Kampioni i botës stërvit yllin shqiptar Herolind Shala
Herolind Shala llogaritet si e ardhmja e Kombëtares së Shqipërisë dhe djaloshi nga Drenasi po stërvitet edhe në pushime, për të qenë në formë të lartë për stinorin e ri.
Shala ka udhëtuar drejt Kanadasë me të vetmin qëllim që të stërvitet shumë para fillimit të edicionit të ri me Spartën e Pragës, ku iu është kërkuar të jetë lojtari kryesor në klub, falë edhe besimit që i ka dhënë klubi duke ia besuar fanellën me numrin 10.
Aktualisht Herolindi po stërvitet nga një kampionë bote. Fjala është për Mark McKoy, ish-kampioni në Lojërat Olimpike ‘Barcelona 1992’, në vrapim 110 metra me pengea.
Në një intervistë për Telegrafin, Shala tregon arsyejet e shkuarjes në Kanada tek McKoy si dhe synimet për stinorin e ri me Pragën dhe ndeshjet me Kombëtaren.
“Isha duke e kërkuar një trajner të atletikës për të më bërë edhe më të mirë, dhe e kam pyetur mikun tim Alban Merepeza që është fizioterapeut i Kombëtares. Albani e ka kliniken e tij të sportit në Kanada dhe punon me shumë sportistë profesionist ndërsa më ftoi të vija këtu”, tregon fillimisht Shala.
“Ai më prezantoi me Mark McKoy, ish-kampion i botës në atletikë. Merepeza dhe McKoy janë miq të mirë dhe bashkëpunojnë me sportistë. Këtu kam parë që McKoy, trajnon shumë sportistë nga liga NBA dhe NHL”, thotë Shala për Telegrafin, duke folur edhe për përgatitet në Kanada.
“Përgatitjet po ecin jashtëzakonisht mirë. McKoy i ka identifikua disa gjëra që mundem t’i përmirësoj dhe po punojmë në atë drejtim. Po e ndiej vetën shumë mirë këtu dhe besoj që do të kthehem më i fortë. Dua ta falënderoj nëpërmjet mediumit tuaj fizioterapeutin e Shqipërisë Alban Merepezan si dhe McKoyn”, tha Shala.
“Kam pushuar vetëm katër ditë në Kosovë pastaj iu kam bashkangjitur Kombëtares. Kam pasur edhe pushim tjetër por kam preferuar të stërvitëm që të jem në formë të lartë në stinorin e ri pasi do të jemi edhe në kualifikime për në Ligën e Kampionëve”.
“Ky gjashtë mujor nuk ka qenë siç kam pritur te Sparta pasi kam pasur probleme me lëndime por tani e tutje më duhet të jem në formë të lartë, pasi klubi të gjitha shpresat i ka tek unë për stinorin e ri si dhe për kualifikimet për në Ligën e Kampionëve”, vazhdon tutje Shala, duke treguar edhe objektivat për stinorin 2015/16.
“Këtë vit nuk e arritëm titullin dhe Kupën, por vitin tjetër këto dy trofe janë synimet kryesore të Spartës dhe besoj se në fund do t’i marrim. Gjithashtu synojmë që të arrijmë në grupet e Ligës së Kampionëve që do të ishte një sukses për klubin por edhe një ëndërr e realizuar për mua të luaj në garën më të madhe evropiane”.
“Tek kombëtarja nuk jam aktivizuar në ndeshjen e fundit pasi trajneri ka preferuar t’i shoh disa lojtarë të rinj në fushë. Unë jam ende i ri dhe pres rastin tim për t’i treguar popullit shqiptar se sa vlejë. Jam i lumtur që jam pjesë e Shqipërisë dhe synoj që ta shkruaj historinë duke u kualifikuar për në kampionatin evropian”, përfundoi Shala.
Herolindi u transferua tek Sparta e Pragës në muajin janar nga skuadra norvegjeze ODD Ballklub, ndërsa ai shihet si 10-shi i ardhshëm i Kombëtares së Shqipërisë. /Telegrafi/


