UBT

Kapërcyelli midis ferrit të dhunës dhe lirisë

/ 20 minuta lexim

Nga Remzije J. Zekolli – Prend Buzhala, Në kapërcyell, roman me tregime pleqërishte, Lena, Prishtinë, 2020. Prend Buzhala është ndër ata shkrimtarë të rrallë që e kupton në thellësi përdorimin dhe aspektin e gërshetimit të krijimeve të gjinive e llojeve të ndryshme brenda zhanreve letrare: brenda një teksti gjen rrëfim, poezi, dramë, diskurs eseistik, tregimin e shkurtër, skicën, përsiatjet, si dhe formën faktografike të gërshetuar me fiksionin. Kjo e përbën atë tip proze që sot quhet poetikë postmoderne.

Edhe dy romanet e përparshme: “Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë” (2003) edhe romani i dytë “Njerëzit prej fijeve të dritës” (2019) lexohen si një tërësi e tillë artistike. Të tre romanet e plotësojnë njëri-tjetrin dhe e interpretojnë njëri-tjetrin, duke formuar, kështu, një tërësi romanore sintetike, të madhe, ku ka shumë pyetje e përgjigje për çështje të esencës dhe ekzistencës së njeriut. Dimë për të kaluarën, por ajo shfaqet me petkun e fantastikes, madje na shfaqet më fantastike se e ardhmja.

Vlen për t’u theksuar se që të tre romanet përbëjnë një problematikë komplekse të narratologjisë, për faktin se autori përdor teknika e metoda të ndryshme narrative, si dhe perspektiva të ndryshme të personazheve e modele të veçanta përshkrimesh të situatave, të gjendjeve psikologjike apo të gjendjeve “pleqërishte” (personifikime të urtisë), siç na thotë narratori i veprës.

1. Kornizat e jashtme të veprës
Autori i më se shtatëdhjetë librave Prend Buzhala në fundin e vitit 2020 boton romanin “Në Kapërcyell”. Kështu lexuesit i dhuron disa rrëfime brenda kornizës rrëfimtare të këtij romani. Autori ka kohë që e ka formuar individualitetin e tij krijues dhe profilin e tij prej prozatori, me tre romane e me pesë vëllime prozash të shkurta, apo siç i quan ai vetë “tregime me pak fjalë”.

Roli i autorit në shpërfaqjen e imazheve në rrëfimet e tij është i rëndësishëm, ai bredh sa në një pamje rrëfimtare, sa në tjetrën pamje rrëfimtare, kthehet mbrapa në kohë e hapësirë, por personazhi mbetet i njëjti, Plaku në kapërcyell.

Ai hyn në botën e tij shpirtërore në momentet e caktuara gjatë rrëfimit të këtyre tregimeve. Romanin e ndan në gjashtë njësi tekstore. Ndarja apo sistemimi i kësaj njësie tekstore romanore është tejet e veçantë, mu për këtë arsye përbërjet tekstore të secilës njësi po i paraqesim veç e veç.

