht demonstrimet civilizuese të qytetarëve të atyre vendeve. Termi i tillë në kushtet dhe rrethanat tona aktuale të tranzicionit ngandonjëherë përdoret edhe me kuptim eufemist, ngase pretendimet për t’ i definuar jo qartë dhe jo në mënyrë shkencore proceset devijante sociale e sidomos ato ekonomike, manipulohen nga qeveritarët me arsyetime të llojllojshme! Në literaturën sociologjike, ky termë apo koncept nënkupton „taktikë politike primitive, që ka për qëllim mashtrimin e turmave, manipulimin me to në saje të dhënies së gjërave që janë të parealizueshme dhe të flirtimit demagogjik me turmat“. Kurse në literaturën politike bashkëkohore ai definohet si ideologji ose doktrinë politike që shoqërinë e sheh si të ndarë në grupe homogjene antagoniste: njerëz të ndershëm dhe elita të korruptuara, dhe që pohon se politika duhet të jetë shprehje e lirë e njerëzve (volonté générale) dhe se nuk do të ishte e arsyeshme të intervenojë gjithherë ndajë kërkesave të tilla të shfaqura ndër qytetarët e vendeve të tranzicionit. Arsyeja e thjeshte, është se kështu ngulfatet demokracia dhe ndërtimi i kapaciteteve shtetërore…një hapësirë që në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit e shfrytëzuan me shkathtësi milimetrike elitat politike të atyre vendeve, si Rusia, Moldavia, Serbia…po as Kosova s’bënë ndonjë përjashtim të theksuar. .

5. Populizmi s’është gjithherë ideologjik

Gjithashtu kur jemi te ky koncept duhet ndonjë definim për të ilustruar situatat identike shoqërore të një vendi apo shteti s’ka, ngase në kushtet dhe rrethanat p.sh. të shek. tonë termi i populizmit mund të kuptohet e identifikohet me ndonjë lëvizje apo edhe një ideologji që përdorë taktikat e mobilizimit të qytetareve për qëllime të caktuara politike. Në rastin tonë me siguri partitë e tjera qeveritare dhe opozitare kur dëshirojnë ta stigmatizojnë psh kundërshtarin e tyre politikë, zakonisht përdorin sintagmën e populizmit në mënyrë që kundërshtarin e vetë ta fusin në një thes me lëvizjet komuniste të tipit çegeverian dhe atë kastrian…që është një absurd i llojit të vet, ngaqë me siguri në një analize më të thuket do të kuptonim që kjo lëvizje s’kanë asgjë psh. të përbashkët me ideologjitë e lartcekura.

Ajo që e shquan zakonisht lëvizjet e tilla, në fakt edhe parti politike është një lloj popullzimi demokratik që ka të bëjë me një përfaqësim shumë më gjerë të pushtetit nga ana e njerëzve pra qytetarëve të Kosovës. Por, për këtë çështje në ndonjë nga analizat tona të ardhshme do flasim patjetër. Por, ajo që dua të theksoj është se: tipi i populizmit të cilësuar si demokratik, pra një rebelimi modern të qytetarëve që janë tejet të pakënaqur me statusin e tyre te ri social e ekonomik në demokracitë e reja të transicionit, pa dyshim janë mjetet e zgjedhura dhe të lejuara për të shprehur sidomos pakënaqësitë e natyrës sociale dhe të tyreve ekonomike. Arsyeja, është thjesht: Ky rrafsh është zakonisht më i ndjeshmi për shtresat e pamësuara sociale të kenë probleme ekzistenciale, ashtu siç ndodhi në shumicën e vendeve të transicionit( por interesant, jo akoma edhe në Kosovë!) .

Ndër këto mjete padyshim që s’përjashtohen ato të inicimit të referendumeve të ndryshme, iniciativave në formë dhe përmbajtje të peticioneve që zakonisht u adresohen shtyllave institucionale, pastaj mekanizmin e revokimit, etj. Pra thënë në tërësi një spektri të gjerë mjetesh dhe mekanizmash institucional për të kontestuar si p.sh. keqqeverisjen ashtu politikat e ndryshme jo produktive politike, ekonomike, sociale e strategjike për një vend apo shtet ku s’ka lëshuar akoma bie fjala shtat demokracia.