Kapen 5 kosovarë klandestinë dhe 2 trafikuesit e tyre
Policia e Trafikut rrugor e Degendorfit ka kapur të mërkurën bë Hunderdorf, në autostradën BAB A3, në dy makina pesë persona, të cilët ishin pa leje qëndrimi në Gjermani. Policia e Krimit në Degendorf ka ndërmarrë hetimet lidhur me rastin.
Dy makinat u kanë rënë në dorë policëve në një interval kohor prej një ore, njëra pas tjetrës dhe konsiderohet se ato nuk kanë pasur lidhje në mes vete. Mirëpo, të pesë personat e kapur në makinat në fjalë kanë qenë shtetas të Kosovës, konstaton policia. Kështu, në një Mercedes ndodhej një shtetas 42 vjeçar i Kosovës me qëndrim të rregullt në Gjermani, i cili bartte me vete vëllanë e vet 39 vjeçar dhe dy fëmijët e tij 8 dhe 10 vjeçarë, të cilët nuk kishin leje të vlefshme për hyrje ose qëndrim në Zonën e Shengenit. Sipas njohurive të para, 42 vjeçari i kishte marrë familjarët e tij në Vjenë dhe ishte me ta në rrugë për në Belgjikë.
Makina e dytë, një Audi A4 e vozitur nga një shtetas 49 vjeçar i Serbisë po qarkullonte nga Vjena në drejtim të Nürnbergut, Gjermani, thuhet në një njoftim të policisë së Degendorfit. Pas kontrollimit u gjet se ai po bartte dy shtetas kosovarë të moshës 18 vjeçare, pa dokumente të rregullta qëndrimi.
Prokuroria Shtetërore e Regensburgut dhe policia e Degendorfit janë duke i zhvilluar hetimet për veprat penale të hyrjes dhe qëndrimit ilegal në Gjermani, shkruan bogenerzeitung.de. Të pesë personat janë strehuar në një qendër pranimi për azilkërkues, ndërsa kundër dy ngasësve të makinave kanë nisur të zhvillohen hetime për kontrabandim të të huajve./albinfo/


