Uji Dea

Kaosi kthehet në Kajro

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Përkrahësit dhe kundërshtarët e presidentit të Egjiptit, Mohammed Morsi, janë konfrontuar të enjten para pallatit presidencial në Kajro. Ata kanë hedhur gurë kundër njëri-tjetrit, dhe janë rrahur me shufra. Konflikti ka nisur kur disa mijëra përkrahës të Morsit ia mësynë pallatit, para të cilit po protestonin afro 300 kundërshtarë të tij.

Opozita egjiptiane po kërkon që Morsi të pezullojë dekretet me të cilat vetes i dha një fuqi absolute, dhe të tërheqë projekt-kushtetutën e diktueshme.

Të enjten ndërkaq, përkrahësit e Morsit, që ishin shumëfish më të numërt, “i fshinë” kundërshtarët e tij të mbledhur para pallatit presidencial. Demonstruesit u shpërndanë nëpër rrugët e afërme.

Lideri i pozitës, Mohamed el Baradej, ndërkohë akuzoi përkrahësit e presidentit Morsi se sulmi i tyre ndaj protestuesve të qetë ishte “tinëzar dhe të planifikuar”.

Ndryshe, presidenti egjiptian tashmë ka shpallur referendumin për projekt-kushtetutën e re të vendit, i cili duhet të mbahet më 15 dhjetor. Komisioni Zgjedhor i Egjiptit, i cili dominohet nga islamikët, më 30 nëntor ka miratuar projekt-kushtetutën e re, e cila është kritikuar ashpër nga opozita e vendit.

Në fakt, pritej që të dielën e kaluar Gjykata Supreme e Egjiptit të shpallte për jolegjitim komisionin kushtetues i cili miratoi projekt-kushtetutën e re, por edhe të shpërndante dhomën e lartë të parlamentit të vendit. Mirëpo, në vend të kësaj, gjykatësit u hodhën në grevë, pasi që në ndërtesën e gjykatës hynë demonstruesit pro-Morsit.

Opozita ende nuk është deklaruar nëse synon që energjinë e saj ta drejtojë nga protestat për bojkotimin e referendumit, apo vetëm do të votojë kundër projekt-kushtetutës së propozuar.

Sipas agjencisë AP, kjo është kriza më e rëndë në Egjipt që prej rrëzimit të regjimit të presidentit autoritar, Hosni Mubarak, në shkurt të vitit të kaluar. Për më tepërm sipas AP, vendi tani është i ndarë në dy pjesë, respektivisht, në Morsin dhe Vëllazërinë e tij fundamentaliste Myslimane – bashkë me salafistët ultrakonservatorë, në njërën anë, dhe në partitë liberale dhe sektorin e madh publik, nga ana tjetër.

Eco Higjiena

Para trazirave të së enjtes, disa mijëra kundërshtarë të presidentit Morsi e kaluan natën para pallatit presidencial në Kajro, ku po protestonin kundër dekretit përmes të cilit ai ka zgjeruar kompetencat e veta, dhe kundër projekt-kushtetutës kontroverse.

Protestat eskaluan të martën mbrëma, kur disa dhjetëra-mijëra protestues rrethuan presidencën. Ky ishte numri më i madh i protestuesve që nga revolucioni i vitit 2011, përmes të cilit u rrëzua Mubarak. Gjatë protestës, shumë protestues ngritën tenda para presidencës, gjë që rezultoi me konflikt të hapur mes demonstruesve dhe policisë, e cila përdori edhe gaz lotsjellës.

“Më në fund, u rrethua presidenca” shkruante në ballinë e së mërkurës të gazetës ‘Al-Shuruk’, përderisa gazeta ‘Al-Vatan’ në ballinë kishte titullin “Revolucioni në prag të presidentit”.

Paralelisht, edhe disa qindra përkrahës të Morsit e kaluan natën në sheshin Tahrir, të vendosur brenda disa dhjetëra tendave që ishin ngritur aty gjatë dy javëve të fundit.

Përmes rrjeteve sociale aktivistët e egjiptianë kërkonin batanije dhe ushqim për demonstruesit, derisa nënvizonin se nuk do të largoheshin nga sheshi deri atëherë kur Morsi të heqë dorë nga zgjerimi i autorizimeve të tij, të parapara me dekretin e 22 nëntorit.

Me këtë dekret, presidenti Morsi ka gjeruar dukshëm autorizimet, si dhe ia ka ‘uzurpuar’ të drejtën gjyqësorit për të shqyrtuar vendimet e tij.

Gjithashtu, ai për datën 15 dhjetor ka caktuar një referendum për kushtetutën e re të vendit, i cili, sipas pohimeve të kundërshtarëve të tij, është miratuar me nguti nga ana e komisionit kushtetues – shumica e anëtarëve të të cilit janë islamistë. Tutje, sipas oponentëve të Morsi, kjo kushtetutë nuk i mbron as të drejtat elementare të qytetarëve, përfshirë këtu lirinë e shprehjes, dhe ia hap dyert implementim it të ligjit të ashpër islamik – sheriatit.

Morsi, që është presidenti i parë islamik i Egjiptit, ndërkohë ka deklaruar se do të heqë dorë nga autorizimet e zgjeruara menjëherë pas ratifikimit të të kushtetutës së re të vendit. Por, vendimet e tij ditëve të fundit kanë nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz, kundërshtarë dhe përkrahës të tij. E, kjo situatën e bënë shumë të paparashikueshme, edhe pse të enjten pasdite u raportua se ushtria ka nisur me dislokimin e tankeve nëpër kryeqytet. Kjo, ngase vetëm, gjatë trazirave të dy ditëve të fundit u raportua për të paktën tetë të vrarë dhe mbi 600 të lënduar.