Kamenica vazhdon konsultimet me qytetarët, mbahen dëgjime buxhetore në Hogosht dhe Kopërnicë për projektet e vitit 2027
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka vazhduar procesin e dëgjimeve buxhetore me qytetarët, duke organizuar takime konsultative edhe në fshatrat Hogosht dhe Kopërnicë, në kuadër të përgatitjeve për hartimin e buxhetit komunal dhe planifikimin e investimeve kapitale për vitin 2027.
Në të dyja dëgjimet morën pjesë drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, drejtori Blerim Murina, si dhe zyrtarë të tjerë komunalë, të cilët u njohën nga afër me kërkesat, prioritetet dhe nevojat e banorëve të këtyre lokaliteteve.
Gjatë takimeve, drejtoresha Ardita Dërmaku prezantoi kornizën buxhetore të planifikuar për vitin 2027, duke informuar qytetarët edhe për shumën e paraparë për investime kapitale. Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në procesin e planifikimit buxhetor, me qëllim që projektet e ardhshme të reflektojnë nevojat reale të banorëve.
Këto dëgjime publike po organizohen për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të paraqesin propozimet dhe kërkesat e tyre, të cilat do të shqyrtohen gjatë hartimit të listës së projekteve që synohen të realizohen gjatë vitit 2027.
Përfaqësuesit komunalë ritheksuan se konsultimi me qytetarët mbetet një ndër mekanizmat më të rëndësishëm për ndërtimin e një buxheti gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili adreson prioritetet zhvillimore të secilit lokalitet.
Procesi i dëgjimeve buxhetore do të vazhdojë edhe në fshatra dhe vendbanime të tjera të Komunës së Kamenicës, me synimin që sa më shumë qytetarë të bëhen pjesë e vendimmarrjes për investimet dhe projektet që do të realizohen në vitin e ardhshëm./rajonipress/