Pjesa e parë e romanit është strukturuar në këtë mënyrë: Një, 1998, Alfa Rrëfimi (ose rrëfimi që nuk lindi). Nga tregime pleqërishte I, të cilën e përbëjnë shtatë njësi strukturore apo “tregime pleqërishte” me metaforizimin e titujve: Fryma e asaj që e flet, Padrejtësa ndaj vetvetes, Bashkat e reve u kreshpëruan, Dita më jetëshkurtër, Shtëpia më e bukur, Iu duk se u zhyt aty ku nuk duhej. Më pastaj vazhdon pjesa e dytë e strukturuar kështu: DY, 2000, Beta Rrëfimi (ose rrëfimi i mbajtur peng), Nga tregimet Pleqërishte II, kjo pjesë e romanit ka këtë përbërje strukturore tregimesh “pleqërishte”: Përpara napës së zezë, Pasqyra e thellë, Ishte koha e heshtjes, Dy faqet e të njëjtës medalje, i kishte mbetur vetëm shikimi, Hapat që trokasin edhe kur gjendesh në gjumë dhe Fjalia që mungon. TRE, 1956, Theta -rrëfimi(ose vdekja e dhimbjes ose vdekja e rrëfimit). Nga rrëfimet pleqërishte III, e cila përbëhet nga shtatë njësi tregimesh unike të tilla: Greminën e lanë pasë, Sipari mbeti i pa mbyllur, Personazhi i një drame të heshtur, Shkopi për mbështetje, Njeriu i thyer dhe Transnistria, Vajza që buzëqeshte, Si të arrish në majë. Pjesa e katërt: Katër, 2006, Delta Rëfimi (ose rrëfmi me fije të këputura). Nga tregimet pleqërishte IV, po ashtu me shtatë tregime: Një sekondë e ankthit, E çka të bësh pas humbjes, Qentë në ferrin e tokës dhe kontributi i tyre në histori, E ku të mbështetesh në kohë të vështirë, Manin që nuk e prek as rrufeja, Rrëfimi që nuk lindi, Koncerti që arriti edhe në spitalin e Vjenës. Pesë 1999, Gama Rrëfimi ose rrëfmi). Nga tregime pleqërishte, V, të cilin e përbëjnë shtatë njësi tekstore: Hapsira parajsore, Zgavra e lisit, tri rrëfime për rrëmujës, Kodi i pafajësisë, Një shenjë për varr, Së bashku me murin ra edhe shpirti i çliruar, Mali u shndërrua në një hapësirë artificiale. Gjashtë paralaks rrëfimi, pa datë, pa kohë (ose rrëfimi në kapërcyell), Nga tregimet pleqërishte, VI, i cili përbëhet nga pesë njësi tekstore: Çasti i përsosur, Mjeshtri i kohës, Tumbullacja që nuk fluturonte, Një buzëqeshje përtej varrit. E në fund vjen teksti i shkurtë, si njësi më vete, Në Dalje.
Ky është një lloj letërnjoftimi i romanit nga ana e jashtme, kurse korniza e brendshme është e pasur me pamje, ngjarje, figura, personazhe, përjetime. Lexuesit i duhet kurajë, durim e qetësi për ta njohur më mirë botën shpirtërore të thyer të personazhit të këtij romani i cili në kapërcyellin e vet i ripërsërit proceset në kohë dhe rrethana të ndryshme historike nëpër të cilat na shpie narratori. Ky tekst përmes tregimeve si tërësi strukturore e librit rrëfen botën e brendshme të personazhit përmes kujtimeve e që shpesh na kthen në retrospektivë.

Është një luftë e brendshme e njeriut mes realitetit, në të cilin i shikon skenat barbare të vrasjeve, i dëgjon klithmat e llahtarshme kur dhunohet nusja shtatzënë, personazhi e sheh e epilogun tragjik të dhunës serbe që e ushtrojnë në familjen e tij dhe ndaj mysafirëve që u gjinden aty, personazhi e përjeton gjithë këtë dramë me dhimbje në shpirtin e tij të plagosur. Kjo ngjet te pjesa e parë, alfa-rrëfimi, më 1998. Është një pamundësi e personazhit, një pafuqi njerëzore për t’i luftuar bishat e egra serbe, për t’i ndaluar vrasjet dhe dhunimet që i bënë ata në luftën e fundin në Kosovë.

Në vazhdim, si pjesë narrative, kemi edhe retrospektivën e të njëjtës familje dhe të të njëjtit personazh (rininë e Plakut), sepse në vitin 1956, i cili në moshën rinore përjeton burgosjen e babait të tij, dhe hedhjen në gropën e gëlqeres të gjyshit, si rezultat i dhunës në aksionin e kërkimit të armëve, pra personazhi edhe në atë kohë ai ishte një shikues nga larg i gjithë dramës tragjike që e përcolli familjen e tij në kohën e mbledhjes së armëve apo koha e Rankoviqit, i thoshin atëherë, “quajeni si të doni ishte kohë dhune e terrori”, siç shprehet narratori.

