“Kamikazët” e Kuvendit

Episodi i njëjtë i hedhjes së gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës u përsërit edhe dje nga deputetët opozitarë, të cilët pamundësuan zhvillimin e punimeve të legjislativit. Ende pa u ulur mirë në ulësen e tij kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, deputetët e tri partive opozitare e bllokuan foltoren e Kuvendit, ndërsa derisa situata ishte si nëpër mjegull, dy deputetë të tjera ia dhanë flakën bombave të gazit lotsjellës, duke ia qitur tymin Kuvendit.
Por, për dallim nga hera e kaluar që në rolin kryesor ishte Albin Kurti, kësaj radhe “bajrakun” e kishin marrë deputeti i “Vetëvendosjes”, Faton Topalli, dhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Me t’u shpërndarë gazi lotsjellës në sallën e Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli u bëri thirrje deputetëve që të largohen menjëherë nga salla, duke thirrur mbledhje urgjente të Kryesisë.
Veprimet e taborit opozitar, e cila për të dytën herë në dy javët e fundit po përdor skenarin e njëjtë të hedhjes së gazit helmues brenda sallës së Parlamentit, vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Qeveria e Kosovës lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në rrëmujën e krijuar brenda sallës së Kuvendit në momentin që u hodh gazi lotsjellës, ishin ”Gashët” e mazhorancës ata që nuk qëndruan duarkryq duke zhvendosur gazin në drejtim të opozitës. Ishte deputeti i PDK-së, Latif Gashi, ai i cili kapi me dorë gazin lotsjellës duke ua hedhur deputetëve të “Vetëvendosje”, derisa gazin e ka zhvendosur drejt opozitës edhe deputeti tjetër nga LDK-ja, Arben Gashi./zeri/