Fundamenti

Kancelari gjerman paralajmëron bisedime në Spanjë për tensionet Kosovë-Serbi

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të situatës në veri të Kosovës.

“Për mua, është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Duam një zgjidhje paqësore dhe për këtë jemi shumë të angazhuar bashkë me Francën dhe Italinë,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.

Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur krerët nga gati 50 vende evropiane të takohen në Granada të Spanjës.

Uji Dea

Gjatë ditës, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e quajti tërheqjen nga Serbia të trupave nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm,” por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën, transmeton Anadoly Agency.

Duke folur për mediat në Berlin, Kathrin Deschauer tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” pas raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.

“Serbia ka detyrimin të bëjë thirrje pa mëdyshje për një heqje dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të një reduktimi të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Pavarësisht nga kjo, ne duam të theksojmë përsëri se hapa të mëtejshëm duhet të merren tani,” tha ajo./Telegrafi/