Në këto rrethana si kjo e personazhit tonë, njeriu i Kosovës është gjendur në shumë situata të ngjashme, kur pjesëtarët e policisë i kanë dhunuar femrat në prani të familjarëve, i kanë vrarë ata në prani të prindërve e që janë imazhe të dhunës e terrorit, të cilat me aq mjeshtri Buzhala ia ofron lexuesit të tij.
Rrëfimet e dhimbjes për përjetimet e kombit nga okupimi serb vazhdojnë nga kapitulli në kapitull. Buzhala na sjell shtegun e rrëfimit personazhi i tij ndonëse gjatë jetës thyhet dy herë, ai nuk dorëzohet, vetë rrëfimi i kësaj ngjarje e që të tjetër e lexojnë, është triumf i tij shpirtëror që ka arrit ta rrëfejë gjithë atë mizori që okupatori e shkaktoi në Kosovë. Nuk është për t’u habitur pse autori përmes rrëfimit kthehet herë pas herë nga një ngjarje në një tjetër, nga një vit në vitin tjetër, ngjarjet sikur i japin diçka njëra-tjetrës, siç ishte rasti i vrasjes së babait të personazhit apo dhe rasti i vrasjes së familjarëve të tij në vitin 1998, pra personazhi bëhet shikues i “spektaklit” të dhunës e terrorit serb ndaj popullit autokton shqiptar ndër kohëra. Ne duhet të mbështetemi te vetja jonë, siç shprehet narratori, në një nga rrëfimet e këtij romani.

2. Poetika e konfigurimit të përbërësve narrativë
Secili tregim, tridhjetenëntë sish, këtu, janë margaritarë të rrallë, që përfaqësojnë gjithçka që ne mendojmë, përjetojmë, ndiejmë. E vërteta është se autori e thotë atë që ne nuk arrijmë ta themi. Ne kemi kujtimet tona, por se si ato organizohen, sistemohen në drejtimin e duhur, këtë e mësojmë nga shkrimtari. Autori na mëson se ekziston dhe një matje tjetër kohe, e ndryshme nga ajo kalendarike. janë medaljone kujtese, që krijon kënaqësinë e leximit e të përjetimit. Në këto medaljone, kur ne shohim aq shumë vurratat vuajtjesh, plagësh, aq shumë drama tragjike, aq shumë shpirtra të plagosur, autori na e dëshiron besimin e tij dhe na pajis me këtë besim. Po, bota dhe jeta e plagosur dhe e sëmurë mund të shërohen përsëri, mund ta marrin të mbarën. Ka në këtë roman edhe skepticizëm për vlerat njerëzore, me veprimet e bëmat keqbërëse të njeriut; por aty vjen kërkesa me këmbëngulje për rimëkëmbje, ringjallje, për ta bërë edhe një ecje, edhe një kapërcim të së keqes, për ta ndërtuar edhe një kapërcyell të kalimit nga errësira në dritë, nga lufta dhe vrasjet në paqe.

Le ta përfytyrojmë se sa shumë kohë kanë zgajtur tragjeditë e kësaj familjeje. Dhe sa e trishtueshme është një jetë e tillë. Fjetjet e zgjimet me ankth, të jetuarit dhe lëvizjet nën trishtimin e mbikëqyrjes policore e shtetërore. Burgosjet, vrasjet, lufta. Duket sikur të gjitha këto e kanë plandosur për tokë personazhin e kësaj vepre, Plakun, por jo! Të gjitha ato sikur e kanë formuar më shumë, e kanë pajisur me thellësi e margaritarë urtie, qëndrese e zhvillimi të brendshëm, e kanë kalitur në karakter e në shpirt. Kjo kalitje e ky formim nuk vështrohet me tribunalizëm a mbufatje të jashtme, por me vëzhgime të brendshme.

