RCCOLA

Kandidatët për kryetarë pa ide për sigurinë publike

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Shumica e kandidatëve për kryetar të komunave, gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, pothuajse aspak nuk i kanë kushtuar rëndësi zgjidhjes së problemit të sigurisë në nivelin lokal.

Eksperti i sigurisë, Naim Maloku, ka thënë për Telegrafin se gjatë fushatës zgjedhore kandidatët për kryetar të komunave, në ofertat të cilat i kanë prezantuar para qytetarëve, nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur aspektit të sigurisë.

Sipas tij, edhe pse siguria duhet të rregullohet në nivelin qendror, edhe niveli lokal ka mundësi të kontribuojë mjaftueshëm për të ndërtuar infrastrukturën e cila do t’i pengonte vrasjet dhe krimin nëpër komuna.

“Janë disa kompetenca që i ka kryetari i komunës, p.sh.: e cakton komandantin e policisë, që nuk është gjë e vogël. Rasti i qytetit tim, pra Pejës, ku njerëzit ekzekutohen midis qytetit dhe asgjë nuk ndërmerret, s’ka asnjë pistë hetimi. Duhet të ndërmerret diçka, jo thjesht të vazhdohet me deklarata se ‘hetimet vazhdojnë”, ka thënë Maloku.

Në anën tjetër, Florian Qehaja nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), ka theksuar se kandidatët për kryetar të komunave, nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme mbi sigurinë publike në komuna.

Mobi Casa

Ai tha se në bazë të asaj se çka është ofruar deri më tani nga shumica e kandidatëve për kryetar të komunave, nuk është nënvizuar aspekti i sigurisë në nivelin lokal.

“Në këtë drejtim, shumica e kandidatëve, veçanërisht për kryetar të Komunës së Prishtinës, dështojnë, pasi që problemet më të mëdha të rendit publik dhe sigurisë janë pikërisht në kryeqytet. Për më shumë, konsiderojë që kësaj fushe, kandidatët qëllimisht nuk i japin prioritet sepse nuk përbën popullizëm. Ky sigurisht se është indikatorë i saktë se kandidatët kanalizojnë premtimet (marramendëse), në çështjet ku joshen më shumë votuesit. Është më se e qartë se siguria nuk përbënë prioritet”, tha ai për Telegrafin.

Qehaja ka deklaruar se kryetari i Komunës dhe Asambleja Komunale kanë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve të stacioneve të policisë, dhe ata në një mënyrë sinkronizojnë aktivitetet me Policinë e Kosovës në ofrimin e sigurisë publike.

“Përveç policisë, kryetarët e Komunave udhëheqin me emergjencat civile, kështu që roli i tyre në menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri është esencial. Duke pasur parasysh numrin e madh të zjarreve (sidomos gjatë verës), rrëshqitjet e dheut, vërshimet dhe orteqet, vendosja e prioriteteve në sferën e sigurisë është shumë e rëndësishme”, ka thënë Qehaja. (B.D.) /Telegrafi/