Kaosi i legalizuar

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ndërtimet të ngufasin, rrugët të prishura, gropa gjithandej, rrugë pa trotuare, banesa të ngjitura njëra me tjetrën, ekskavatorë e kamionë kanë zënë rrugën, është gjendja në të cilën gjendet “Lagjja e Spitalit” në Prishtinë, e cila është vërshuar nga ndërtuesit e banesave kolektive.

Syri nuk të zë asnjë vend gjelbërim, edhe ato shtëpi që kanë mbetur, shumica afër rrugës, kanë nisur të rrënohen për t’u ndërtuar banesa. Ndërtuesit mashtrojnë me prezantimin e hapësirave gjelbëruese nëpër projektet e tyre, derisa ato realisht nuk eksitojnë. Banorët e kësaj lagje s’kanë nga të ecin, fëmijët janë të rrezikuar nga veturat në rrugë pa trotuar, të detyruar ata ecin përmes veturave, derisa ndërtimet po vazhdojnë pa u penguar nga komuna e Prishtinës.

Banorët ankohen por nuk shqetësohet askush për ta. Shumica e ndërtimeve është bërë komplet mbi parcelat ekzistuese. Shtëpitë janë duke u rrënuar me të madhe derisa banesat ngufasin secilin cep duke u ndërtuar gati ngjitur njëra me tjetrën. Rrëmuja ka kapluar këtë pjesë të Prishtinës, e cila është e leverdishme vetëm për ndërtuesit kurse tmerruese për banorët.

Uji Dea

Banorët e kësaj pjese të Prishtinës fajësojnë direkt kryetarin e komunës, Isa Mustafa, i cili, sipas tyre, po i lejon ndërtimet e tilla. “Isa Mustafa po i lejon këto ndërtime, se kush tjetër. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë, kujt t’i ankohemi. Si bëre ankesë si nuk bëre, njësoj”, tha Shemsi Ibrahimi, banor i kësaj lagje, derisa po rregullonte kanalizimin para shtëpisë së tij.

Pronari i një ndërtese banimi katërkatëshe, Arben Sadiku, thotë se ndonëse jo në hapësirë të madhe do ta rregulloje një pjesë gjelbëruese para kësaj ndërtese, derisa për parking thotë se e ka të ndërtuar nëntokë. “23 mijë euro më ka kushtuar projekti dhe leja e punës në Komunë, tash kanalizim nuk ka”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa Shefqet Pozhegu, nga firma “Pozhegu Brothers” i cili tashmë ka të nisur vetëm themelet e ndërtesës nëntëkatëshe që pritet të ndërtohet thotë se në projektin e tyre është 70 për qind hapësirë gjelbëruese. “Kemi marrë leje, krejt i kemi me projekt, 70 për qind e kësaj është gjelbërim, çdo banesë e ka nga një parking. Brenda 2 viteve pritet të përfundohet ndërtimi”, ka thënë Pozhegu. /Zëri/