Eco Higjiena

Romani ka situata tipike narrative. Teoricienët gjermanë (si Stanzel), bie fjala, vërejnë që, romansierët, kur përdorin situata të tilla tipike narrative, përdorin Zërin e Ndërmjetshëm apo Zërin e Rrënimtarit e ku një konfigurim specifik qëndron tek tre përbërësit vijues: personazhet, perspektivat dhe mënyra (Përbërësi i parë – personazhi, që përmbahet në pyetjen “Kush rrëfen?” dhe përgjigja për këtë pyetje është tregimtari, i cili mund të paraqitet si një personazh i pavarur ose mund të fshihet pas asaj që rrëfen, dhe kështu të jetë e padukshme për lexuesin). Ky përbërës e thur hapësirën ekzistenciale në tensionet dramatike të saj. Kurse një përbërës tjetër janë perspektivat, siç është perspektiva narrative e Njeriut të Kosovës nëpër dekada, d.m.th. saktësohet vendi nga ku rrëfehet një ngjarje a histori, e ky vendin qendror e zë personazhi kryesor (në këtë rast Plaku); ose narratori jashtë ngjarjes, porse te ky roman rrënimtari i gjithëdijshëm jashtë ngjarjes (siç nis edhe romani), në veten e tretë, e këmben rrëfimin me veten e dytë e herë me veten e parë, për ta krijuar situatën autentike të rrëfimit, herë si dëshmitar, herë si vëzhgues e herë si pjesëtar i drejtpërdrejtë i ngjarjes. Stancel përmend edhe përbërësin e tretë, modusin, si prodhim të marrëdhënieve të shumta të dritëhedhësve (reflektorëve) e që e ndërton unitetin e sistemit të motivacionit, tematikës, ideve dhe veprimeve e botëve ndër-personale. Tek të tre përbërësit shfaqen kundërshtimet: narratori duhet ta ketë kundërshtimin a zërin kundërshtimor (siç paraqitet me replika Zëri i Padukshëm), si dhe antiteza midis narratorit kryesor dhe jo-narracionit (dmth e dritëhedhësve të raporteve tekstuale e mes personazheve dhe ngjarjeve).

Duke e thirre në ndihmë këtë teoricien gjerman, këto tri situata narrative tipike, thurin: situatën narrative autoriale, situatën narrative të personazhit dhe situatën e rrëfimit në këmbimin e vetave. Kjo është ajo që mund të quhet poetikë e konfigurimit të përbërësve narrativë.

Sipas Zherar Zhenet, një autor e ndërton edhe distancën d.m.th. “mënyrat e rregullimit të informacionit narrativ dhe përfaqësojnë një kategori të mënyrës narrative”, apo siç e theksonte që moti Platoni te vepra e tij “Republika” dy format e rrëfimit: mimesis-in (përshkrimin, imitimin, fjalimin e drejtpërdrejtë të personazheve) dhe diegesis-in (, ndërsa diegesis i referohet fjalimit të narratorit, me të cilin është në distancë më të theksuar në lidhje me përfaqësimin e drejtpërdrejtë të fjalës së personazheve).
Kësisoj, edhe te ky roman ka tekste komplekse përfaqësimi: ka monologë, monologë të shndërruar në dialog dhe anasjelltas; teskte të fjalës së transponuar, si “fjalim indirekt”, i cili karakterizohet nga një prani e madhe e rrënimtarëve dhe i cili integron fjalët e personazheve në brendinë e rrëfimit të personazhit ose të rrëfimit autorial. Mandej do të vijnë tekste komentuese, diskursive, eseistike, tekste të traktateve psikologjike apo filozofike, tekste parabolash apo përsiatjesh të gushave të ndryshme të përjetimit, rrëfimit dhe shtjellimit.

Ndryshe nga romani tradicional, autori i ndryshon parametrat e njësive semantike, prandaj theksi kësi i autorit bie mbi fjalën dhe mbi fjalinë e deri te ndërlidhja ligjërimore e tekstit. Nuk janë të rastit përse një fjali shpesh përbëhet nga një fjalë, apo një njësi sintaksore-hipotaktike fjalish të përbëra e të nënrenditura, është e gjatë disa faqe! Një fjali e shtrirë në disa faqe! Dhe ky përdorim i tillë ka ngarkesa stilistike, estetike apo ligjërimore, për të shënjuar situata të rrjedhës së nënvetëdijes, situata ankthi, apo situata shënjuese debati. Tekstet e tilla shfaqen si “lojë”, si perspektiva të realitetit të mundshëm (Aristoteli bën dallimin midis historisë dhe letërsisë, ku e para paraqet të ndodhurën dhe e dyta paraqet të mundshmen). Kjo “lojë” herë e rrudh ngjarjen, e herë e shtrin, sipas një poetike të kontrastit. Ky kontrastim paraqitet edhe midis kapitujve (tekstet e romanit, me tensione ngjarjesh) dhe tregimeve, si ulje e këtij tensioni e ku nuk paraqiten situata dhune, por situata parabolash, përvojash etj të personazhit.

Madje vetë autori e thur metarrëfimin ose tekstin narrativ mbi shpjegimin e vetvetes, por këtu me synim për të shënjaur situatat psikologjike, etike e shoqërore të personazhit:
“Ky rrëfim është i robëruar. Më mirë të thuhet, i rrëmbyer. Dhe, në gjendjen e tij të mbërthimit në pranga, tregimi detyrohet të kallëzohet i tëri, të tregohet pikë për pikë. Të shkarkohet…
Kur e dëgjoi Plaku zërin e këtij rrëfimi, u step. Hodhi shikimin andej-këndej, por askund nuk shihej.
– Çka do ky zë që nuk shihet.
– Nuk jam vetëm zë, jam edhe rrëfim, madje rrëfim i zënë peng nga ti. Prandaj më quaj vetëm Rrëfim.
– Nuk kam kurrfarë prangash. E si të paskam mbërthyer e prangosur, kur kurrë s’kam prangosur dikë, kur kurrë në duart e mia nuk kam pasur pranga? Nuk po të shoh, kur trup nuk ke, kur gjymtyrë as pamje nuk ke…
– Hmmm…unë jam pa trup, pa kokë e pa gjymtyrë.
– Qenke torzo-rrëfim?
– Kam zë, por jam i padukshëm.”
Kështu e nis romanin. Kurse fjala rrëfim qëndron si njësi emërtuese te secili kapitull, duke marrë konotacione a kuptime të ndryshme, komplekse.
3. Strukturat e brendshme:
betejat e brendshme shpirtërore, etike e jetësore

Duhet theksuar, siç e thamë në fillim, se fund e krye, nëpër kapituj të romanit, kemi luftën e brendshme shpirtërore të personazhit karshi të kaluarës së tij dhe karshi situatave të pamundësisë a pafuqisë, në të cilat gjendet: përse nuk ka ndërhyrë në ato situata, kur ai qëndronte i strukur, i fshehur, si dëshmitar? A ndien veten fajtor? Apo si të çlirohet tash nga makthi shumëvjeçar i atyre ngjarjeve?

Shpesh personazhi e gjen veten të mundur në jetë. Kjo mposhtje duket se i takon vetëm botës psikologjike e jo asaj të jashtme.; kur Plaku e konsideronte vetveten të pavlerë. Replikat narrative të Zërit të Padukshëm (zërit të vetvetes) herë përplasen midis disfatës dhe daljes nga ajo gjendje e rëndë, herë midis mëkatit të pabërë dhe çështjeve reale të jetës dhe historisë, midis luftës, tërbimit dhe qetësisë, përulësisë, midis shkurajimit dhe besimit, midis nënçmimit dhe vetëvlerësimit. Një gjendjeje i kundërqëndron tjetra. Autori, me teknikat e tilla narartive, thur një tension të lartë përjetim-përplasjesh dhe kërkesash për çlirim e dalje nga ajo situatë e rëndë e pafuqisë së djeshme dhe reminishencave të tyre në kohën e sotme. Pedro Okoro, autor nigerian, që ka përjetuar përvojka të ngjashme, thotë: “Lufta shpirtërore është shumë reale. Ekziston një betejë e furishme, e egër dhe e furishme që zhvillohet në mbretërinë e shpirtit midis forcave të Zotit dhe forcave të së keqes. Lufta ndodh çdo ditë, gjatë gjithë kohës. Pavarësisht nëse e besoni apo jo, ju jeni në një fushë beteje. Ju jeni në luftë ”.

Kjo luftë, në kohë tjetër, a do të shndërrohet në kohë të hakmarrjes? Në përdorimin e të njëjtave mjete si armiku?! Personazhi i këtij romani thotë; jo! Prandaj e djeg Librin e
Hakmarrjes, ku i kishte shënuar emrat e keqbërësve, për të mos ua lënë amanet pasuesve e trashëgimtarëve të tij, nipit dhe mbesës. Ja si e përfundon romanin:
“Isha dënuar të jem i pafuqishëm.
Mbeta luftëtar i vetëm në betejat e mia të jetës.
Isha dënuar të jem dëshmitar kohe e në kohë. Pjesëtar në gjërat më të pamundshme dhe më e pamundshmja te ato më të lehtat. Për shembull, te më e lehta, siç është vdekja. Te më e rënda siç është jeta.
Isha dënuar të jetoj.
Isha dënuar të fal, të fal, të fal.
Nipit dhe mbesës nuk ia dhashë Librin tim të Hakmarrjeve, me emra kriminelësh e gjakatarësh. E zhduka.

Isha shndërruar në gogol të vetvetes, nga i cili përbindësh edhe vdekja po frikësohet.”
Pra, së pari ai e lufton ferrin brenda vetvetes për ta mposhtur fuqinën e errësirës së pushtimit dje. Ai, diku në brendi të romanit, thotë: ditë e bukur për të mos u vrarë askush; është fjala në kohën e pasluftës, kur ai i sheh fqinjët e tij, serbë e romë, që i kanë bërë keq, por për të është ditë e bukur për të mos u vrarë askush! Ligjëron ndërgjegjja sublime e tij! Vjen çlirimi etik e moral mbi pafuqinë e djeshme të tij përballë kriminelëve që i i gjenden përballë! Ky personazh, përmes gjashtë kapitujve dhe përmes atyre 39 rrëfimeve të “tregimeve pleqërishte” na e rrëfen këtë përvojë jete e shpirti. Ai personazh e di, po ashtu, se frika që e pushton shpirtin, e pushtin krejt hapësirën, krejt botën, krejt universin, siç e thekson diku. Kjo luftë e tij, e brendshme, pra, nuk i ka armët fizike, as sulmet fizike, por ato janë armë të shpirtit, armë të tilla botë-ndërtuese janë zemra e mendja e tij. Krejtësisht në kundërshtim me atë realitetin e përjetuar të ferrit të luftës e të paraluftës e që shkatërronte jetë njerëzish.

4. Kërkimi për ta shenjtëruar hapësirën e ekzistimit
Duke qëndruar në distancë me të keqen dje (si dëshmitar i pafuqisë së tij) dhe në distancë sot, ai na e ka dhënë burimin e komponentëve të përbashkët të ndërgjegjësimit në situata tensioni, siç janë: vetëdija e vazhdueshme se ai mund të vdesë, pa i ikur asaj, përqendrimi i plotë te çasti i ankthshëm i përjetimit të ngjarjes, vlerësimi i jetës së të gjithë njerëzve. “Dallimi i madh është se mistiku sheh parajsën dhe luftëtari sheh ferrin” do të thoshte Karl Marlantes, autor amerikan dhe veteran i luftës në Vietnam. Prandaj ky personazh, posi një mistik, duket sikur dëshiron ta shenjtërojë secilën hapësirë, kundruall së keqes që ishte ferr me djegie, vrasje e shkatërrime. Në hapësirën e shenjtëruar ndihet mirë secili e ku i gjen vetë shtyllat e jetës për ta mbështetur vetveten e psiken e vetvetes kundër
shfarosjes dhe vdekjes së dhunshme. Kundër urrejtjes. Hapësirë për përmirësim e dalje ai sheh në secilën kohë.

Dhe ky postulat tematik e motivor, përbën vlera të veçanta të veprës.
Buzhala e ka bërë me sukses këtë ndërthurje veprimesh e përsiatjesh te ky roman, pra ka përhapur mesazhin e madh se si njeriu duhet të jetë ngadhënjimtar edhe kur thyhet ai, një lloj ngadhënjimi si Plaku i Heminguejit në luftën e tij me fatin, me valët, me peshkaqenët, por ai fiton, sepse nuk u gjunjëzua para atyre valëve, para atyre peshkaqenëve; edhe pse ia hëngrën peshkun, ai vetë shpëtoi dhe rrëfeu për historinë e sfidën e peshkimit në det.
Edhe plaku i Buzhalës luftoi me fatin që i solli jeta, u thye disa herë, por mbijetoi dhe jetoi për të na rrëfyer tregimin e tij të jetës, tregim ende i pambaruar./rajonipress/